Për të intervistuar zotin Vuçiç, e pata shumë të vështirë. Së pari, se nuk e arrija dot, aq i gjatë ishte. Hipa tre shkallë, por prapë s’munda. Dhe, së dyti, por më kryesorja, përkthyesi shqiptar që kishin marrë ta përkthente, më tepër dinte serbo-kroatisht, sesa shqip. Gjithsesi, më poshtë kam një pjesë të intervistës së tij, të cilën ma dha vetëm mua ekskluzivisht, në anglisht. Bëj me dije se intervista iu mor teksa po lidhte këpucët. Vetëm kështu mund të arrija te goja e tij…

Kaso Kosa: – Zoti Vuçiç, mirë se erdhët në vendin tonë! Desha t’ju pyes se…
Aleksandar Vuçiç: – Kaso, se të njoh mirë, pyetje provokuese do më bësh…
– Aspak zoti Vuçiç. Thjesht desha t’ju pyes; Përse erdhët në Shqipëri?
– Për biznes, Kaso. Vendi ynë është i interesuar për vazhdimin e marrëdhënieve të mira biznesore që kemi pasur deri më tani.
– Më i qartë, zoti Vuçiç…
– Erdha të merrja siguri nga autoritetet tuaja, që mielli serb i destinuar për kafshët, nuk do ketë problem të hyjë në vendin tuaj, Kaso.
– Dhe e morët OK-in?
– Sigurisht, Kaso! M’u premtua se nuk ka bir ashtuje ta ndalojë në doganë, se ndryshe qeveria juaj, ia marton mamanë. Nënshkruam edhe kontratë…
– Me cilën?
– Me qeverinë dhe partitë politike, Kaso. Ti e di që jeni në fushatë zgjedhjesh. Partitë kanë nevojë për të shpërndarë thasë me miell në elektorat.
– Po pra, kemi zgjedhjet…
– Këtu konsistonte edhe marrëveshja jonë, Kaso. Bashkëpunimin më të frytshëm do ta kemi me LSI-në. Me zotin Meta biseduam që ne, si palë serbe, do marrim thasë të qepur në fabrikat shqiptare të fasonëve të cilat po përkrah kaq shumë LSI-ja.
– Po pastaj?
– Thasët do mbushen me miell në Serbi, në fermat tona të kafshëve. Pra, bashkëpunim për një të ardhme më të mirë, Kaso. Tashmë, mielli serb nuk do hyjë më si më parë, në thasë të prodhuara te ne, por te ju. Kupton Kaso?
– Kuptoj zoti Vuçiç. Lum si ne!
– Lum e çfarë lumi Kaso. E meqë më kujtove lumin. Pashë projektin e ishullit të lumit të Oh-Sumës…
– Të Osumit, zoti Vuçiç. Nejse, si ju duk?
– Interesant Kaso! Do e praktikoj në Serbi. Ne meqë det nuk kemi se nuk morëm dot as Shkodrën një shekull më parë, vendosa që lumenjtë t’i mbush me ishuj artificialë. Kështu kënaq edhe nacionalistët serbë, që duan me patjetër ishujt e Kroacisë…
– A diskutuat për Kosovën me zotin Rama, zoti Vuçiç?
– Diskutuam, po. Ai e shante, unë e mburrja.
– Zoti Rama shante Kosovën dhe ju e mburrnit? E çuditshme! Erdhi më në fund dita të flisni mirë për Kosovën? Kjo është shenjë e mirë…
– Sigurisht që do vinte kjo ditë, Kaso. Unë s’kam asgjë kundër Halim Kosovës.
– Zoti Vuçiç, ju pyeta për shtetin e Kosovës, jo për gjinekologun Kosova…
– Unë njoh vetëm një Kosovë, o Kaso. Zotin Halim Kosovën. Për shtetin e Kosovës, s’kam ç’them se i kemi larë duart…
– Por ju në intervista zyrtare thoni që Kosova i përket Serbisë…
– O Kaso, po ç’të them në takimet zyrtare unë!? Në ato, ashtu duhet të them, por ti je shejtan e ta merr atë ide që mendoj, jo atë që them. Ndaj të thashë të vërtetën Kaso, që me Kosovën kemi larë duart…
(Pjesën tjetër të fjalisë së zotit Vuçiç, nuk e dëgjova sepse ai u ngrit në këmbë dhe sa të vinte zëri nga aty lart, poshtë tek unë, iu desh të kalonte 50 cm vijë vertikale dhe fjalët humbën.)

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *