Zotin Lulzim Basha e takuam në aeroportin e Rinasit, kur po bëhej gati të nisej për në Hollandë.

Kaso Kosa: – Zoti Basha, për ku po ikni kështu, në një situatë kur vendi është i përmbytur dhe po rrezikohet edhe nga bandat e tritoleve?
Lulzim Basha: – Vërtet është bërë keq, Kaso, një ditë tritol, një ditë vjedhje banke e një ditë vrasje, pastaj prapë tritol, vjedhje… e kështu vazhdon… Ke frikë t’i biesh një numri celular, se mos bën ndonjë gabim dhe pa dashje i bie ndonje numri të lidhur me tritol e vetëm kur dëgjon buuum… Pikërisht prej këtyre po detyrohem të iki ca ditë në Hollandë, derisa të qetësohet gjendja. Mund të vënë në zyrën time në SHQUP apo në bashki një kallëp tritoli dhe unë shkoj për dhjamë qeni. Ku i dihet sot se kush të do e kush të urren?
– Nuk mendoni se kryetari i opozitës duhet të jetë këtu, në një situatë të tillë emergjente?
– Doktori, këtu është, madje më aktiv se kurrë, si në parlament, si në Facebook. Mbi supet e tij po bie e gjithë pesha e keqqeverisjes nga ana e dyshes Rama-Meta. Sot ka ardhur momenti që ajo qeveri të japë dorëheqjen dhe në qershor të bëhen dy palë zgjedhje, edhe vendoret, edhe qendroret, siç e ka shprehur ai vetë, në një nga televizionet ku ishte i ftuar. Sikur të mos mjaftonin gjithë të këqiat, bënë edhe përmbytjen…
– Më falni, zoti Basha, por e keni gabim. Përmbytjen nuk e bëri qeveria, por natyra…
– Ore, jeni në vete ju, apo jo? Përmbytja është vepër e qeverisë dhe këtë nuk e luan as topi. Pse nuk ranë shira në jug, sa ishim ne në pushtet? Pse nuk doli Vjosa nga shtrati, sa ishim ne në pushtet? Ta them unë, sepse ne dinim të qeverisnim e jo si këta që bëjnë vetëm zhurmë, si teneqeja bosh.
– Si i vlerësoni tre shpërthimet me tritol pardje, një sasi tjetër në një biçikletë pranë shkollës “Petro Nini”, se ju nuk u prononcuat fare?
– Unë doja të flisja, por ata që dalin në konferenca shtypi, janë nomenklaturë e Doktorit. Ai e urdhëroi Ed Palokën të prononcohej dhe unë, edhe sikur të dilja, nuk mund të shtoja asgjë. Paloka e tha qartë se Tahiri e vuri vetë tritolin te farmacia e të atit se kanë konflikt atë e bir lidhur me të ardhurat e farmacisë. Bashkimi nuk i jep pjesën e tij nga fitimet dhe ai i vuri minat. Thjesht, ishte krim brenda familjes, si shumica e krimeve që ndodhin te ne…
– Ju kështu deklaruat edhe më 21 janar, se ishin vrasje midis tyre, por…
– Mos më ngatërroni me 21 janarin. Unë nuk di gjë fare se ç’ndodhi pasi ika sepse kam alergji nga krismat e armëve. Edhe në Hollandë, kur kam qenë për studime, i kisha shumë frikë krismat e armëve, qofshin edhe pushkë sportive. Në jetën time, nuk kam ndezur kurrë as fishekzjarre. Atë ditë, sa filluan krismat, unë ia mbatha për në shtëpinë e vjehrrit dhe mbulova kokën me jorgan, që të mos dëgjoja se ç’bëhej. Ju betohem që nuk gënjej. Kam dëshmitar vjehrrin…
– Si qe ajo deklarata juaj lidhur me përmbytjen e Shtyllasit? Në fakt, ai fshat nuk u përmbyt…
– Lëre, lëre, sa keq më ndodhi me atë dreq fshati. Mua më tha Doktori të shkoja në zonat e përmbytyra dhe, që andej, në takime me mbështetës të partisë, të bëja deklarata dërrmuese për qeverinë dhe Ramën, që duhet të japë dorëheqjen. Pyeta Ristanin se ku do venim atë ditë dhe ai më tha: “Lërma mua këtë punë se do vemi në një fshat të persekutuarish që janë të tërë kundër Ramës dhe Metës. Do të vemi në Shtyllas të Fierit”. Kur vajtëm atje, gjetëm plot djem, vajza, burra dhe gra që më pritën mirë. Në atë takim, shumë nga ata shanë qeverinë se nuk u kishte dhënë ndihma dhe në fund fola edhe unë, duke e cilësuar qeverinë të papërgjegjshme që këtij fshati të përmbytur, s’ia kishte fishkëllyer fare. Do ti që plasën mesazhet në celularin tim? Ata të mitë më lavdëronin për largpamësi, se edhe Shtyllasi do përmbytej në mos një ditë, një ditë dhe kjo qeveri do ngelej qeveri e premtimeve të pambajtura. Ata që nuk më donin, opozitarët, më tallnin…
– Do të kandidoni për kryetar bashkie në Tiranë?
– Ku ta di unë i ziu se ç’do vendosë Doktori?! Ju e patë se Jamarbëri e hodhi një shashkë që të rikandidoj unë. Edhe Doktori, pas ca ditësh, tha se mund të isha unë kandidat. Pyeta Gitën dhe ajo më dha një përgjigje që s’e mora vesh: “Çdo gjë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, Luli!”.
– Më thoni ndershmërisht, doni të kandidoni, apo jo?
– Ndershmërisht, ai post më ka pëlqyer shumë. Kam katër vjet që nuk kam patur asnjë telash si ato kur isha ministër, si për Rrugën e Kombit apo vrasjet para kryeministrisë e detin që i dhashë Greqisë… Asnjë telash nuk kam pas, si kryetar bashkie… Gjynah të qahem… Qejfi qejf, fitimet fitime…
– Ristani, para disa ditësh tha se ju nuk do të kandidoni për kryetar bashkie, sepse do të jeni kryeministri i ardhshëm…
– Të them të drejtën, më pëlqen posti i kryeministrit, por kam frikë se mos e mendon për vete atë post Doktori, pasi e kam degjuar disa herë të thotë, si nëpër dhëmbë, kur vjen fjala për qeverinë e Rilindjes: “Dale, dale se do të vijë edhe dita ime, siç më erdhi pas 1997-s! Atëhere do më shikoni se si do t’ua nxjerr qumështin e nënës nga hundët!”. Kjo shprehje, vetëm një kuptim ka: Ai mendon të bëhet përsëri kryeministër. Ju e patë edhe sondazhin e zonjës Berisha në Facebook dhe mua më erdhi mirë, se të gjithë ishin për kthimin e zotit Berisha…

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *