Shtatzënë dhe abort
– Jam shtatzënë dhe shoh shumë shpesh të njëjtën ëndërr, sikur kam babain afër meje. Më pas më bëhet sikur e kam abortuar fëmijën dhe babai më ngushëllon e më jep forcë. Më pas e shoh përsëri veten shtatzënë. Ju lutem, më thoni ç’do të thotë, sepse jam shumë e frikësuar.
– Nuk keni pse të frikësoheni sepse vetëm do t’i bëni dëm shëndetit tuaj. Një femër që është shtatzënë sidomos kur e ka shtatzaninë e parë, shikon pak ëndrra të frikshme sepse është në ankth se si do t’i shkojë ajo. Ëndrra juaj pasqyron ankthin, frikën tuaj dhe shqetësimet në lidhje me shtatzaninë. Figura e babait tregon nevojën tuaj për mbështetje, mbrojtje dhe kurajo. Kërkojeni këtë mbështetje te personat tuaj më të afërt, kryesisht te bashkëshorti dhe te familja. Ndajeni frikën me të tjerët, mos e mbani për vete dhe mundohuni të qetësoheni. Ju uroj shtatzani të mbarë!
Ç’do të thotë numri 3
– Përse shoh shumë shpesh numra në ëndrrat e mia? Çdo gjë e shikoj me shifra dhe të mendosh që nuk jam shumë e lidhur pas numrave. Çfarë tregon numri 3, për shembull, që e shoh më shpesh?
– Nëse nuk ju ka ndodhur në të kaluarën ndonjë ngjarje me datë 3, atëherë ky numër tregon forcën tuaj të brendshme, jetën, kreativitetin dhe vetëbesimin. Treshi i përket triologjisë: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja; trupi, mendja dhe shpirti. Ëndrra do të thotë se te ju, këto janë të koordinuara shumë mirë. Është gjë pozitive të shikosh numra. Ju jeni pak telepatik dhe keni forcë të madhe shpirtërore.