Këtë herë, intervistën time të javës mendova ta bëja në Elbasan, në atmosferën e ndeshjes. Pikërisht aty, në një lokal në qendër të tij, u takuam me zotin Fatos Nano, ish-Kryeministër disa herë dhe ish-kandidat për President, po disa herë. Iu afrova…
Kaso Kosa: – Përshëndetje zoti Nano!
Fatos Nano: – Përshëndetje, more Kaso! Si je? S’të kam perceptuar nëpërmjet shqisave pamore këto kohë. Ku ke humbur?
– Unë këtu kam qenë, zoti Nano, por ju keni kohë që nuk jeni shfaqur. Si po ju duket ndeshja?
– Cila ndeshje?
– Ndeshja pra, Shqipëri-Serbi…
– A po! Mendova se më pyete për ndeshjen time me Ramën. Në aspektin difensiv kemi probleme esenciale. Organizimi është difektoz. Sulmi duhet të jetë me më tepër potencë. E marrë në total, mendoj se jemi mirë.
– Më falni zoti Nano, por si jemi mirë kur ju thatë gjithë këto mangësi?
– Dëgjomë Kaso! I rëndësishëm është optimizmi. Për shembull, që thua ti: Në politikë, pavarësisht se s’të pëlqen dikush, duhet të kooperosh me të dhe ta duash. Kështu duhet të shikohet edhe atashimi ynë me Kombëtaren.
– Zoti Nano, përse nuk hytë në stadium, por e shikoni ndeshjen këtu në lokal?
– Po unë s’erdha të shikoja ndeshjen, mo Kaso! Erdha për tjetër gjë në Elbasan.
– Nuk ju kuptoj…
– Erdha të më shikonte Edi Rama dhe kaq. Ta dijë që jam gjallë, se tani bëhen listat për Presidentin e ri të vendit.
– Mendoni se zoti Rama do t’ju vërë në listë? Ju me të jeni zënë keq, ç’nuk i keni thënë. Thatë që e sollët me thonj të paprerë nga Parisi, se…
– E kam thënë, Kaso, nuk e mohoj, ama ajo thënia ime i hapi rrugën zotit Rama drejt pushtetit.
– Si ia hapi rrugën?
– E mo Kaso që nuk ke fare elokuencë. 4 në 5 shqiptarë i kanë thonjtë të paprerë. Ata kur dëgjuan se edhe zoti Rama ishte si ata, filluan ta duan më shumë. Kupton?
– Tani e kuptova, zoti Nano!
– Nuk më falej mua Kaso, një politikani vizionar, të bëja atë moskalkulim politik, por e di unë ku qëndron problemi. Po ta them vetëm ty dhe mos e bëj publike: Kur e thashë atë gjë për zotin Rama, isha esëll, nuk kisha pirë mjaftueshëm uiski. Unë flas broçkulla, kur nuk pi.
– Publiku shqiptar, ai i videos “pa bukë, pa ujë, aman vetëm ju mos u zini”, do të dijë: Me se merreni tani ju, zoti Nano?
– Tani po shkruaj kujtimet e burgut, Kaso. Kur Berisha mori pushtetin në 1992, më tha e më doli borxhit: “Rri Tosi, më tha, mos më shaj”, po mua s’më rrinte goja. Do artikuloja opozitarizëm unë. Kështu, ia ngopa vetes. Më pas do shkruaj kujtimet e kohës që ia ngopa vetes, se ika dhe i lashë partinë Ramës. Librin do ta titulloj: “Vetë- Ngopja”.
– Po në skenën politike keni në plan të ktheheni? E thënë troç: Mendoni se do të arrini të bëheni President?
– Vështirë, Kaso! Me aq sa ia ngopa vetes unë, vështirë. Pastaj, me ç’kam marrë vesh, kanë ndryshuar edhe kërkesën për kandidatin potencial për postin presidencial. E duan pa lesh.
– Aman, o zoti Nano, se kjo s’përbën problem. Rruan mjekrën dhe kaq!
– Mirë e ke ti Kaso, por po sikur të heq leshtë unë dhe pastaj të ndryshojë kërkesa? Pra, të thonë që Presidentin e duam me lesh. Pse, hiq e vi leshtë, do më shkojë jeta mua? Pak po lë leshtë nëpër kazino unë…
– Luani akoma?
– Sigurisht që luaj, Kaso. Luaj, por tani më ndryshe. Tani luaj me paratë e mia, jo të atyre që më vinin nga pas. Unë jam…
– Jeni Fatos Nano. Prapa ju vjen historia.
– Po ç’histori, mo Kaso! Desha të artikuloja idenë se unë jam maestro në fushën kazinoale. Kur prishen ruletat, që thua ti, mua më marrin për t’i rregulluar. Kanë tentuar disa herë të thërrasin inxhinierët elektronikë nga Japonia, por ata kanë dështuar në misionin e tyre fisnik. Tani, kushdo në Vienë më ka numrin e telefonit. Sa ndodh një defekt, “cërr” zilja. “Aman, mister Tos, më thonë, eja observo makinetat, se s’po punojnë”. Ja kështu, Kaso…
Bisedoi me shaka KASO KOSA
(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)