Marijuana mjekësore është një pjesë e bimës së marijuanës që përdoret për të trajtuar problemet mjekësore. Njerëzit e përdorin atë për të lehtësuar dhimbjet, jo për t’u droguar. Shumica e marijuanës që shitet legalisht si ilaç ka të njëjtët përbërës si ajo që përdoret për qejf, por në disa raste, ajo ka më pak kimikate që shkaktojnë ndjesinë e euforisë…

– Cilët janë përbërësit e marijuanës mjekësore?
– Bima e marijuanës ka me qindra substanca kimike, të njohura me emrin kanabinoide. Dy kryesorët janë THC dhe CBD. E para jep më shumë efektet e kënaqësisë që kërkojnë ata që e pinë për qejf, por ajo ka edhe disa efekte që mund të trajtojnë problemet mjekësore. Disa studime kanë treguar se CBD-ja mund të ndihmojë për disa probleme shëndetësore, por nuk ka efekte euforike.
– Si vepron ajo në tru?
– Njerëzit që tymosin marijuanë fillojnë t’i ndjejnë efektet e saj pothuajse menjëherë, ndërsa ata që e hanë, mund të mos i ndjejnë deri një orë pas konsumimit të saj. Kur e tymosni, THC-ja shkon nga mushkëritë drejt e në qarkullimin e gjakut dhe i shtyn qelizat e trurit të çlirojnë dopaminë, gjë që ju bën të ndjeheni euforikë. Specialistët dinë më pak për veprimin e CBD-së. Ata mendojnë se ajo mund të ndërveprojë me THC-në dhe nganjëherë, edhe e vetme, ajo e ushtron efektin e saj në tru.
– Kur përdoret marijuana si ilaç?
– Marijuana mjekësore ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve, të vjellave dhe në humbjen e oreksit te njerëzit që kanë kancer dhe HIV. Megjithatë, ende nuk ka studime të mjaftueshme në këtë fushë. Disa studime thonë se marijuana mjekësore mund të pakësojë konvulsionet te njerëzit me epilepsi. Disa studime tregojnë se ajo mund të lehtësojë simptomat e sklerozës së shumëfishtë, si ngurtësimin e muskujve dhe spazmën, dhimbjen dhe urinimin e shpeshtë.
– Cilat janë efektet dytësore të një përdorimi të shkurtër?
– Marijuana mjekësore mund të ndryshojë humorin, t’ju bëjë të ndjeheni të lumtur, të relaksuar, të përgjumur, ose me ankth. Ajo gjithashtu mund të ndikojë në kujtesën tuaj afatshkurtër dhe në aftësinë për të marrë vendime. Këto efekte dytësore mund të zgjasin 1-3 orë. Dozat e mëdha të marijuanës mjekësore mund t’i bëjnë njerëzit të kenë haluçinacione, zhgënjime dhe paranojë. Studimet kanë treguar se tymosja e marijuanës mund të shkaktojë probleme në frymëmarrje, si bronkit dhe më keq.
– Po efektet dytësore të përdorimit të gjatë?
– Ata që e tymosin rregullisht marijuanën mjekësore mund të kenë probleme të frymëmarrjes, si kollitje të përditshme dhe një rrezik më të madh për infeksione të mushkërive. Studimet gjithashtu kanë bërë lidhjen mes përdorimit të saj të përditshëm dhe sëmundjeve mendore, depresionit, ankthit, uljes së motivimit dhe dëshirës për vetëvrasje te të rinjtë. Përdorimi i marijuanës gjatë shtatzanisë mund të shtojë rrezikun e problemeve shëndetësore te bebet. Përdorimi i saj gjithashtu mund të krijojë varësi.
– Cilat ilaçe bëhen me marijuanë?
– Shoqata Amerikane e Ilaçeve ka aprovuar dy ilaçe që përmbajnë përbërës të gjetur edhe në marijuanë. Dronabinoli ka THC dhe përdoret për të trajtuar të vjellat e shkaktuara nga kimioterapia dhe rënien e madhe në peshë te pacientët me sida. Ilaçi i quajtur Nabilone përdoret për të njëjtat arsye, por ka një kimikat të prodhuar në laborator, që është i njëjtë me THC-në.
– Në ç’formë jepet marijuana mjekësore?
– Përdoruesit e tymosin marijuanën mjekësore të dredhur si cigare, ose në llulla. Ajo mund të pihet edhe në formë çaji, të futet në ushqime, ose të merret në formë tabletash. Efektet e tabletës me marijuanë mund të jenë të fuqishme dhe të zgjasin shumë. Kjo e bën të vështirë të parashikohet si mund të veprojë ajo te njeriu. Ajo gjithashtu mund të thithet në formë tymi.
– Ku është i ligjshëm përdorimi i marijuanës mjekësore?
– Në SHBA ajo është e ligjshme në afro gjysmën e shteteve. Përdorimi i marijuanës jomjekësore është gjithashtu i lejuar në vende të tjera të botës, si në Holandë, Uruguaj, Kore e Veriut, etj. Në këto vende njerëzit mund të kultivojnë disa bimë marijuane për përdorim personal.
– A përdoret marijuana mjekësore te fëmijët?
– Disa studime kanë treguar se ajo mund të lehtësojë konvulsionet te fëmijët me epilepsi të vështirë për t’u trajtuar. Një lloj i marijuanës mjekësore, i njohur me emrin “Rrjeta e Sharlotës” (sipas një libri të shkrimtarit amerikan E.B.Uait) mund të ndihmojë fëmijët, pa i bërë ata të ndjejnë eufori, sepse ky ilaç përmban shumë pak THC.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *