Jemi në ditët e fundit të verës… Pushimet mbaruan. Dikush do të dëshironte që të zgjasnin më shumë se nuk ka marrë ngjyrën e duhur, dikush tjetër se nuk bëri selfien në vendin e preferuar apo dikush, se i pëlqen çdo gjë që sjell stina e pushimeve. Gjatë këtyre ditëve të nxehta, ju kemi freskuar sadopak me intervista personazhesh të zgjedhur ku kemi folur vetëm për pushimet e tyre. Këtë rubrikë po e mbyllim me një vajzë bukuroshe, të ëmbël, të dashur dhe që… e dashuron detin! Bashkë me Eva Muratin le të eksplorojmë pushimet e saj të kësaj vere…

Mia Buci: – Eva, pushimet këtë vit i bëre në Shqipëri apo jashtë?
Eva Murati: – Pushimet i kalova në udhëtim. Eksplorova gjithë bregdetin e Dalmacisë deri në Zardar. Bëja ndalesa në vendet që më pëlqenin më shumë, për të mos u kushtëzuar në një vend të vetëm. Më lodh monotonia që fatkeqësisht kap të gjithë gjatë vitit, prandaj pushime të tilla, në udhëtim, janë ato që më pëlqejnë më shumë. (Buzëqesh)
– Cili është vendi i pushimeve që nuk e tradhton kurrë?
– Kisha qenë edhe më përpara në Mal të Zi dhe Kroaci. Çmimet janë të pranueshme, shërbimi shumë i mirë dhe ambientet të pastra. Ia rekomandoj gjithkujt që nuk do të shpenzojë shumë.
– Nëse tani mbyll sytë dhe mendon për këto ditë relaksi, cilat do të ishin ndjesitë?
– (Buzëqesh) Çlirim nga stresi i mbledhur gjatë vitit, lumturi për shijimin e ditës me celular fikur, mirënjohje ndaj Zotit për këto ditë të bukura.
– Pushimet ishin me shoqërinë apo me Adamin tënd?
– Me shoqërinë dhe Adamin. (Buzëqesh)
– Çfarë do të t’i bënte të bezdisshme pushimet?
– Mospatja e librit të duhur me vete ose ndonjë tip i bezdisur që i bashkohet rastësisht grupit.
– Çfarë mban mend nga pushimet që bëje kur ishe fëmijë?
– Familja ime ka qenë ndër të parat që ka patur shtëpi në fshatin turistik në Golem. Atëherë mundësia për të bërë pushime ishte më e vogël, prandaj mblidheshim të gjithë kushërinjtë së bashku. Mbaj mend që bëheshim shumë fëmijë të moshave të ndryshme dhe argëtoheshim shumë. (Qesh) Gjithë dita kalonte lumturisht në det duke luajtur; vetëm netët ishin të vështira. Qëndronim me gjyshërit ngaqë prindërit nuk shkëputeshin dot shpesh nga puna dhe, si më e vogla që isha, vetëm 5 vjeçe, më merrte malli për mamin.
– Të kanë bërë përshtypje edhe ty këtë vit ankesat e qytetarëve për çmimet e kripura, veçanërisht në bregdet?
– Të them të drejtën, jam shokuar nga ato që kam dëgjuar. Mendoj se banorët e zonave turistike përfitojnë nga bukuria e pafundme natyrore që Zoti i ka falur Shqipërisë. Aq larg ka shkuar babëzia e disa pronarëve sa duan të zhvatin edhe qindarkën e fundit të turistëve, për të nxjerrë në tre muaj, fitimin e një viti.
– Cila ka qenë shuma më e madhe që ke shpenzuar për pushimet?
– Ndërkohë që isha me pushime, shihja gjatë gjithë kohës në rrjete sociale “revoltën” e qytetarëve që kishin pushuar në Shqipëri, sidomos në Jug. Çmime të tilla, mbi të gjitha, nëse nuk shkoqërohen me shërbimin dhe pastërtinë e vendit, do të vazhdojnë të bien në kurriz të turistëve dhe do të përballemi me të kundërtën e ardhjes masive për pushime në këto zona. Qytetarët do të sensibilizohen dhe do të zgjedhin t’i harxhojnë diku tjetër paratë e pushimeve, diku ku ofrohen më tepër mundësi. Do të ndodhë efekti bumerang dhe në këto zona do të ketë rënie masive të numrit të turistëve. Prandaj, është shteti ai që duhet të ndërhyjë, pasi pavarësisht pronësisë, ai bregdet na përket të gjithëve.
– Çfarë ngjarjeje interesante i ka shoqëruar pushimet e tua këtë herë?
– Do të ishte e vështirë të përzgjidhja njërën.
– Zgjedh shkuma parti me muzikë të lartë apo thjesht shezlong, det, not, muzikë me kufje dhe pamje të bukur?
– Kjo pyetje më kujton shumë debate të kësaj vere. Shumica e të rinjve duan të bëjnë festa të çmendura me shkuma parti e të argëtohen me muzikë të lartë. Nuk e konceptoj kështu pushimin. Kalojmë nëpër aq shumë strese dhe kakofoni zhurmash gjatë vitit, prandaj për pushime dua “të arratisem” në një vend sa më të qetë.
– Me ç’lloj noti ke mësuar për herë të parë të notosh?
– (Qesh) Jam fanse e stilit bretkosë. Është i qetë, pa shumë pllaqurina që mund të bezdisin të tjerët dhe i shpejtë.
– Je edhe një zhytëse e mirë?
– Gjatë pushimeve, zhytja është një nga veprimtaritë që më jep më shumë kënaqësi.
– Çfarë të ngjall më shumë kuriozitet nga bota nënujore?
– Larmia, sidomos në vendet ku fauna dhe flora është vërtet e pasur. Në vende të tilla argëtohesh edhe me mjete zhytëse, joprofesionale. Sheh lloje të ndryshme peshqish dhe bimësh që të bëjnë të mendosh për mrekullitë e mistershme të detit.
– Nëse do të ishe një nga vajzat e “Bayvvatch”, me siguri, shumë djem do të bënin sikur po mbyteshin, vetëm e vetëm që t’i shpetoje ti. Në një rast të tillë, cili do ishte reagimi yt?
– Duke patur parasysh karakterin që kam, do sulesha menjëherë për të dhënë ndihmën. Pastaj, me zbulimin e lojës, do të qeshja më këtë rreng.
– Gjatë sezonit të verës, një rëndësi e veçantë u jepet edhe linjave të trupit. Ti, çfarë bën që je kaq në formë?
– Qëndroj aktive! Nuk ka rëndësi nëse je në palestër, apo jo. Nëse gjatë ditës arrin të djegësh të gjitha kaloritë që ke marrë nga ushqimi i konsumuar, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
– Nëse shton në peshë gjatë pushimeve, stresohesh apo e merr me sportivitet?
– Me sportivitet, sigurisht! (Buzëqesh) Nuk kam qenë kurrë fanse e dietave drastike. Mendoj se Zoti na ka dhuruar disa kënaqësi që mund t’i provojmë falas. Një prej tyre është edhe shijimi i ushqimit. Nuk i kuptoj njerëzit që e privojnë veten nga kjo kënaqësi!
– Këtë vit, tendenca e vajzave në foto kanë qenë “belfiet”… Për ty, më mirë një selfie apo një belfie?
– Disa tendenca nuk i kuptoj përse përqafohen kaq masivisht nga njerëzit dhe belfie është një ndër to. Më duket shumë vulgare.
– Do të preferoje një darkë në një restorant me pamje nga deti apo thjesht një Nescafe në breg, në shoqërinë e detit?
– Për sa kohë jam në shoqëri të mirë, nuk ka rëndësi vendi.
– Pija që ta shuan më tepër etjen?
– I alternoj, pasi nuk qëndroj gjatë me një shije. Coca-cola me reklamën #dhuronjëputhje, ka dominuar këtë verë. Mezi prita sa gjeta emrin tim në njërën prej kanaçeve.
– Sa herë je në plazh, lexon apo luan?
– Varet nga situata. Zakonisht lexoj, por nëse më rastis të gjendem me një grup të shkathët, luaj, kryesisht volejboll.
– Veshja jote tipike dhe më komode që mban gjatë stinës së verës…
– Fustan i freskët dhe sandale të sheshta.
– Sa kohë përpara fillon t’i ideosh pushimet e tua?
– Shumica e ideve lindin spontanisht, kur dëgjoj dikë se ka patur një eksperiencë pozitive diku ose destinacioni i ndonjë libri a filmi që më ka kuriozuar.
– Çfarë të ndodh të harrosh më shpesh?
– Zakonisht, paketohem shumë shpejt. (Buzëqesh) Udhëtimet e shpeshta më kanë mësuar të marr me vete vetëm gjërat e domosdoshme, prandaj nuk ngarkohem shumë.
– Të mjaftojne pushimet në det apo i alternon edhe me pushime në mal?
– E kam menduar veten si “vajzë deti” pasi jam përjetësisht e dashuruar me plazhin. Aty e gjej relaksin, madje e shijoj edhe më tepër në dimër, kur nuk ka këmbë njeriu, pasi kemi fatin ta kemi detin vetëm një orë larg Tiranës. Nuk e kisha menduar kurrë se do të kënaqesha aq shumë në pushimet në mal derisa vizitova Malësinë e Madhe. Aty ke një ndjesi krejt tjetër nga plazhi. Ekziston një qetësi mistike që të bën të ndihesh sikur je ngritur në ajër. Të krijohet përshtypja sikur je brenda “Lahutës së Malësisë” së Gjergj Fishtës dhe në çdo çast, pret zanat dhe orët e malit të dalin. (Buzëqesh)
– Kënga që të ka shoqëruar këtë verë…
– Nuk jam shumë fanse e muzikës moderne, kam gjithmonë USB-në time me vete. Parapëlqej këngët e vjetra, kryesisht ato italiane.
– Nga na vjen përshëndetja jote në këto momente?
– Nga rruga e kthimit për në Tiranë. (Buzëqesh)
– …dhe e mbyllim me një përshkrim të shkurtër të pushimeve të tua këtë vit…
– Të mrekullueshme, relaksuese, të domosdoshme për një fillim me forca të reja. (Buzëqesh)

Zgjedh…
…krem apo vaj?
– Në varësi të ditëve të plazhit. Krem në ditët e para, pastaj vaj.
…plazh me rërë apo me gurë?
– Shqetësimi i vetëm që kam kur zgjedh një plazh, është pastërtia. Më pëlqejnë të dyja rivierat.
…shapka apo sandale?
– Sandale.
…zhytje në det apo xhiro me xhetski?
– Zhytje ne det.
…foto apo video?
– Të dyja. Më pëlqen t’i bëj të përjetshme disa kujtime.
…lojë me letra apo volejboll?
– Volejboll.
…lindjen apo perëndimin e diellit?
– Perëndimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *