Urime për ju nga Flamur Bërdëllima:
– 40 vjet martesë! Ngjarje vërtet e gëzuar për ty, Arqile Dhamo. Për këtë më qerase edhe me një kafe te “Pilo Lala”. Gjë fort e rrallë për ty të fusësh doren në xhep, po ja që e bëre. Fundja, një kafe që… Gjithsesi, përtej humorit: Të uroj të festosh edhe 80 vjetorin e martesës. Je familjar, vërtet shumë shumë i rregullt. Urime.
– I dashur Xhep Tabaku! Po të them se prej vitesh e vitesh, nuk jam ndjerë aq i lumtur, se atë ditë, dt. 9/08/2015, kur ti martove djalin e vogël dhe isha edhe unë i ftuar! Çfarë atmosfere njerëzish të çiltër! U kënaqa me Skënderin që kisha pranë. U kënaqa me ato vajzat e bukura dhe… të gjata të gjitha. M’u duk sikur bëhej “Miss-Dushku”. Dhe pastaj, sytë e njomura. Pata një lirim të brendshëm, se m’u kujtua jeta ime. Shkurt, i dashur Xhep, ke hyrë në jetën time për të mos dalë më andej! Të bekoftë Zoti, me sa më shumë nipa e mbesa, nga të dy djemtë. Të përqafoj fort!
– Një nga emrat simbol të Lushnjes, por që e njeh pothuaj gjithë Shqipëria, është pa dyshim Pilo Lala dhe lokalet e tij, sidomos ai te kthesa në Çermë. E kam njohur qëkur punoja shofer. Pastaj i bëmë një teleportret me të paharruarin A. Gurashi. Kisha kohë pa e parë, por ja, e pashë. Si gjithnjë akull i pastër dhe me garuzhden e pilafit plot. Nuk i ndahet punës, sepse ajo e mban gjallë. Vitet kishin bërë të vetën, po ti je kockë e fortë, Pilo. Të uroj nga zemra: U bëfsh 150 vjeç! Të përqafoj fort.
– Të shoh që shfaqesh rregullisht andej nga liqeni, i dashur Arion Sulo, kryeredaktor i gazetës “Mapo”. Shpesh përshëndetemi. Nuk kemi punuar bashkë, por mua intuita më thotë se ai që merret me sport, është patjetër edhe njeri i mirë. Duket si jo shkencore, por unë jam i bindur se njeriu i keq dhe sporti nuk bëhen bashkë. Temë më vete kjo. Unë të uroj nga zemra të mos i ndahesh vrapit nga liqeni, si një investim i sigurt për shëndetin. Të përqafoj dhe të fala “AT” Artur Zhejit, dobësisë time, në atë gazetë.
– Të takova, kur sapo kishe dalë nga një nga ato dyqanet e tua “Elisabeth” (me “Th”) pra. Edhe ti vetë e ke emrin Elisabetë, pavarësisht se të thërrasin “Beti”. Nuk e di ç‘të lidh me Anglinë, me emrat e mbretëreshave të saj. Në fakt, ti për nga zemra ndryshon shumë nga Elisabeta e kohës së Maria Stjuartit. Të pakten, si thotë Cvajgu, ajo ishte aq hipokrite, kurse ti je aq babaxhane, po edhe aq e zgjuar. Është fat që të kam mike, e dashur Beti! Urime.
– I dashur Ilir Trebicka! Në lajmet e datës 10 gusht (po edhe 11), 2015, të pashë krahas me Erion Veliajn, kur flitej për shumë të përfolurin “Bulevard të ri të Tiranës”, rregullimin e lumit me të njëjtin emër etj. Edhe si konsulent po të ishe, më bëhet zemra mal. Por, instinkti më thotë se aty do të punojë edhe firma “Trema-Inxhinerike-2”, që ti drejton. Lus Zotin të jesh kështu, se të gjithë ta njohin atë që quhet “Cilësi e punimeve”. Ndërkohë, të përqafoj fort, se më ka marrë malli!
– I pafjalë me një trup pa pikë dhjami, stërvitet përditë, andej nga palestra natyrore e liqenit. E admiroj, veçmas për disa ushtrime që kërkojnë një përgatitje të përsosur. Quhet Arjan Kalesha. Është durrsak dhe ka qenë atlet. Më ka hyrë fort në zemër edhe për xhentilesën, qytetarinë. Të uroj gjithë të mirat e kësaj jete, koleg i fizkulturës, Arjan Kalesha!
– Të pashë, i njohuri im Armando Bora, se kishe filluar prapë një emision. Këtë radhë tek A1-report, në mos gabohem. Më erdhi mirë që… je në punë, ke një vend pune. Kjo më gëzon. Do të dërgoj skicën e “Konkurs për një vend pune si gazetar”, që ta kuptosh se ku e kam fjalën. Emisione nuk shoh më, po gjithsesi: Urime!
– E nderuar Merita Dyrmishi! Takova një ditë Norën dhe shkëmbyem dy fjalë për ty. Edhe ajo kishte mjaft respekt. Sot, pas afro 35-40 vjetësh, (me ç’pashë në televizor) te ti lodron ende ajo pafajësi dhe ke po ata sy magjikë… Eh! Të uroj fort një jetë të lumtur, në familje dhe kudo!
– Me çiftin Ferruni (Lavdoshin dhe bashkëshorten) prej vitesh ndajmë një respekt reciprok. Kam bërë edhe një emision në radio, diçka edhe kam shkruar. Ndihem mirë që ka njerëz të tillë, “Bio”, në mbrojtje të ambientit, që me guxim ngrihen kundër atyre që ngacmojnë dhe masakrojnë ambientin e gjelbër. Thonë se një gjëmë më pret së shpejti, aty, te hyrja e parkut, te Garda. Lus Zotin “Mos”! Do të dukemi më keq (ju që doni ta bëni) më keq, se ai që sapo ka nxjerrë kokën nga një thes mielli i vjedhur. Po ata po na vjedhin diçka më të madhe: Dinjitetin. Prandaj të lutem Lavdosh, bëj ç‘është e mundur me shoqatën tënde, se shtatori erdhi… Të përqafoj fort, mik i mrekullueshëm, edhe pse më shpesh takoj bashkëshorten tënde, me ata sy aq të bukur dhe humorin fin!
– Unë shkova të çoj ca zarfa, kur dobësia ime (dhe shoqja jote) më tha: “Sot Helga lindi”. Të uroj nga zemra. Hajde Helga, hajde, çun Tirane 4 kg. Fëmija i tretë. “Marshallah”, thuhet në këto raste. Do Zoti që sa më shpejt për të tilla sebepe të uroj edhe zonjushën Paja! Urime!
– Të pashë kur tërhoqe vëmendjen për konstituimin e Këshillit Bashkiak, i dashur Paulin. Ah, sa do të doja që këtë 4 vjeçar, Shkodra e shtrenjtë e shqiptarëve të dilte nga bataku i papunësisë ekstreme dhe fukarallëkut. Përqafime, i dashur prefekt dhe miku im, Paulin Radovani!
– Do ta mbyll me ty, i dashur Safet Gjici, që të dua si vëlla. Duke qenë mirë e bukur, një (apo disa) të çmendur të bënë atë që bënë në stadium. Po ti nuk tërhiqesh. Ta njoh mirë karakterin. Madje edhe kur Bashkinë nuk e ke me vete nga ana financiare. Mora edhe Hasan Likën, tani. Të përqafoj si vëlla dhe përpara, i dashur Safet, ti dhe ekipi i Kukësit.
– Nuk të njoh nga afër, i dashur Armando Cungu, po fitorja e superkupës, solli aq gëzim në Laç, në atë qytet, që nuk ke ku e kap, nga hallet e shumta. Prandaj, këto raste, sjellin një gëzim njerëzor, pak shpresë, diçka pozitive, përfundimisht. Si gazetar dhe shkrimtar, i përgëzoj fort edhe djemtë që drejton, sepse kanë një karakter të hekurt. E theksoj: Të hekurt. Urime nga zemra!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *