Ka zgjedhur të vijë për publikun me ato që, siç shprehet ai vetë, janë “fjalë të pakonsumuara”, siç është për shembull “Morphine”. Teksti, kënga, klipi, interpretimi i Ergi Dinit, erdhi bujshëm, ashtu siç ai kishte premtuar pas fitores së “X Factor Albania 3”. Vëllai i vogël i Barbanës, e cila e mbështet në çdo moment, është nga ata djem simpatikë, interesantë e trendy, që dinë të vijnë këndshëm edhe pa shumë fjalë, por me shumë batuta dhe… me mençuri, sigurisht!

 

Fabjola Kuburi: – Ç’lidhje ka Ergi Dini me morfinën?

Ergi Dini: – Qëllimi ishte të sillja fjalë të pakonsumuara dhe “Morphine” ishte njëra ndër to. Morfina është ilaç për dhimbjet, por unë e solla në një mënyrë tjetër, siç e tregon edhe kënga.

– Edhe klipi është me nota të forta… Si arriti ai këtë formë që ne shohim sot?

– Me pasion, vullnet dhe punë. Puna ime u përshtat në mënyrë të përsosur me “Max Production” dhe ky bashkërendim dha këto rezultate.

– Ti je fitues i edicionit të tretë të “X Factor Albania”. Ka ndonjë dallim Ergi i “Morphine” me Ergin e “X Factor”?

– Jo, mes nesh nuk ka asnjë lidhje, përveç faktit që Ergi është në të dyja. (Qesh)

–  Kjo është kënga jote e parë. Mendon se ke qëlluar në shenjë?

– Të qëlluarit në shenjë është çështje këndvështrimesh, të gjithë e shohim ndryshe. Mua më mjafton të bëj atë që dua dhe jam shumë i kënaqur.

– A kanë qenë komplimentet e publikut një mbështetje për sa ke arritur deri tani?

– Në mënyrë absolute, po. Tani kam shumë arsye për ta pritur mëngjesin me padurim.

– Por, ashtu si komplimente, ma merr mendja se do të kesh marrë edhe kritika. Si i ke pritur ato?

– Po të mos kishte kritika, do të shqetësohesha sepse do të mendoja se ka diçka që nuk shkon. Kam qenë i hapur ndaj kritikave dhe do t’i marr në konsideratë ato.

– Në mos gaboj, në klip, ti e krahason vajzën me morfinën…

– Janë që të dyja të gërshetuara me njëra-tjetrën.

– Ti vetë, ke provuar ndonjë substancë narkotike?

– Unë jam vetë ajo. (Qesh)

– Para se të bëhej personazh publik, çfarë bënte Ergi Dini me jetën e tij?

– Nuk ka asnjë ndryshim tek unë nga njëra kohë te tjetra. Jam po i njëjti!

– Cilën shikon ti si bazën e suksesit tënd?

– Egon, vullnetin dhe muzikën e mirë.

– Ti je vëllai i Barbana Dinit, një këngëtare që publiku e do dhe e kërkon gjithmonë. Nuk do të të pyesim sa të ka mbështetur Barbana sepse është pyetje retorike, por do të donim të dinim, si është Barbana me ty, e rreptë apo tolerante?

–  Barbana… të dyja nga pak. Kërkon shumë nga unë dhe në të njëjtën kohë, ka shumë besim tek unë.

– Cila është këshilla më e vlefshme që të ka dhënë ajo kur ishe në “X Factor” dhe tani, që realizove klipin tënd të parë?

– Nuk do të flisja edhe aq për këshilla sesa për diskutime. Diskutime kemi bërë shumë, ama po të filloj të t’i them, nuk do dalin faqet për të shkruar. (Qesh)

– Tashmë, të gjithë e dimë se publiku të pëlqen… Sipas teje, çfarë shikon ai te ti?

– Kjo është pyetja që unë i bëj vetes dhe përgjigjen e marr çdo ditë nga fansat.

– Ti fitove edicionin e tretë të “X Factor”. Çfarë kujton nga momenti kur dëgjove emrin tënd si fitues?

– Kujtoj gjithmonë ndjenjën e fitores. Jam gati të jap gjithçka që ta ndjej gjithë jetën atë ndjesi.

– A do ta kishe ripërsëritur atë eksperiencë, duke ditur që nuk do të fitoje?

– Absolutisht, jo. Do ta vuaja shumë.

– Ti paske një marrëdhënie shumë të veçantë me fitoren dhe dështimin…

– Për mua, rëndësi ka të fitosh, pavarësisht se çfarë!

– Ju artistët, jeni pothuajse të gjithë miq me të vërtetë apo vetëm në dukje dukeni kështu?

– Miq jemi. Të vërtetë apo jo, atë e dimë vetëm ne dhe ju nuk do ta kuptoni kurrë. (Qesh)

– Si e kujton daljen tënde të parë në skenë?

– Kam qenë në moshë shumë të vogël kur mësova se çfarë janë emocionet, para se t’ua kisha mësuar emrin. (Qesh)

– Nga jeta sentimentale, ç’bëhet?

– Mirë, faleminderit. Ju? (Qesh)

– A gjen defekte në punën tënde?

– Sigurisht që po. Të gjesh defekte do të thotë të jesh i bekuar dhe me fat, që punën tënde ta bësh gjithmonë mirë.

– Më thuaj një këngë që do ta përshkruante më mirë gjendjen tënde shpirtërore të momentit?

– “Morphine”, Ergi Dini. (Qesh)

– Ke bërë shumë gabime, edhe pse je i ri në moshë?

– Unë sapo dola në jetë. (Qesh)

– Beson te dashuria me shikim të parë?

– Me shikim të dytë, po, totalisht!

– Po të mos merreshe me muzikë, do merreshe me…

– Do të më pëlqente të isha mjek.

– Si mund të jetë dita jote perfekte?

– Si çdo ditë që kam kaluar deri tani, duke mbajtur me vete dashurinë e familjes dhe muzikën.

– Sipas teje, cila është mosha ideale për t’u martuar?

– 178 vjeç, por meqenëse janë shumë vite dhe mesatarja e jetës së njeriut nuk është aq, do ta hiqja si alternativë. (Qesh)

– Në fund, dua të më thuash, çfarë të ngeli merak nga kjo intervistë që nuk e the dot, ose që unë nuk të pyeta dot?

– Asgjë. Ishte një intervistë që unë e shijova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *