Romir Zalla është një star i vërtetë në “Portokalli”, por i tillë ai di të jetë edhe në intyervistën me ne, të cilën e përshkojnë sinqeriteti, humori dhe dashuria për gjithçka që ai bën dhe ka në jetë… Këtë herë, Stari është i ftuari ynë i nderit!

Rita Rrjolli: – Përshëndetje Romir! Si shkuan javët e para në “Portokalli”?
Romir Zalla: – Shkëlqyeshëm. Jam i kënaqur që publiku, jo vetëm ai besnik, na priti mirë qoftë në sallë, qoftë nëpërmjet televizionit.
– I përshkruan dot me fjalë emocionet që përjeton në çdo shfaqje?
– Është emocion shumë i madh. Çdo fillim sezoni, çdo shfaqje e përjetoj si për herë të parë. Kjo për arsyen se kemi shumë përgjegjesi para publikut. Pritshmëria është shumë e madhe, përgatitja është shumë e madhe dhe rezultati duhet të jetë optimal. Kam filluar të flas si Stari edhe në jetë, me fjalë të mëdha. (Qesh)
– Ç’do të ketë të veçantë ky edicion, përveç rikthimit të Xhemit?
– Çdo edicion është i veçantë. Sigurisht, publiku ndoshta pret çudira, gjëra të papara ndonjëherë, por e veçanta e këtij sezoni përveç rikthimit të Xhemi Shehut, që besoj i jep “Portokallisë” më shumë dritë e buzëqeshje, është edhe një imazh shumë familjar për publikun. Ky sezon, si të gjithë të tjerët e ka risinë te qasja e “Portokallisë” me jetën e përditshme, problemet e shqiptareve në të gjitha trojet. Te çdo ngjarje që ndodh në jetën politike, apo sociale, aty do të jetë “Portokallia” me këndvështrimin e saj plot humor, ironi dhe qëndrimin e një shoqërie të shëndoshë civile. Kjo ka qenë dhe është arma jonë më e fortë, reagimi i shëndetshëm dhe me humor karshi çdo fenomeni shoqëror dhe politik në Shqipëri. Kjo është edhe risia e “Portokallisë”.
– I shijove pushimet gjatë pauzës televizive të spektaklit?
– Jo, me thënë të drejtën, nuk pata kohë të pushoj. Pas vitit të ri e deri në filim shkurt, që fillojmë punën intensive, nuk ke kohë të pushosh. Sigurisht, shijova pak kohë të lirë dhe pa impenjime me familjen e fëmijët, shëtitje të vogla në Durrës, Dajt, por ndërkohë, truri punon për sezonin. Koha para se të fillojë sezoni është momenti më i rëndësishëm për të planifikuar temat dhe argumentet për të cilat do flasësh në javët e sezonit. Kur fillon sezoni, koha ikën shpejt dhe ti nuk
ke kohë të korrigjohesh e jo më të krijosh me qetësi.
– Gjëja që s`e bëre dot?
– Do të doja të shkruaja diçka në lidhje me një shfaqje “Stand Up” që kam në plan ta nxjerr së shpejti.
– Po në përditshmërinë tënde, merr ide për shfaqjen?
– Përditë, gjithmonë, kudo. Më është bërë shprehi pune tashmë… Përveçse vëzhgoj si aktor, edhe marr shënim si shkrimtar çdo detaj, batutë, ide, fenomen dhe i përpunoj për t’i shfaqur në rolin e Starit, por edhe më gjerë.
– Idea më e çmendur që ke marrë nga dikush?
– Do ta shihni gjatë sezonit, besoj. (Qesh)
– Si janë provat e fillimit të edicionit?
– Përgatitja për shfaqjen ishte intensive, me prova për kërcimin alternativ me motive rome, apo qoftë edhe me përgatitjen e skaletës së sezonit të “Voulez Vous”.
– Po gjatë javës, sa kohë ju merr puna?
– Java është edhe më intensive. Njerëzit thonë “ju jeni heronj”, por ne jemi mësuar me ritmin. Duhet thjesht të jesh ingranazh i ritmit: E hënë, hedhim idene. E martë, e mendojmë. E mërkurë, e shkruajmë. E enjte, e mësojmë. Të premte, të shtunë, dalim në shfaqje. Të dielën u martova, të hënën, në punë shkova dhe moj… (Buzëqesh)
– Do të të pëlqente vetja në rolin e moderatorit?
– Mua në përgjithësi më pëlqen shumë vetja edhe kështu siç jam, por pse jo, edhe në çdo rol tjetër do të më pëlqente ta sfidoja veten.
– Në vite, ti ke sjellë në “Portokalli” personazhe nga më të ndryshmit. A do të të shohim me
ndonjë personazh të ri në këtë sezon?
– Besoj se po. Do të jenë rrallë dhe ndoshta tek-tuk do të rikthej edhe ndonjë personazh tjetër nga ata që janë bërë në vite. “Portokallia” këtë vit do të jetë fleksibël dhe shumë faqëshe. Sa bukur e thashë këtë! (Qesh)
– Pas kaq viteve në teatër, a je i kënaqur me hapat e zhvillimit të Teatrit Kombëtar?
– Në teatër, në fakt, gjithë këto vite kam hyrë më shumë nga dritarja, sesa nga dera. Për shkak të impenjimit në “Portokalli” për rreth 11 vjet, në teatër kam patur mundësinë të punoj mesatarisht një shfaqje në vit, me shumë vështirësi. Teatri është i vështirë, sepse nuk sjell të ardhura. Mendoj se në momentin që ne, njerëzit e komunitetit teatror do ta konsiderojmë një shfaqje teatri si një produkt i cili duhet prodhuar, marketuar dhe shitur në sa më shumë spektatorë për shumë vite rresht, atëherë teatri do të marrë vlerë. Ka ikur koha e projekteve me lëmoshë sponsorash që e mbyllin me 15 shfaqje, prishin dekorin dhe hajt të bëjmë një shfaqje tjetër që të jetojmë me paratë e sponsorit, ministrisë, shtetit, privatit. Shfaqja e teatrit është një gjallesë që ka jetën e vet nëpër salla të ndryshme, nëpër teatrot e qyteteve të tjerë, nëpër festivale lokale e ndërkombëtare dhe nuk duhet të vdesë që në 15 shfaqjet e para, të cilat aktorit i duhen që të ngrohë zërin.
– Çfarë i mungon teatrit te ne?
– Menaxhimi.
– Shfaqja që të ka lënë shumë mbresa…
– “Me syrin e një klouni”, me Neritan Liçajn dhe Ema Andrean.
– Monologu më i bukur që ke bërë në shfaqjet e tua…
– Kam bërë shumë, nuk mbaj mend cilin të them më parë.
– Roli më i vëshirë qe ke luajtur?
– Ndoshta roli i Brizhildës te “Klani i të divorcuarave”, për faktin se ishte rol i një femre të divorcuar. Megjithatë, jam argëtuar shumë me atë shfaqje që ka qenë para rreth dy vjetësh.
– Pse ishte i tillë?
– Mendo… Mirë femër, por edhe e divorcuar me njëqind halle e komplekse, me qira, me shoqe dhome. (Qesh)
– Një rol që e ke refuzuar dhe tashmë je penduar?
– Unë nuk refuzoj kurrë role.
– Librat që ke ruajtur deri tani dhe i rilexon me dëshirë…
– I kam pothuajse të gjitha librat për fëmijë që kam pasur në shtëpi kur kam qenë fëmijë. Rilexoj ndonjëherë librat fantastiko-shkencorë.
– Libri që u këshillon fëmijëve?
– Librat me aventura. Janë libra shumë të mirë për t’u zhvilluar fantazinë dhe imagjinatën.
– Poezi, shkruan?
– Jo. Dikur fëmijë shkruaja vjersha me rimë, tani jo më.
– Përveç aktrimit dhe përkushtimit si baba, çfarë bën tjetër me shumë kënaqësi?
– Nuk ka gjë tjetër që të më japë më shumë kënaqësi sesa të qenurit baba i mirë dhe profesioni im, që nuk do ta ndërroja me asgjë në botë. Kam fat që këto kënaqësi i ndaj me bashkëshorten time Suela Bako, që përveçse është në krahun tim në çdo gjë që bëj në jetë, kemi edhe të njëjtin profesion.
– Fëmijët e tu të kanë vënë ndonjë nofkë, si për shembull, Star?
– Jo.
– Po ti, si i quan me përkëdheli?
– Ka shumë: e bukra, i bukri, i mençmi, i vogli, princesha, dash, beb, yll, syri, zemra, maçok, dashuri, shoku i ngushtë. Kam përshtypjen që djalit që është më i vogël, i flas pak me më shumë përkëdheli.
– Puna duhet të ndërthuret gjithmonë me kënaqësinë… Kur ndihesh totalisht i kënaqur?
– Kur marr si rezultat kënaqësinë e publikut në sallë, njerëzve në rrugë që u qeshin sytë sa me shohin. Në fund të fundit, aktori punon për publikun.
– Synimi që i ke vënë vetës për këtë vit…
– Të shkruaj një libër kuzhine! Bëj shaka. (Qesh) Kam shumë dëshirë të aktivizohem në kinema, film, film i shkurtër, dokumentar, sitcom e ç’të jetë.

– “Portokallia” për ty është…
– Cunam!
– Pa “Portokalli”, ti do ishe…
– Profesionist i lirë.
– “Portokallinë” do ta lije vetëm për…
– Hollivudin.
– Rregulli që nuk e thyen kurrë në jetë…
– Reciprociteti. U jap të tjerëve aq sa më japin.
– Dy gjërat për të cilat të merr malli?
– Në dimër me merr malli për verën, në verë më merr malli për punën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *