Miq të dashur, dua t`ju rrëfej miqësinë time me krushkën dhe trillimet e saj mbi mua.

Unë jam një zonjë rreth të pesëdhjetave që kurrë në jetën time nuk jam marrë me llafe.

Pak sepse karakteri im nuk e lejonte, por edhe pak sepse burri im ishte shumë strikt dhe i urrente këto gjëra.

Që në fillim, kur u martova, ai ma bëri të qartë se do futesha në një familje të madhe ku vetëm nuse ishim katër dhe unë kurrë s`duhej të përzihesha në muhabete që nuk më takonin. Këtë e vura vath në vesh dhe kurrë nuk tentova të bëja keq me fjalët e mia, vetëm mundohesha që si për kunatat, si për mikeshat e mia, të flisja sa më mirë. Në jetë kalova shumë sfida e shumë pabesi, por këtë që pësova tani në pleqëri, do ta mbaj si mësim për t`ua dhënë të tjerëve. Unë kisha dy djem të cilët më ikën në Itali. Kur i pari u kthye, ishte në moshë për martesë dhe ne të gjithë iu vumë që të martohej medoemos. Ngaqë kishte jetuar jashtë dhe ne donim nuse shqiptare, ma la mua në dorë të zgjidhja një vajzë. Nuk kishte nder më të madh për një nënë sesa të zgjidhte nusen, mirëpo nuk kishte as përgjegjësi më të madhe. Në lagjen tonë kishim shumë vajza që kishin mbaruar shkollën dhe që ishin me të vërtetë të mira. Mua çdo ditë më shkonte syri te një vajzë, nënën e së cilës e njihja nga larg, pasi shiste në një dyqan. Ajo ishte vajzë flori, si nga paraqitja, ashtu edhe nga sjellja. Fola me djalin dhe ia tregova. Ai pranoi dhe më tha se do të kishte qejf që si fillim, ta takonte vetëm për vetëm. Atëhere unë takova të ëmën e cila më priti shumë mirë, më tha se e kishte parë djalin dhe i kishte pëlqyer e më dha numrin e telefonit që të fliste vajza vetë me të. Ashtu u bë. Unë mora numrin dhe ia dhashë djalit. Me pak fjalë, mblesëria u bë edhe çdo gjë shkoi shumë mirë. Krushkën e kisha shumë të dashur, nuk linte ditë pa ardhur për të na vizituar, mirëpo sa herë vinte në shtëpinë tonë, gjente mënyra të ndryshme për të sharë e përgojuar shoqet me të cilat rrinte gjithë ditën. Disa herë më kishte thënë burri im:

– Kësaj nuk është për t`ia hapur derën se na çorientoi nga trutë e kokës!

Sa herë fillonte të fliste për gratë aty në lagje, unë bëja sikur nuk dëgjoja dhe shumë herë i thoja se nuk na duhej gjë, të bënin çfarë të donin. Edhe vajza e vet e kishte kuptuar që na e kishte sjellë në majë të hundës, por nuk kishte çfarë t`i bënte. Shumë herë, kur flisnim me djalin për krushkën, ai thoshte:

– Ajo ngatërron dynjanë moj mami, po hajt më, s`kemi ç`t’i bëjmë!

Në fakt, kur e njoha, mua m’u duk grua e urtë që shikonte punën e vet, po u dashka të hash me një njeri që ta njohësh. U bënë vite që djali im është martuar e tani kanë edhe fëmijë, por mua më bëri krushka një pabesi që është e tmerrshme ta mendosh. Para ca kohësh më kishte treguar për një shoqen e vet që i shkonte në dyqan dhe rrinte me orë të tëra. Më tha: “Vjen aty, ulet në karrige dhe unë në këmbë duke pritur klientë e duke bërë 100 punë, kurse ajo rri gjithë ditën, më mërziti!”. Unë i thashë: “Mos e afro me muhabet”. Një ditë, ajo më erdhi në shtëpi dhe më tha: “Dua të më bësh një nder, o sot, o kurrë! I thashë asaj shoqes: “Më ke futur në ngatërresë me krushkën e dhëndrrin, ndaj mos më eja më në dyqan tani e mbrapa”, kështu që po të erdhi ndonjë fjalë në vesh, unë e kam thënë”. Unë u ndjeva shumë në siklet e i thashë se nuk kishte pse të më përfshinte mua, por m’u lut 100 herë të mos ia nxirrja gënjeshtrën. Gjithë natën nuk më zuri gjumi dhe nuk dija a t`i thoja apo jo burrit se ai do ta merrte shumë keq këtë situatë dhe do të më hapte probleme. Kaluan disa ditë dhe unë ruaja rrugën që të mos e takoja atë gruan se e dija që do të ma thoshte ndonjë fjalë e unë s`do ta doja veten, por nuk kaluan më shumë se tre ditë e vetëm kur më ra dera në darkë. Ne të gjithë po hanim bukë në tryezë dhe u ngrit nusja e hapi derën. Pamë në derë një burrë edhe atë komshien tonë. Nuk kishte turp më të madh sesa kur burri i saj iu drejtua timit:

– Kam ardhur të sqaroj një muhabet familjar me ju sepse gruaja ime nuk merret me llafe dhe unë nuk jam për të më mbyllur dyert mileti!

Burri im shtangu në vend. Ai nuk po kuptonte asgjë. I ftoi të uleshin, por ajo nuk pranoi dhe kërceu duke m’u drejtuar mua me një zë shumë acarues:

– Më thuaj çfarë kam thënë unë për krushkën tënde kur ne s’kemi bërë kurrë muhabet bashkë. Sa e pafytyrë e llafazane paske qenë! – më tha.

Mua sa s`po më binte tavani në kokë. Im shoq vuri buzën në gaz edhe iu drejtua burrit:

– Çfarëdo muhabeti të qe, nuk ishte e nevojshme të vije ti, se gratë i zgjidhin vetë punët e tyre!

Ia ktheu e shoqja: – Unë jam grua me burrë e nuk merrem me llafe. Ato që merren, të dinë t’u bëjnë ballë këtyre situatave!

Aty nuk kishte më vend për fjalë e diskutime, jo “s’e kam thënë” e jo “e kam thënë” dhe faji më mbeti mua. Ata ikën dhe burri më tha: “Turp të të vijë, në këtë moshë merresh me llafe!”. Më ishte nxirë fytyra dhe e dija se sherrin që bëmë ne në shtëpi, ajo do t’ia thoshte gjithë lagjes. Imagjinoja veten me kokë poshtë duke ecur rrugëve. Unë, zonjë e nderuar deri atë ditë, kisha rënë pre e një thashethemnaje që s`po dija t’i dilja në krye. Ditën tjetër erdhi krushka në shtëpi dhe unë gjeta rastin kur ishim vetëm e i thashë që do shkoja ta kapja atë grua e do t’i thoja që çdo gjë ishte e shpikur nga kjo, por ajo filloi të më përgjërohej e të më qante se nuk e kishte menduar që gjërat do shkonin deri këtu. Gjëja që më vret më shumë është se as burri s`më besoi kur ia thashë të vërtetën, bile më tha:

– Shumë mirë ta ka bërë se me siguri i ke dhënë hapësirë për të folur, ndaj ta ka përmendur emrin. Po të ishte ndryshe, do thonte emrin tim!

Që atë ditë unë jam matur me qindra herë t’i them të vërtetën asaj gruaje, mirëpo s`kam mundur pasi krushka ime e dashur filloi të dilte e të rrinte prapë me të. Domethënë, në gjithë këtë histori, unë kisha dalë më e djegura edhe isha përdorur thjesht për të dalë nga situata. Nuk ka turp më të madh për mua! Kjo më bëri të nxjerr një mësim të vlefshëm për jetën dhe të largoj njerëzit që fusin gjithë lagjen në sherr. Në jetë të vikan lloj-lloj situatash dhe duhet të jesh e shkathët që të dalësh e panjollosur. Unë nuk u tregova e shkathët as për të mbrojtur veten, ndaj ende nuk jam e qetë. Ju përshëndes, miqtë e gazetës sepse më duket se vetëm këtu ju ma keni dëgjuar fjalën edhe ndihem pak më e lehtësuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *