Bisedën me zotin Obama e bëra pas takimit të shkurtër që pati me liderin tonë, zotin Edi Rama. Teksa doli nga dera, vura re se ishte “pikë e vrer”, i mërzitur në kulm. “Do jetë zënë me Mishelën”, mendova. Ku rrinë gratë pa bërë sherr?! Se mos pyesin ato, nëse je president, a karrocier…

Kaso Kosa: – Hello mister President!
Barak Obama: – Përshëndetje, Keis! Ç‘kemi? Ju përgëzoj për rubrikën. Deri këtu jeni bërë i njohur.
– Përshëndetje zoti Obama! Desha t’ju pyes: Përse takimi me zotin Rama ishte i shkurtër, aq sa patët kohë të bënit vetëm një fotografi?
– Faleminderit për pyetjen, zoti Keis. Dua t’ju deklaroj sinqerisht që unë u përpoqa personalisht ta takoja zotin Rama qëkur erdhi në Amerikë, po ishte ai që nuk donte. E prita dy ditë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Dy ditë dhe netë pa gjumë, Keis, aq sa shqetësova edhe Mishelën. “Futu brenda në shtëpi”, më thoshte, por unë s’e dëgjoja. Isha i dërrmuar. I bija telefonit të tij, por Rama s’ma hapte.
– Si mundët t’ia ndryshonit mendjen? Si e bindët t’ju takonte?
– Iu luta këshilltarëve të tij. “Aman more çuna, dua ta takoj pak Ramën e të bëj vetëm një foto me të. Ju betohem që vetëm një foto dua të bëj”, u thosha.
– Përse e donit një foto me zotin Rama?
– Publiku amerikan, nëse më shikon me Ramën në krah, do mendojë: “Obamën e duan shqiptarët. Ka përkrahjen e qeverisë së tyre”. Kështu funksionojnë gjërat te ne në Amerikë, mor Keis. Nejse! Pas shumë negociatash të miat me stafin e tij të këshilltarëve që i ka marrë nga organizata “Mjaft”, zoti Rama i tha mostakimit, “mjaft!” dhe unë për këtë i jam mirënjohës.
– Zoti Obama! Mund të na zbuloni ju lutem arsyen se përse zoti Rama nuk donte t’ju takonte në dy ditët e para të vizitës së tij?
– Faleminderit Keis, për pyetjen e sinqertë! Dua t’ju zbuloj diçka; në takimin tonë të shkurtër, zoti Rama më bëri për një të mijtën e dollarit, ose siç i thoni ju shqiptarët, “më bëri për një lek”, rreth skandalit të përgjimeve që SHBA-ja ka kryer ndaj kancelares së Gjermanisë zonjës Merkel dhe zyrtarëve të tjerë gjermanë.
– Tani e kuptova unë. Pra, kjo ishte arsyeja që s’jua vari Rama juve, zoti Obama.
– Pale kur më tha: “Nuk ka burrë nëne dhe bir kurve, të përgjojë mikeshën time më të ngushtë, zonjën Merkel. Unë këtë nuk mund t’jua fal juve, zoti Obama”. Lëre se ma ngopi, pa ia bërë syri tërr. Eh, mor Keis vëllai… Nuk e prisja këtë gjë.
– Po ju, ç’i thatë?
– Të ta them troç, Keis. Unë, zotit Rama iu betova që meqë ai e ka mikeshë zonjën Merkel, nuk do ta përgjoj më.
– Iu betuat? Si?
– Doja të betohesha mbi Kushtetutën Amerikane, por Rama s’më la. “Lëre Kushtetutën më tha, se në Shqipëri nuk e pjerdh njeri atë, por betohu kështu: Me rob shpie nuk do e përgjoj më Merkelin!”.
– Dhe ju u betuat ashtu!?
– Me rob shpie, Keis, që u betova me robtë e shpisë!
– U shqiptarizuat për 2 minuta që ndenjët me politikan shqiptar, me ç’shoh. A mund ta dimë çfarë diskutuat tjetër në minitakimin tuaj? Vetëm kaq diskutuat?
– Nuk kishte shumë kohë zoti Rama. Unë doja të rrija të diskutonim gjatë, por ai ma preu shkurt, se i duhej të ikte. “Hajde, më tha, bëjmë atë foton që më je lutur të bësh me mua dhe ec mbathja!”. Në takimin tonë të shkurtër unë u tregova jo i matur dhe shpreha shqetësimin tim për demokracinë në Shqipëri, por…
– Vazhdoni, zoti Obama. Shprehuni deri në fund, ju lutem.
– Së pari, Keis, nëse mundeni, më jepni pak ujë të pi. Po më thahet gryka fare. Djersë të ftohta po më bien. Më bëri Rama për ujë të ftohtë më bëri. Atëherë, po ju tregoj të vërtetën, por kjo gjë dua të mbetet këtu mes nesh. Zoti Rama më tha: “Faleminderit që shqetësoheni për demokracinë tonë, por shikoni edhe demokracinë tuaj!”.
– Në ç’kuptim e kishte këtë gjë?
– Lëre, lëre Keis, në shumë kuptime e kishte. Ma ngopi Rama, ma tha të vërtetën në syrin tim dhe të Mishelës. “Po e bëni Amerikën si Greqinë, më tha. Ikën baba Bushi, vjen i biri. Ikën burrë Billi, doni të vijë gruaja Hilari. Do katandiseni si Greqia, që ikte një nga familja Papandre e vinte një nga familja Karamanlis dhe ja ç’e gjeti”.
– Po ju, si iu përgjigjët?
– S’kisha ç’t’i thosha, o Keis! Ku tundej Rama nga e vërteta?! “Pusho, mor pusho, i lutej Mishela ime, mos i thuaj të gjitha!”. “Unë ta plas të vërtetën në sy, si shoku Enver ia plasi Hrushovit në Moskë”, vazhdonte Rama.
(Në këtë moment, ndërhyri zonja Mishel, me shumë edukatë duke më thënë: “Zoti Keis, ju lutem, lëreni Barakun se nuk ndihet mirë”, tërhoqi të shoqin nga krahu dhe e futi brenda në makinë. Teksa u fut brenda, zoti Obama nxori kokën nga xhami dhe më tha:
– Dhe në fund të intervistës, dua të falënderoj jo vetëm zotin Rama, por çdo politikan shqiptar, që, kur kanë ardhur në Amerikë, nuk janë treguar kurrë servilë. Na i kanë thënë gjërat, ashtu siç i mendojnë.

Informoi me shaka nga Nju Jorku dhe mirupafshim derisa të kthehem (nëse më mbushet mendja të mos rri këtu): Kaso (Keis) Kosa

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *