Përshëndetje! Me rastin e 33 vjetorit me 16 gusht, i bëjmë vajzës, motrës, mbesës sonë Etleva Agalliu Topçiu këtë urim special. Familja e saj, mami, babi, vëllai, motra dhe në veçanti, një urim special ia dërgon tezja e saj, Lindita, me fëmijët e saj. Edhe 100 Eva! Zoti qoftë me ty!

Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Këto urime po i shkruaj me ndihmën e një palë syzeve të reja optike. Nuk janë me bisht floriri dhe s’kanë pse të jenë, por… janë kaq qetësuese. Si ka mundësi të jenë kaq të papërgjegjshëm ata okulistë në autostradë, që më siguruan se syzet (e mëparshme) ishin… top fare?! O Zot! Ato luanin nga 1.5 deri në 2 numra! Çfarë të them për ju o faqezinj, që për lekë e qërroni tjetrin? Dhe pastaj vizita tek Akile Zisi, me kohën e plotë, me aparate të shkollës së fundit. Dhe ja, tani them: u bëfsh 100 vjeç Akil! Më shpëtove sytë e ballit, sytë e punës! Urime dhe puthi fort gocat!
– Këtë urim e kam për një vajzë me emrin Polikseni nga Gjirokastra. Punon farmaciste, këtu, te “Tuneli” i themi ne, afër shtëpisë time. Historia fillon me këtë vapë llahtari. Vazhdon me sqetullat e mia. Kënga thotë “Karafil i kuq si gjaku”. Ashtu m’u bënë. Ah, moj vapë, që solle djersën. Kënga thotë “faqekuqja porsi mollë”. Mua nuk m’u bënë mollët, po sqetullat të kuqe… Dhe… dhe çfarë thoni ju? Vu, antidjersa! Në këtë kohë, me atë kohë. Me atë shije, me këtë shije. Paratë… vu! Vazhdova me… niseshte. Vu! Sa për 10 bakllava. Kuq dhe kuq… dhe gjumi… huq. Pastaj, familja. Mirëpo, me kë e ke! Vu e vu e kuqja. Vu lule basani! Vu vaj! Antidjersë prapë. Kur, një ditë kjo vajzë gjirokastrite më tha: “Ke myk, nga vapa” dhe më dha kenakomb. Mua m’u duk si “Kena Atdhe”. Ej, Zot, qofsh e bekuar o vajzë e Poliksenit që me të parën më ndihmove. Për ju të tjerët, ç’të them? Po them “vu e vu”… për pudrën që më hëngri të gjitha lekët që do t’ia jepja Sarës, meqë mbaroi me të gjitha 10-ta vitin e parë. Po, kismet… dhe urime!
– Dikur e dikur, kur punoja te Vizion +, më pëlqente të të shikoja se ti i ngjaje fort një tjetër Enkelede, edhe ajo gazetare. Tani, atë e kam harruar. Pra, kam ndjekur ecurinë tënde si gazetare e kulturës te Klani dhe të përgëzoj nga zemra, Enkeleda Mema. Ke fituar një siguri mahnitëse dhe një renditje të pyetjeve me një logjikë bindëse. Urime pra, moj goce Tirone!
– Ndihem profesionalisht fajtor që nuk të kam takuar ende, e nderuara Zhaneta Saliu. Ti, çame e bukur që je simbol i këmbënguljes për jetën. Biznesmene, nënë, pedagoge te shokët e mi, P. Kabo dhe A. Angjeli. Ti, “Nderi i Qytetit” të Durrësit. Ta dish se sa në siklet jam që nuk kam shkruar më parë. Po, jeta ecën, e dashur Zhaneta. Do vijë shpejt një ditë që nuk do të të shoh, vetëm në ekran. Të premtoj!
– E nderuar Fitnete Sula! Edhe pse nuk i miratoj sjelljet e tua, plot nerva dhe lëvizje duarsh (ndonjëherë), unë edhe shumë të tjerë, e dinë se ke një zemër flori. Edhe një herë: Flori, ti moj bijë Burreli! Të respektoj se nuk ke paragjykime, i shpërfill thashethemet dhe je bartëse e një sinqeriteti të kulluar në çdo veprim. Por, “qershia mbi tortë”, janë ato lëvizjet e tua fizkulturore andej nga liqeni. Unë gëzohem për çdo njeri që vjen te liqeni e sidomos për ata që njoh. Të uroj gjithë të mirat, Fitnete!
– Një vajzë trendi, me ca këmbë që më “trondisin” molekulat dhe një dorë, që dikë përshëndet. Pastaj një zë: “hë mo, s’po më njeh, ë?”. Po nga të të njihja moj Hiljana?! Ti, nga e bukur ishe bërë yll. Epo, helbete, mami është alamet parukiereje. Në fakt, edhe alamet femre, po, nejse. Këto radhë i kam për Hiljanën që më kujton një enë kristali, plot rrezëllime. Së pari, nga shpirti. Pa le, tani bën edhe sport. Një Zot e di sa dua të të shoh, jo një vit, as dy, po gjithë jetën e gjatë, shumë të lumtur, e shtrenjta, e veçanta mikja ime Hiljana. Të përqafoj fort!
– I dashur Adi Haxhiymeri! Do ta mbaj mend gjatë datën 5 gusht 2015. Se rrallëherë gjen një njeri që më kupton me të parën. Të kërkova ndihmë për dikë, për të punuar hamall, aty te fabrika e miellit Nr. 1. “Nuk ka rëndësi, quhet punë”, m’u përgjigje. Sa më ngrohu kjo përgjigje! Në përgjithësi, përballë kam njerëz që nuk më kuptojnë as një të tretën e asaj që them, po ja që ka edhe njerëz si ti, i dashur Adi, me mendime të krasitura, që kanë brenda shqetësimin, dhembshurinë, po mbi të gjitha, realizimin. Të uroj fort, i dashur Adi!
– Dhe pastaj, më ra ndërmend: Gazetarja e ardhur rishtas në TVSH, te emisioni i lajmeve, është ish-Miss Tirana, Anjeza Maja (lus Zotin të mos e kem gabim). Po, me njeri tjetër nuk e ngatërroj këtë shou gërl që performonte aq bukur tek Agon Channel. Nuk mund të ngatërrohen ato tipare të karakterit të saj që adhurohen aq shumë, sot e gjithmonë. Pa komplekse, e sinqertë, e kulluar dhe me zërin dhe këmbët magjike. Epo rrofsh, moj Anjeza, që u shfaqe prapë në ekran. Urime!
– Pashë që kishte ardhur nga studimet fetare, djali i Xhavitit, komshiut të mrekullueshëm të katit më sipër. Ata janë si familje praktikatë nga më të devotshmit të fesë islame, po për atë Zot, djali i Xhavitit, është as në këtë fushë. Është mjaft i ri dhe është ai që ka drejtuar faljen e namazit para dy-tre vjetësh në bulevardin e madh të Tiranës. Më i vogël, mund të ketë qenë, po kurrë më shumë se 14-15 vjeç. Jam i sigurtë se ky djalë kaq i edukuar, një ditë do të përfaqësojë një thesar kuptimesh shumë të çmuara për shqiptarët dhe jo vetëm. Jam i bindur dhe e uroj nga zemra. Pa le kur flasin të dy turqisht! Urime pra!
– Unë të ndjek me vemendje ty i dashur Nikolin Jaka, në prononcimet e tua. Të ndjek, pasi e di se “Fuzhnja” jote e mendimit godet në shenjë. Kështu edhe kur debatove në distancë me E. Veliajn dhe the se “Studimi (plani) urbanistik i Tiranës mund të bëhet jo për 1 vit po për 6 muaj. Më pëlqen që je vetvetja, që nuk lëshon zgërdheshje mefistofeliane (demek, kjo, ajo, ajo, nuk bëhet! Jo!) Je objektiv dhe realist, e jo kritik i sëmurë! Të uroj fort nga zemra!
– I dashur Petrit Shehu (po edhe ti Kujtim)! Besoj e di vargun e asaj këngës që thotë: “M’u te pusi që lahet vetë”. Aty tek ai pus në Elbasan (po edhe gjetkë) ndodh një dukuri që quhet “mbushje karteziane”. Kur kalon ca kohë, edhe “pusi” i mallit tim mbushet për ju, për të gjithë aty te “dyert e blinduara” sepse jeni njerëz me “Nj” të madhe. Dhe për mua, kjo mjafton, të ulem dhe të shkruaj një fjalë zemre: “Ju përqafoj fort, miq të mitë”.
– Në qoftë se shpirti yt do të kishte trajtën e e një Alfabeti, në fillim unë do të lexoja germën “H”, i dashur Kadri Morina president i “Eurosig” dhe pastaj me radhë gërmat e tjera, që plotësojnë fjalën “Humanizëm”. 100 dollare për të aksidentuarit, dreka për Papa Françeskun, bustet e Ismail Qemalit dhe Nënë Terezës, në Bukuresht (Rumani) dhe Kosovë. Çfarë fitimi material ke ti nga këto? Çfarë të shtyn? Unë të njoh more Kadri dhe prandaj të dua: Je human i lindur dhe pikë! Ky është shpjegimi. Kështu mbetsh përherë!
– E çlirët dhe vetëm e tillë, ti e dashur Dhurata Meksi. Ka parë ky popull (dhe ndoshta sheh) gra kryeministrash apo “të mëdhenjsh” të tjerë me mosha të tmerrshme, me shtirje dhe shtrëngime të lehta (vetëm të tilla) prej Jude. Për atë Zot, të gjithë ata që të njohin që në uzinë dhe sot që je bërë gjyshe, thonë se kështu ke qenë: baballëk. A e sheh, e dashur Dhurata, sa i vyer është respekti i “njerëzve? Pikërisht se ti, gruaja e njërit prej kryeministrave më të kulturuar të Shqipërisë, je kaq e thjeshtë dhe gjithë humor madje. Të përqafoj si motër, e dashur Dhurata. Ma puth fort Leken, se më ka marrë shumë malli!
– Ekipi i Skënderbeut i vuri vulën në ndeshjen me Moldavinë. Çfarë imazhi pozitiv për gjithë shqiptarët! Ç’të them unë për ty, Adrian Take? Një ndeshje e përsosur me të gjitha hollësitë. Nuk e di ku do ta pimë kafen: Te “Tropikali”, apo “Sheratoni”? Ç’rëndësi ka! Tani përpara, ti njeri i mrekullueshëm, që bëre kaq shumë, për atë, me të vyerën gjë: Imazhin e Shqipërisë. Të përqafoj fort.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *