E blete gazeten Intervista sot? Kishte artikuj dhe te intervistuar interesante apo jo? Por e dini se kishte edhe shume te tjere qe nuk arritem t’i intervistonim? Ja, cilet jane ata:

EDI RAMA
Me sa duket, të majtët i ndjekin këmba-këmbës videot e fshehta. Pikërisht për videon e shpërndarë këtë javë, xhiruar në mbledhjen e kryeministrit me veprimtarët e PS-në në Shkodër, deshëm të intervistonim këtë javë zotin Rama. E dëgjuat çfarë tha ai në atë video? “Çdo drejtor, çdo shef, çdo përgjegjës, çdo person që ka marrë një fije pushtet nga PS-ja, duhet të garantojë që do ta ketë prapë më 22 qershor”. Ndaj, të gjithë këtyre drejtorëve, nëndrejtorëve, shefave dhe përgjegjësve, u caktoi detyra konkrete për të garantuar fitoren në zgjedhjet lokale duke i kërcënuar se, në fund fare, në qoftë se rezultati, objektivi, nuk do të arrihet, duhet t’i hapin krahun dikujt tjetër “më të shkathët” për të siguruar vota… Ku shkuan fjalët e zotit Rama se ai nuk i fitoi zgjedhjet për të marrë pushtet, por për të bërë shtet? Ky është shteti që ai kishte ndërmend të bënte?! Me drejtorë të politizuar që ua ka dhënë pushtetin si shpërblim për meritat e tyre partiake e që i kërcënon me largim nga detyra nëse nuk ia shpërblejnë me vota nderin partisë?! Ku shkuan fjalët e tij se Rilindja do të zgjedhë në poste drejtuese më të mirët, më të aftët, pavarësisht nga bindjet politikë, se në gjithë administratën shtetërore drejtuesit do të zgjidhen me konkurs?! Çfarë pyetjesh kanë patur konkurset e atyre drejtorëve që mblodhi Rama në Shkodër këtë javë, vallë? Jemi shumë kuriozë ta dimë…

SALI BERISHA
As ish-kryeminsitrin Berisha nuk e takuam dot këtë javë. Atë deshëm ta pyesnim për fushatën e zgjedhjeve në Tiranë, ku ai po merr pjesë përditë me anën e Facebookut. Në fakt, na tërhoqi vëmendjen statusi i tij i fundit ku shkruante se “Tirana me Dr. Halimin ka shpresë reale!”. Vërtet doktor Halimi mund të bëjë diçka për Tiranën, ka aftësitë dhe ndershmërinë që duhet. Nuk deshëm ta diskutojmë këtë gjë me zotin Berisha. Tjetër gjë deshëm ta pyesnim: A e di ai se Tiranën e ka të paktën “zyrtarisht” PD-ja? Pse shkruan ai se “Tirana po vuan papunësinë e varfërinë, pasigurinë si kudo në Shqipëri për shkak të keqqeverisjes dhe sundimit arbitrar prej dy vitesh nga Edi Rama”. Çfarë do të thotë ai me këtë? Që Lulzim Basha nuk ka punuar këto katër vjet? Apo që Edi Rama nuk e ka lënë atë të punojë, se ka bllokuar fondet etj. etj.? Pse atëherë ka shpresë reale nëse vjen zoti Kosova? Do ta ndihmojë atë zoti Rama? Apo u kujton qytetarëve tiranas që, nëse duan të rregullohet Tirana, të votojnë për zotin Veliaj, se atij ia zhbllokon Rama fondet?

LULZIM BASHA
Më në fund, këtë javë, zoti Lulzim Basha, kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës pranoi të flasë për punën e tij si kryetar bashkie. Dhe arritjen e tij më të madhe quajti faktin se në këto dy vite ka bërë projektin dhe studimin për ndërtimin e tramit. Tani, mbetet vetëm që trami të ndërtohet, ndaj, sipas tij, trami do të jetë gati sapo të kemi një qeveri serioze.
Nuk i duken pak si shumë zotit Basha katër vjet vetëm për studimin e projektimin e tramit? Veç kësaj, kush do ta ndërtonte tramin, sipas zotit Basha, qeveria apo bashkia? Mirë për tramin, ka penguar qeveria, po edhe per parkun e ri, qeveria pengoi? Edhe bulevardin që premtoi ai, qeveria duhet ta bënte? Po ai si kryetar bashkie ç‘duhej të bënte këto katër vjet?

MESILA DODA
Nuk u besuam veshëve kur dëgjuam këtë javë në televizion deputeten demokrate, Mesila Doda, të kritikonte gjuhën që përdor Sali Berisha duke thënë se kësaj gjuhe i ka ikur koha, se kundërshtari politik nuk është armik dhe nuk duhet trajtuar ashtu. Ne e urojmë Mesilën për këto fjalë të drejta, por nuk mund të rrinim pa e pyetur: A nuk ishte ajo që i kërcënoi kundërshtarët e saj se do t’i varte te palmat e kryeministrisë? Qëkur ka ndërruar mendje ajo? Kush e ka zbutur kaq shumë Mesilën?

HASAN HALILAJ
Me siguri, për gjithë lexuesit e gazetës sonë, që nuk janë nga Kukësi, emri i Hasan Halilajt ishte i panjohur. Ai u bë i njohur vetëm pas artikullit të Ben Blushit këtë javë, ku ai përdori shprehjen “Rilindja po “hasanizon” Shqipërinë”. Ai përdori termin “hasanizim”, duke iu referuar kandidatit të së majtës në Kukës, Hasan Halilajt. Të gjithë atyre që nuk e dinë, po u shpjegoj se kandidati i Rilindjes atje është kryetari aktual i bashkisë, i zgjedhur dy herë si përfaqësues i PD-së së qytetit. Hasani kërkon të bëhet për herë të tretë kandidat dhe kryetar i Bashkisë së Kukësit, por këtë herë nga socialistët, kundërshtarët e demokratëve… Pikërisht këtë njeri, zotin Hasan Halilaj, deshëm të merrnim ne në intervistë këtë javë… Deshëm ta pyesnim se ç‘veti të veçantë ka ai që gjithë partitë duan ta kenë kryetar bashkie?! Kaq i zoti është ai?! Kaq mirë ka qeverisur ai në Kukës në këto tetë vite?! Apo ka punuar si agjent i fshehtë i PS-së gjatë kohës që shte zgjedhur nga PD-ja? Mos nuk kishte asnjë socialist apo progresist (siç i quan zoti Rama) të aftë Kukësi, sa u desh të merrej borxh nga PD-ja Hasani? Çfarë ndryshimesh do të bëjë Hasani nëse fiton në këto zgjedhje? Do të zhbëjë ato që ka bërë vetë në këto katër vjet, apo do të vazhdojë të qeverisë si PD-ja?!

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *