Kryeqyteti është zgjuar zhurmshëm, ka një hije tjetër, është e shtunë, luhet derbi! Partizani dhe Tirana do të masin forcën për herë të 143-të mes tyre në orën 20:45 në stadiumin “Qemal Stafa” dhe, më shumë se tre pikët, në lojë është prestigji. Skuadra që fiton, u jep të drejtë tifozëve të tyre të njihen si zotër të Tiranës deri në derbin tjetër. Një ndër lojtarët që do ta përjetojë fort këtë derbi është edhe Idriz Batha, idhulli i tifozerisë së kuqe. Mesfushori me numër 10 është një titullar i padiskutueshëm në formacionin e Starovës dhe kërkon që ta fitojë këtë derbi për krenari. Ai është i bindur se do të jetë një lojë shumë e luftuar dhe tifozeritë do të dhurojnë spektakël në shkallët e stadiumit. 23-vjeçari beson se do t’i shtojnë klubit edhe një fitore tjetër në derbi. Në histori janë luajtur gjithsej 142 derbi nga të cilat 56 fitore janë për “Demat e kuq”, 43 fitore për bardheblutë, ndërsa 43 ndeshje, kanë dalë barazim.

Eraldo Harlicaj: – Batha, si ndiheni para derbit?
Idriz Batha: – Ndjehem gati. Në aspektin shëndetësor, fatmirësisht, nuk kam asnjë problem dhe po presim mbrëmjen për të dhënë më të mirën në fushë.
– E ndjeni trysninë e derbit?
– Nëse do të thoja jo, do të gënjeja. Derbi ka gjithmonë një peshë tjetër emocionale. Ndihem paksa në këtë ankthin e pragtakimit, pasi shoh edhe tifozeritë që janë përgatitur shumë dhe rritet edhe përgjegjësia për atë që duhet të jap në fushën e lojës.
– Si kanë ecur përgatitjet e ekipit?
– Përgatitjet kanë ecur normalisht. Kemi vazhduar planin tonë stërvitor dhe e kemi trajtuar si një ndeshje të radhës. Kemi gjithë javën që punojmë intensivisht dhe po marrim udhëzimet e fundit të trajnerit para se të zbresim në fushë. Jemi ruajtur edhe në pjesën e dëmtimeve, pasi do të ishte e pafalshme që të dëmtonim njëri-tjetrin në mënyrë të pavullnetshme para një ndeshjeje të tillë.
– Sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ecurinë e kampionatit?
– Fitorja në derbi vlerësohet me tre pikë, pra, është në të njëjtën linjë si çdo ndeshje tjetër ndaj një kundërshtari, por në këtë rast, merr një vlerë tjetër për shkak të impenjimit maksimal që kanë futbollistët që zbresin në fushën e lojës. Atmosfera është një tjetër aspekt që ndikon. Në lidhje me kampionatin, nuk do të jetë përcaktuese, pasi akoma po luajmë në javën e gjashtë. Sigurisht që 3 pikët do të na mbanin përsëri në vendin e dytë e me shpresë, tek i pari. Mendoj se më e rëndësishme është pjesa morale e ekipit e cila rritet dhe ekipi fiton më shumë besim në forcën e grupit.
– Me çfarë taktike do të luajë Partizani në mbrëmje?
– Mos vallë jeni spiunë të Tiranës?! (Qesh) Nuk do të zbuloj asgjë, gjithçka mbetet për t’u parë në fushën e lojës. Di të them vetëm se ne do të japim gjithçka nga vetja për të rrëmbyer fitoren.
– Partizani e ka nisur kampionatin më mirë se Tirana. Mendoni se vini si favoritë?
– Derbi nuk ka favoritë! Nuk ndikon ecuria e kampionatit për të parashikuar edhe mbarëvajtjen e këtyre 90 minutave. Ka vite tashmë që nuk mund të përcaktohet fituesi, madje mund të them që ekipi që ka ardhur si inferior, ka dalë shpeshherë fitues. Kjo është një ndeshje specifike që mund të përcaktohet në një fragment apo në një moment që nuk e pret askush.
– Mendoni se do të fitoni?
– Sikur ta dija, do të isha shumë me fat. Ne do të futemi vetëm për këtë qëllim, nuk futemi për asnjë rezultat tjetër. Ne duam ta fitojmë derbin!
– Po sfidën në tribuna, mendoni se do ta fitojnë tifozët tuaj?
– Për mendimin tim, ne kemi tifozerinë më të mirë në Shqipëri. Tifozët janë lojtari i 12-të dhe i falënderoj pa masë që na mbështesin gjithmonë. Unë dëshiroj dhe besoj se do të fitojmë edhe ne në fushë, edhe tifozët në tribuna, që të jetë një triumf i gjithanshëm. Duam që kryeqyteti të jetë i kuq!
– Ju keni luajtur për një vit me moshat e Tiranës. A e cilësoni veten si një “ish”, në këtë përballje?
– Është e vërtetë që kam luajtur për një vit me të rinjtë e Tiranës, por nuk mund ta konsideroj vetën një “ish”. Është shumë pak në krahasim me djersën që kam derdhur për këtë fanelë që mbaj veshur. Sigurisht, i respektoj dhe i vlerësoj personat me të cilët kam bashkëpunuar dhe ka qenë një periudhë e mirë, por nuk e ndjej se jam një “ish”.
– Batha, ç’mund të thoni për akuzat në lidhje me favorizimet ndaj jush?
– Njerëzit mund të flasin dhe kanë lirinë ta bëjnë. Nuk ndjehesh mirë pasi është mundi ynë që vihet në lojë, por ne vazhdojmë të shohim përpara. Të gjithë i kanë parë se sa shumë na janë mohuar dhe nuk jemi ankuar. Fjalët e njerëzve që nuk kanë lidhje me sportin nuk më shqetësojnë. Ata vazhdojnë me llafe, ndërsa ne kërkojmë më të mirën për ekipin dhe për vete.
– Partizani ka realizuar shumë blerje gjatë këtij viti. A ka qenë e vështirë përshtatja?
– Të gjithë lojtarët e ardhur janë profesionistë. Ata janë përshtatur shpejt, por është e vërtetë se nuk është e lehtë të arrish më të mirën në kaq pak kohë.
– Ju thoni se më e mira e Partizanit akoma nuk ka ardhur…
– Sigurisht, me kalimin e kohës do ta njohim më mirë njëri-tjetrin dhe do të krijojmë më shumë kompaktësi.
– Për të kaluar te jeta juaj private…
– Jo, jo (qesh), mbesim vetëm në kuadrin e futbollit, nuk më pëlqen të komentohem për atë që nuk e bëj në fushën e blertë……
(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në gjithë pikat e shitjes në Shqipëri si dhe  në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

P.S për të gjithë tifozët e Tiranës: Hapësira e faqes sportive ishte e dedikuar për të dy ekipet, por ekibi bardheblu nuk i ka lejuar intervistat me lojtarët, pavarësisht miratimit dhe dëshirës së tyre.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *