– Jam Ibrahimi nga rrethi i Shkodrës, 80 vjeç dhe në gjendje të mirë shëndetësore, nuk vuaj nga asnjë sëmundje. Ka një vit që në buzën e poshtme më ka dalë një shenjë pak e zezë, pak e rrumbullakët, sa një kokërr gruri. As nuk ka kruajtje, as nuk ka dhimbje, as nuk shtohet, as nuk pakësohet, veç nga pamja duket keq në mes të buzës poshtë. Rrallë nxjerr një lëkurë fare të hollë. Jam mjekuar me tablet Acyclostad Sta Da 2 gr. Activ ingredient scyclovit për herpes labialis. Ky mjekim pas 10 ditëve e pakësoi, por përsëri nuk është hequr. Ju lutem, më ndihmoni nga larg, me çfarë mund ta mjekoj? Mundësisht, ma dërgoni përgjigjen sa më shpejt se jam shumë i shqetësuar. Me respekt, Ibrahimi.
Dr. Albana Lufi, Ph.D në dermatologji: – I nderuar zoti Ibrahim, së pari ju përshëndes dhe të shkuara. Përsa i përket problemit tuaj, ju këshilloj të drejtoheni te mjeku dermatolog për ta parë nga afër problemin që keni. Herpesi labial (në buzë) nuk mund të zgjasë kaq shumë (rreth një vit). Herpesi fillimisht jep djegie e skuqje të lehtë dhe pas dy ditëve shfaqen vezikula të vogla të grupuara. Herpesi shërohet pas një jave ose 10 ditëve. Rënia e imunitetit të organizmit, periudhat e nxehta (rrezatimi i fuqishëm diellor) ose të ftohta të vitit, stresi ose përdorimi i medikamenteve të ndryshme, ndikojnë në riaktivizimin e herpesit, por shërimi është i shpejtë.
– Në këtë rast, mendoj se është e nevojshme edhe bërja e dermatoskopisë për të marrë informacion më të gjerë rreth problemit tuaj dhe mënyrës së trajtimit. Mos e zgjasni më shumë, por shkoni drejtpërsëdrejti te mjeku dermatolog që të bëni analizat dhe të merrni mjekimin e duhur.
Advertisement