Ajo duket si një pikë e madhe uji, por në realitet, është një tortë. Kjo shpikje japoneze është kaq e brishtë sa duhet të konsumohet brenda 30 minutash nga krijimi i saj, para se të shkrijë! Torta e ujit paraqitet si një pikë e madhe pa ngjyrë, por krijuesit e saj këmbëngulin në faktin se bëhet fjalë për një ëmbëlsirë, më delikatja në botë. Ky krijim i çuditshëm është variant i një ëmbëlsire të njohur japoneze, Shingen Mochi, tortë orizi e mbuluar me kinako (miell soje), së cilës i hidhet shurup sheqeri nga kallami i sheqerit. Tradicionalisht, ajo është me ngjyrë të verdhë, me një konsistencë xhelatinoze dhe të butë.

Në formën e saj të re, Mochi është krejtësisht transparente dhe ka një pamje që të kujton kristalin. Është bërë me ujë që vjen nga malet e Jugut të Japonisë, malet Kaikoma, është lehtësisht e sheqerosur dhe e ngurtësuar aq sa duhet, për t’i dhënë një pamje të përcaktuar. Ja përse quhet Mizu (ujë) Shingen Mochi. Sipas një siti, është kaq e lëmuar sa tretet në gojë, por duhet të nxitoni për ta konsumuar, sepse e ruan formën e saj vetëm 30 minuta para shkrirjes. Nuk mungon edhe mbulimi me kinako dhe shurup.

Mizu Shingen Mochi u prezantua si ëmbëlsirë sezonale gjatë verës së vitit të kaluar, por pati kaq shumë sukses, sa prodhuesit kanë vendosur ta propozojnë edhe këtë vit. Kush e ka provuar, tregon për një ëmbëlsi natyrale të këndshme dhe për një shije me të vërtetë të pabesueshme e të freskët. Ne mendojmë se nuk duhet të ketë shumë ndryshim nga uji me sheqer, por ju… nëse shkoni në Japoni, na tregoni përshtypjet tuaja!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *