Në klipin e saj më të ri ajo na flet për një dashuri ilegale ku përveç titullit të veçantë dhe këngës ndryshe, Arinda vjen edhe me një stil krejt tjetër… Jo më ajo vajza vetëm e qeshur dhe e ëmbël, por pak më rebele dhe dinamike, duke iu përshtatur edhe kontekstit të këngës. Por, pse dashuri ilegale dhe pse këtë herë vendosi të vijë ndryshe Arinda? Këto na i tregon ajo vetë në këtë intervistë…

 

Mia. B: – Arinda, cila është mënyra jote për ta shijuar suksesin e një kënge?

Arinda Gjoni: – Kur nxjerr një produkt në treg dhe shikon që njerëzit e presin aq mirë dhe të vlerësojnë për atë punë që ke bërë. Kjo është pjesa më e bukur e shijimit të suksesit!

– …më thuaj, si po e shijon suksesin e këngës dhe klipit tënd më të fundit “Ilegal”?

– (Buzëqesh) Po marr shumë dedikime nga fansat e dhe më lumturon çdo detaj që më përcjellin përmes videove dhe fotove që më dërgojnë. Kjo është pjesa e parë e suksesit që po shijoj. (Buzëqesh)

– Pse “Ilegal”?

– Sepse pikë së pari doja të vija pak ndryshe kësaj radhe, nuk doja të isha ajo vajza vetëm e qeshur, e ëmbël, por pak më “rebele”, më dinamike. Së dyti, kënga kishte kontekst dinamik dhe si rrjedhojë, donte edhe një titull dinamik, që t’i përshtatej sepse në këngë bëhet fjalë për shumë gjëra, nuk ka një kontekst të caktuar. Idea është jeta e natës, ato gjërat që ndodhin kur të rinjtë duan të shijojnë jetën.

– Çfarë quan ti një dashuri ilegale?

– Kur dy të rinj mund të dalin fshehurazi, gjë që ndodh mes adoleshentëve. Dashuria nuk është asnjëherë ilegale, por e thënë në këtë mënyrë, duket më shumë gazmore.

– Çfarë po i shijon më shumë muzikës?

– Po shijoj gjithçka; vlerësimin e njerëzve, atë që më jep sadisfaksionin më të madh. (Buzëqesh)

– Për çfarë të merr malli herë pas here?

– (Qesh) Kam një motër të vogël për të cilën më merr malli në çdo moment të ditës. (Qesh)

– Suksesin e këngëve të tua e teston më mirë me publikimin e klipeve apo me vlerësimet nëpër festivale?

– Mendoj se është e njëjta gjë sepse publiku është ai që ta shikon këngën, si në video ashtu edhe në festival, por mendoj se në festivale mund të tregosh vlera vokale më shumë sesa në video ku mund të komercializohesh për shkak të kërkesës…

– Meqë jemi këtu… pas pak muajsh starton edhe festivali Kënga Magjike. Ke menduar të jesh pjesë e tij këtë herë?

– Meqë jemi edhe meqë më pyete ekskluzivisht për “Intervistën” (qesh), do të jem konkurrente në Kënga Magjike  për arsyen më të madhe, se sivjet do jetë live dhe është ajo që dua unë, të jap emocion live.

– Muzika, duket se zë pjesën më të madhe të kohës tënde… po pjesën tjetër të ditës, si e kalon?

– Me familjen, shoqërinë, aktivitet fizik që më pëlqen shumë, varet si të marrë intensiteti i ditës. (Buzëqesh)

– A është Arinda ajo vajza që i pëlqen të bëjë shopping pa fund, të frekuentojë rregullisht qendrat estetike, që mendon gjatë gjithë natës se çfarë do të veshë të nesërmen?

– Tipike! (Qesh) Okej, më pëlqen të jem e kuruar në çdo detaj dhe të kujdesem për lukun, për veshjet. E kam në gjak, mund të them, por me shumë sportivitet në vetvete, pa u bërë koketë. (Qesh)

– Shumë nga kolegët e tu kanë realizuar këngë patriotike për Shqipërinë. Ti vetë, e sheh këtë si një strategji komerciale për sukses?

– Është kjo tendenca që të prekësh aty ku janë “telat më të hollë” që të bësh përshtypje. Për momentin, është kjo e patriotizmit dhe njerëzit kjo i emocionon. Pse jo, kjo është mundësi për t’u shfrytëzuar!

– Një veprim që ke bërë apo do të bëje për të treguar patriotizmin…

– Nëse ndihesh e tillë, është mjaftueshëm, mendoj! (Buzëqesh)

– Pjesa jote më delikate…

– Familja.

– Çfarë ke hedhur nga gjërat e tua kohët e fundit?

– Një orë dore.

– Përveç alarmit, çfarë të zgjon në mëngjes për të filluar një ditë të re?

– E marr me pozitivitet çdo gjë dhe kjo më ndihmon të zgjohem me idenë e mirë që gjërat do shkojnë ashtu siç dua unë. Kjo më jep shumë optimizëm për ta nisur ditën!

 – Kush është 24 orë me Arindën?

– Nuk më ndodh të jem me asnjë 24 me 24. (Qesh)

– Çfarë ke bërë mbrëmë?

– Darkova me një mike me të cilën kisha vite pa u takuar.

– Si fle Arinda?

– Në mënyrë shumë të çrregullt, përmbys. (Qesh)

– Miqësia mes llojit, në këtë rast mes artistësh, funksionon apo ambicia e vret atë?

– Varet, ka që edhe i vret. Unë nuk e dëmtoj veten në këtë aspekt. Mendoj se nëse je artist i vërtetë, askush nuk ta merr suksesin tënd!

– Sa kohë të duhet të mësohesh me ndryshimet?

– Deri tani nuk jam përballur me ndonjë ndryshim drastik, por përshtatem shpejt…

– Cili ka qenë ndryshimi më i madh në jetën tënde?

– Më kanë ardhur shumë natyrshëm, nuk kam patur ndonjë që ta etiketoja të tillë!

– Si do ta nisësh ditën nesër?

– Nesër kam disa takime me menaxherët e mi. Është koha për koncerte! (Buzëqesh)

– Çfarë do t’i pasojë projektet e tua?

– Do ketë shumë surpriza. Ky është vetëm 10%-i im.

 

 

 

Hera e fundit që…

…more një mesazh?

– Tani. (Qesh)

…ke kërcyer?

– Kërcej edhe nëpër shtëpi. (Qesh)

…ke vjedhur diçka?

– Kurrë! Është gjesti më i ulët.

…ke kënduar këngën tënde?

– Para një jave në Top Shou Magazine.

…je zënë me dikë?

– Jam impulsive. Nuk zihem, ama zërin e ngre ndonjëherë. (Qesh)

…ke përqafuar?

– Patjetër që përqafojmë njerëzit që duam dhe na rrinë pranë. (Buzëqesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *