– E lexoj rregullisht këtë rubrikë dhe unë dua të di se çfarë duhet të konsumojmë pas një lodhjeje të rëndë fizike? Unë ushtrohem shumë, sidomos në basketboll, por ushtroj dhe sporte të tjera, shkoj edhe në palestër dhe në fund të ditës jam shumë i lodhur. Dua të di se çfarë duhet të konsumoj pas një lodhjeje të tillë fizike? Theksoj që nuk dua të humbas në peshë, përkundrazi, dua të ruaj muskujt e formuar dhe të shtoj në peshë gjithashtu.
Mario instruktor: – Duke qenë se ju ushtroheni kaq shumë, duhet të mbani regjimin e një atleti ose boksieri dhe pas një lodhjeje të tillë, normale që ndiheni të lodhur, pasi trupi juaj ka akumuluar toksinat e lodhjes, të cilat shkaktojnë aciditet në mjedisin e trupit tuaj. Të ushqyerit pas përpjekjeve dhe ushtrimeve intensive jo vetëm që duhet të plotësojë, por edhe duhet të ndihmojë procesin e detoksifikimit të trupit sepse gjatë një lodhjeje fizike, trupi humbet lëngjet, kripërat minerale dhe akumulohen substanca acidike. – Prandaj është e nevojshme që trupi të marrë kripërat minerale, vitaminat, sheqernat, lëngjet e humbura e proteinat për të rikthyer trupin në formën normale dhe me muskuj të tonifikuar. Kështu, menjëherë pas një stërvitjeje të fortë këshillohet pirja e një lëngu që përmban alkalinë, i pasur me kripëra (për të rikthyer mineralet në trup) dhe prej glukozës. Gjithsesi, ne do t’ju japim një listë ushqimesh të cilat kthejnë mbrapsht të gjitha ato që keni humbur gjatë stërvitjes. Lista e frutave dhe perimeve janë: fiq, kajsi të thata, spinaq, rrepa, karota, selino, sallatë jeshile, lëng ananasi, patate, kajsi, lulushtrydhe, lëng domateje, qershi, banane, portokall, domate, lulelakër, pjeshkë, grejfrut, lëng limoni, kërpudha, mollë, dardha, rrush, qumësht, qepë, bizele të freskëta. Ndërsa ushqimet më të mira janë: e verdha e vezës, midhje, lepur, proshutë viçi, mish pule, spageti, makarona, oriz, bukë integrale, djathë dhe çokollatë e zezë. Të kuptohemi, këto që dhashë më sipër janë për një person që nuk do të humbasë peshë, por do të rrisë muskujt dhe të jetë gjithnjë energjik për shkak të sportit që ushtron.