E lexuat gazeten Intervista kete jave? Kishte shume intervista interesante apo jo? Por e dini se kishte edhe shume personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ja, disa nga ata…

FILIP ÇAKULI

Sikur të merrnim pjesë në takimin e zotit Rama me gazetarët do të kishim pyetur direkt zotin  Filip Çakuli, por nuk mundëm, Ndaj po e pyesim me anën e gazetës: Vërtet ia ka treguar Edi Ramës këtë barcaletë? Si reagoi ai? Ia mori për ters, e shau, apo vetëm qeshi? Ja, barcaleta:

Në një avion të vogël ishin Barak Obama, Vladimir Putini dhe Edi Rama. Duke ecur, avionit i fiket motori dhe bie në një ishull të vogël ku ishte një bordello. I pari zbret nga aeroplani Obama. Futet në bordello dhe i kërkon pronares së saj që të flasë pak në telefon. Flet disa minuta me CIA-n, ata lokalizojnë menjëherë vendin ku ishte Obama dhe i nisin shpejt një helikopter. Ai pyet sa kushton telefonata, paguan aq sa i thonë, 1000 euro dhe del. Pas tij futet Putini, flet nja 5 minuta me KGB-në, duke i shpjeguar ku është dhe del. Pagesa: 1500 euro. Pas tij, futet Rama. Kërkon Niko Peleshin, nuk e gjen. As Mimi Kodheli nuk përgjigjet, Sajmja ka mbyllur telefonin… Nejse, përpiqet me nurma të tjerë dhe pas gjysëm ore, del nga zyra ku ishte telefoni. “5 euro”, i thotë pronarja e bordellos. Obama dhe Putini zgurdullojnë sytë. “Si shpjegohet i thonë, zoti Rama foli gjysëm ore dhe pagoi shumë më pak se ne?!”. “Aaaa, u tha pronarja, po ai bëri thirrje brenda grupit, nga bordelloja në bordello…”

 

SAJMIR TAHIRI

Para vitit të ri, deshëm t’i merrnim një intervistë edhe zotit Sajmir Tahiri, Ministrit të Brendshëm. Deshëm ta pyesnim për një fakt që e mësuam këtë javë dhe që na duket skandaloz. A e di zoti Tahiri që shumë nga oficerët e policisë gjyqësore anembanë vendit janë me shkollë të mesme?! A e di ai se kusht për t’u bërë oficer i policisë gjyqësore në Shqipëri, nuk është arsimi i lartë juridik, madje as arsimi i lartë, por vetëm ai i mesëm dhe… patenta e makinës?! Për të sqaruar lexuesit, po shpjegojmë se oficerët e policisë gjyqësore janë ata që zhvillojnë hetimet, që zbulojnë krimet e ndryshme, hetuesit, siç jemi mësuar t’i quajmë. Imagjinoni se si mund t’i zbulojnë ata krimet, kur nuk kanë patur aftësinë të mbarojnë shkollën e lartë! A e di zoti Tahiri se ky, sipas specialistëve, është një nga shkaqet pse ende ka shumë krime të pazbuluara, sepse kriminelët shpeshherë janë më të zot se zbuluesit e tyre? Shpresojmë që, nëse nuk e di, të lexojë këtë shënim dhe vitin tjetër të bëjë diçka. Është shumë e thjeshtë: Mjafton të shfuqizojë urdhërin e përbashkët të Ina Ramës e Bujar Nishanit kur ishte Ministër i Brendshëm, për kalimin e hetimit nga oficerët e policisë gjyqësore të prokurorisë, te policët e komisariateve…

 

ILIR META

Këtë fundviti,deshëm të intervistojmë Kryetarin e Kuvendit, zotin Ilir Meta. Deshëm ta pyesnim në lidhje me aprovimin e ligjit për rritjen e rrogave të tyre, që deputetët ia bënë vetes si dhuratë për këtë fundviti, si dhe reagimin që ka ngjallur në popull ky ligj. E ka dëgjuar ai ç’thonë njerëzit: “Këtyre nuk u mjafton që na e hipin sa herë të duan, por këtë javë na kërkuan t’u paguajmë edhe perzervativët!”? E ka dëgjuar ai që në rrjetet sociale, pas këtij vendimi, deputetët kanë marrë shumë urime që nga: “I bëfshi ilaçe ato lekë!” e deri tek “I harxhofshi për Viagra!”?

Dhe, pyetja e fundit që do të donim t’i bënim zotit Meta, ishte: Ka ndonjë lidhje rritja e rrogave të deputetëve me rritjen e çmimit të energjisë për popullin? Mos vallë me lekët që do të merren nga energjia, do të paguhen rrogat e dietat e deputetëve?

 

LULZIM BASHA

Nuk takuam dot këtë fundjavë as Lulzim Bashën, kryetarin e PD-së, që ta pyesnim pak për kthimin në parlament. Mos vallë bojkoti i PD-së për gjashtë muaj me radhë kishte qenë “boj kot” e jo bojkot? Mos vallë u kthyen në Parlament vetëm për të ruajtur mandatet e asgjë tjetër? Mos vallë kolegu ynë, Agim Xhafka, kishte të drejtë kur shkruante në Facebook se “Kthimi i PD-së në Parlament = kthim rroge + kthim dashnore”? Të jetë e vërtetë kjo? Nuk e kemi fjalën për Lulin personalisht sepse ai nuk ishte në parlament e nuk mund të akuzohet as për dashnore…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *