Zotin Tom Doshi e takuam përpara prokurorisë pasi kishte bërë denoncimin e radhës për atentatin kundër tij.
Kaso Kosa: – Zoti Doshi, a mund të bëjmë një intervistë? Ka mbi dy javë që jeni bërë VIP-i i lajmeve dhe keni ngjallur kureshtjen e miliona shqiptarëve…
Tom Doshi: – Së parit, kam dhanë e do jap intervista në të tanë mediet, sepse ka mbi një vit e gjysëm që jeta jeme ka kenë varun në fije të perit. Së dyti, jam ba VIP i lajmeve sepse unë jam deputeti ma i randsishëm i parlamentit dhe këtë e ka pohuar disa herë edhe gazetari më i shquar shqiptar Blendi Fevziu kur ka marrë intervistë atë që ka dashtë më më eleminu fizikisht, armikun tem, Ilir Metën.
– Pikërisht për vrasjen tuaj donim të bënim disa pyetje. Deri tani keni dhënë disa variante të mundshme vrasjeje. Cili qëndron? Duken si trillime nganjëherë…
– Të tërëve kështu u duket, madje edhe mua po më pëlqen shumë kjo histori sepse ka ngjallur shumë kureshtje. Për mbi dy javë flasin vetëm për mua dhe vrasjen time. Kurrë nuk e kisha ndjerë veten kaq mirë. Madje, më duhet të pohoj se nuk po arrij të pushoj tamam, pasi më mbytën telefonatat, mesazhet në Facebook, imeillet, gazetarët e sidomos paparacët që duan të më filmojnë e fotografojnë edhe kur bie në shtrat për me u çlodh disi.
– Pamë videon dhe djali atentator, Durimi, ishte veshur me xhup, ndërkohë që thoni se videoja është bërë në gusht…
– Videoja në gusht është bërë, pikërisht kur Durimi u pendua dhe erdhi të më tregonte se donte të më vriste, por ka një hollësi këtu që askush nuk e din. Në zyrën time atë ditë gushti, unë kisha takuar kondicionerin për ftofje se jam ca i shëndoshë e nuk mund ta duroj të nxehtit dhe Durimi sa hyri brenda, ndjeu të ftohtë e më tha: “A mund të më gjesh një xhup ta vesh se kam shumë ftohtë pasi vij nga vapa e padurueshme që është jashtë?”. Mora një xhupin tem që e kisha në kremastar qysh prej janarit e ia dhashë. E veshi e pastaj në filluam filmimin.
– Deri tani keni dhënë disa variante për mundësinë e vrasjes suaj, duke filluar me kunatin e Doktorit, Agim Rama…
– Po, është e vërtetë. Më tha vet Berisha kur u takuam një drekë kokë më kokë që të akuzoja të kunatin e tij. “Të gjithë e dinë që mua më akuzojnë për kunetër e baxhanakër të implikuar, ndaj përdore emrin e kunatit tim pa merak. Askush nuk do ta besojë dhe kjo është në favorin tonë”, më tha. Pastaj kalova te Meta sepse ai është porositësi i vërtetë i vrasjes sime. Ai vuri Tonin të blinte Durimin, të cilin e kishte rekrutuar Saimiri…
– Por ju ditët e fundit akuzuat babanë e Ilirit, Rexhepin, se thirri ish oficerin Petrit Çinari që kishte qenë snajper…
– Është e vërtetë që Rexhepi ka dashur të më vriste. Këtë e pohon ish-oficeri Petrit Çinari që ka ardhur të denoncojë në prokurori se babai i Ilir Metës e ka marrë për drekë në Gjirin e Lalzit, ashtu si Iliri që atje i ka bërë të gjitha punët e këqia, dhe i ka kërkuar të më vrasë mua…
– Ky Petrit Çinari doli se është i sëmurë mendor, me kartelë dhe denoncimi i tij bie ngaqë ju i paskeni dhuruar së shoqes një apartament që kushton mijëra euro…
– T’i ndajmë gjërat. Së pari, Petriti nuk është i sëmurë, por këta imitojnë Sali Berishën, i cili ata që ka kundra, i quan të sëmurë mendorë dhe gjeni nga mendja kur i afrohen e punojnë për të. Së dyti, unë vërtet i kam dhuruar një apartament gruas së Petritit, por ajo është kushërira e Dritan Priftit nga Libofsha, që e ka mbështetur mikun tim në të gjitha fushatat elektorale. Asaj edhe Dritani i ka dhuruar një lopë, siç u dhuroi mbi 150 familjeve libofshare, për t’u marrë votën. Pse të mos ia dhuroja edhe unë një apartament kur Dritani i ka dhuruar lopën? Ajo është një grua për kokë të gruas, shpirt njeriu!
– Përse mendoni se duan t’ju vrasin me çdo kusht, çfarë u keni bërë?
– Është shumë e thjeshtë. Së pari, se jam rivali i tyre më i rrezikshëm për t’ua marrë pushtetin. Rama më kishte dhënë fjalën të më bënte zëvendëskryeministër, por s’më bëri se ka frikë se e eklipsoj…
– Po me Saimir Tahirin, ç’pate, pse u atakove?
– Tahiri ma ka bërë borxh më shumë se të gjithë. Tahiri vajti dhe rrëmoi folenë e grerëzave në Malësinë e Madhe, duke prishur tërë kanabisin e mbjellë atje. Hodhi në zjarr mundin dhe djersën e të gjithë atyre që i kishin dhënë votën për PS-në dhe mua, duke u bërë kështu mosmirënjohësi i dytë pas Edi Ramës, që e lejoi ta ndërmerrte këtë aksion. Nuk mjaftonte Lazarati për opinion ndërkombëtar, por duhej të dëmtohej edhe zona ime elektorale? Nuk mund t’ia falja këtë marrëzi.
– Si mendoni kështu, kur droga është një plagë që duhet medoemos të mbyllet, ndryshe Evropa të kthen shpinën?
– Ç’thoni mor? Evropa e ka lejuar me kohë drogën. Ajo drogë që prodhojmë ne, ku vete? Nuk vete në Evropë? Madje, edhe këtu te ne ajo do legalizohet. Miku im i ngushtë Koço Kokëdhima, që po e ngre me forcë legalizimin e saj, është i nxitur nga Rama, i cili nuk del dot hapur pro legalizimit, se nuk ia lejon politika. Vetëm atëherë, Shqipëria do ketë bum ekonomik. Farërat që kemi ne, janë të famshme dhe klima jonë, i favorizon jashtë mase.
– Keni deklaruar se në zgjedhjet e 21 qershorit do të dolni me 61 kandidatë përballë aleancës qeverisëse. Si do ta arrini këtë?
– E kam menduar edhe këtë. Kam mbi një vit e gjysëm që po mendoj të krijojmë një front të bashkuar kundër aleancës PS-LSI. Qendra e këtij fronti do të bëhet partia e Gjinushit, një nga partitë më të vjetra shqiptare, me një kryetar që ka rekord në krye, plot 24 vjet dhe që ka patur kaq shumë suksese në emancipimin e vendit. Një parti e tre mosketierëve TNT: Tomi-Neri-Tani! Nga radhët e këtij fronti do të dalin 61 kandidatët që do të korrin fitoren më plebishitare në këta 24 vjet demokraci. Shumica e kandidatëve do të jenë nga Tepelena, nga Libofsha dhe nga Malësia e Madhe.

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *