EDI RAMA
Nuk e takuam dot këtë javë Kryeministrin tonë. Ishte shumë i zënë me pritjen e homologut të tij serb dhe me fushatën në rrethe. Në fakt, pyetja e parë që deshëm t’i bënim ishte pikërisht për këtë, për fushatën e veçanërisht për fjalën e tij të mbajtur në Librazhd. E dëgjuat të dashur lexues se çfarë u premtoi ai librazhdasve?! As më shumë e as më pak, por një fushë futbolli, jo stadium, por fushë futbolli, si ajo që kanë, por pak më të rehatshme… “A e imagjinoni dot ndonjë kryeministër europian të merret me një fushë futbolli?”, deshëm ta pyesnim zotin Rama. Në një vend normal, me një fushë futbolli nuk merret as kryetari i bashkisë, apo komunës, por ua lë këtë shoqatave rinore, apo sportive. Apo jo, zoti Rama? A nuk ka gjë tjetër të flasë ose të premtojë kryeministri ynë? Nëse s’ka gjë për Librazhdin, le të thotë se ç‘do të bëjë për Shqipërinë. Apo edhe për këtë i janë mbaruar fjalët?
Së dyti, kryeministrin tonë deshëm ta pyesnim edhe për diçka tjetër që na bëri përshtypje këtë javë. Për pallatin 5-katësh përpara Fakultetit të Ekonomisë që u prish nga IKMT-ja. Është e vërtetë se për atë pallat kishte dhënë lejen (në kundërshtim me rregullat) vetë zoti Rama, kur ishte kryetar bashkie? Nëse është kështu dhe nëse pronari fiton gjyqin dhe dëmshpërblehet, kush do t’ia paguajë paratë atij? Ne (me taksat tona), apo zoti Rama?

NIKO PELESHI
Zëvendëskryeministrin, zotin Niko Peleshi, këtë javë deshëm ta intervistonim në lidhje me kullën e Korçës, ose më saktë, në lidhje me deklaratën që bëri ai për t’u para shfajësuar sulmeve të ish-kryeministrit Berisha, se “kulla e Korçës ka kushtuar sa një koncert i Çiljetës që organizonte Berisha në kohën e tij”… Nuk duam të diskutojmë se sa ka kushtuar një koncert i Çiljetës, 2,4 miliardë lekë, sa thuhet se ka kushtuar kulla e Korçës, më pak, apo më shumë, por do deshëm ta pyesnim zotin Peleshi: “Akoma do të vazhdojmë të krahasohemi me të keqen? Akoma do vazhdojmë t’i krahasojmë të këqiat me të këqiat e Berishës, për të parë kush ka gabuar më pak?”. Në vend që të diskutojmë se kush i ka shpërdoruar më keq paratë, ai, apo Berisha, a nuk do të ishte më mirë të pyesnim: A i duhej Korçës ajo kullë? A duhet të ndërtohej ajo, apo një ndërtesë sociale për të pastrehët? A duhet të ndërtohej ajo, apo të rikonstruktohej një çerdhe apo shkollë? A duhej të ngrihej një kullë për të parë Korçën, apo një kullë për të ndihmuar Korçën e rrethinat e saj me ujë të pijshëm?! Nuk është më mirë të bëje këto pyetje e të jepje përgjigje sesa të krahasoje kullën me Çiljetën, zoti Peleshi?

EGLANTINA GJERMENI
Me siguri, edhe ju, të dashur lexues, jeni habitur kur dëgjuat këtë javë lajmin se qeveria në mbledhjen e saj miratoi vendimin për dhënien e 88 hektarëve tokë shtetërore firmës private “VEBO Invest, shpk”, për ngritjen e varrezës private në Paskuqan, sipas propozimit të paraqitur nga kjo firmë Ministrisë së Zhvillimit Urban. Pse qeveria ia dha këtë tokë privatit, ndërkohë që mund t’ia jepte Bashkisë së Tiranës që ta bënte varrezë publike?! Çfarë do të bëjë privati më shumë se shteti për të ngritur një varrezë?! Duhet ndonjë mjeshtësi e madhe për të hapur një varr që varrmihësit e bashkisë nuk e bëkan dot?! Nëse do të bëjë një varrezë private, atëherë pse nuk e blen tokën firma VEBO Invest, por duhet që t’ia falë shteti? Kush fshihet pas kësaj firme që shteti i fal jo vetëm vendin e aktivitetit, por edhe tregun? Pse u zgjodh ajo e nuk u zhvillua një tender për të zgjedhur firmën që do t’i falej toka dhe e drejta për të varrosur njerëz, domethënë për të vjelë lekë prej hallexhinjve? Se dihet se në Tiranë, që tani, në varrezat shtetërore nuk ka më vend… Ja, këto pyetje deshëm t’ia bënim Ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, por nuk ia bëmë dot këtë javë. Shpresojmë që ajo të na përgjigjet javët e ardhshme…

XHELAL MZIU
Nuk mundëm të takonim dot këtë javë as zotin Xhelal Mziu, kryetarin e Bashkisë së Kamzës si dhe kandidat për kryetar në këto zgjedhje lokale. Ai nga PD-ja mbahet si një nga kryetarët e bashkive më të suksesshme të vendit. Pikërisht për punën e tij si kryetar bashkie deshëm ta pyesnim zotin Mziu: Ku qëndron suksesi i tij? Mos ka patur sukses se i ka zgjedhur njerëzit në bazë të kritereve partiake, siç thuhej në një dokument të publikuar këtë javë në shtyp ku ai i shkruante një prindi që kërkonte punë: “Djali juaj nuk ka qenë i angazhuar në fushaten time dhe të PD-së. Uroj që të kontriboni për PD-në… që të kemi arsye për t’ju punësuar”. Ky është kriteri me të cilin zoti Mziu i ka punësuar njerëzit në adminsitratë?

LULZIM BASHA
E keni ndjekur këtë javë fushatën e zotit Lulzim Basha?! I keni dëgjuar fjalimet e tij kur thotë se: “Partia Demokratike, ka ofertën për të nxjerrë vendin nga kriza dhe për të kthyer shpresën. Në 21 qershor, ftoj qytetarët referendumi popullor të miratojnë platformën e taksave të ulëta, uljen e çmimit të energjisë dhe për faljen e kamatë-vonesave, për të rikthyer në listën e ndihmës ekonomike të gjithë ata që janë larguar me të padrejtë dhe këdo tjetër që ka nevojë për të, për subvencione për bujqësinë dhe blegtorët etj etj.”?! A nuk ju është dukur sikur ai po bën fushatë për zgjedhjet parlamentare e jo për ato lokale? E ka të sigurt që do të humbë në këto zgjedhje dhe po punon për katër vjet më vonë, deshëm ta pyesnim zotin Basha, apo është më kollaj kur flet kështu, në përgjithësi, pa u përgatitur në mënyrë të veçantë për secilën bashki ku shkon?

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *