Në shumicën e kohës, thyerjet e vogla që shkaktohen në shtyllën kurrizore, për shkak të osteporozës, shërohen vetë, brenda 3 muajve, por nëse ndjeni shumë dhimbje për shkak të shtypjes së kockave që prekin nervat dhe nuk gjeni lehtësim nga ilaçet, me gjithë çlodhjen dhe mbajtjen e korsesë, doktori mund t’ju sugjerojë ndërhyrjen kirugjikale për të parandaluar dëmtimin e nervave nga krisja e kockave…

Llojet e ndërhyrjeve
Dy metoda përdoren zakonisht. Ato quhen vertebroplasti dhe kifoplasti. Kirurgu injekton çimento në kockën e thyer, me qëllim që shtylla kurrizore të jetë e qëndrueshme. Operacioni bëhet nëpërmjet një të çare të vogël, kështu që do të shëroheni shpejt. Një tjetër mundësi është ndërhyrja e quajtur saldimi i kockave. Kirurgu “saldon” disa nga kockat së bashku, për t’i forcuar ato. Kjo ndërhyrje kërkon të qëndroni më shumë në spital.
Përgatitja për ndërhyrjen
Doktori juaj do të marrë pamje të shtyllës kurrizore me anë të radiografisë apo skanerit. Nëse ekziston mundësia të jeni shtatzënë, duhet t’ia thoni doktorit, ashtu si edhe nëse vuani nga alergjitë, apo jeni duke marrë ndonjë ilaç. Nëse po merrni ilaçe për hollimin e gjakut, mbase do t’ju kërkohet t’i ndërprisni para ndërhyrjes. Gjithashtu, ju nuk duhet të hani apo të pini asgjë pas mesnate, një natë parë ndërhyrjes.
Çfarë ndodh gjatë ndërhyrjes?
Nëse bëni vertebroplasti, kirurgu përdor një gjilpërë për të injektuar çimento në kockat e dëmtuara. Në kifoplasti, ai në fillim vë në kockë një tullumbac të vogël, që fryhet dhe e ngre shpinën lart. Pastaj ai e heq ballonin dhe vë çimento në vendin e hapur. Në rastin e saldimit, doktori fut vida, pllaka apo shufra, për të mbajtur kockat e shtyllës në vend, derisa të bashkohen me njëra-tjetrën.
Rreziqet e ndërhyrjes
Metodat e përdorur për të rregulluar thyerjet e shtyllës kurrizore konsiderohen të sigurta, megjithatë, çdo ndërhyrje ka rreziqet e veta, përfshi këtu hemorragjitë, dhimbjet dhe infeksionet. Ndodh rrallë, por gjatë operacionit mund të dëmtohet ndonjë nerv, që shkakton mpirje, mizërim, ose dobësi në kurriz ose zona të tjera. Gjithashtu, ekziston një mundësi e vogël që çimentoja e përdorur në vertebroplasti apo kifoplasti, të rrjedhë, gjë që mund të dëmtojë shtyllën tuaj kurrizore.
Si do ta merrni veten pas operacionit?
Pas disa ndërhyrjeve, mund të shkoni në shtëpi po atë ditë ose do t’ju duhet të rrini në spital një ditë më shumë. Pas kësaj, mund të keni dhimbje shpine për njëfarë kohe. Doktori mund t’ju japë ilaçe kundër dhimbjeve. Gjithashtu, mund të mbani akull në këtë zonë, për të lehtësuar dhimbjen dhe enjtjen. Pyeteni doktorin si të kujdeseni për plagën dhe shkoni tek ai nëse zona është e skuqur, apo e nxehtë dhe rrjedh.
Si do të riktheheni në formë?
Mbase për nja dy javë do t’ju duhet të shkoni te një fizioterapist, i cili do t’ju ndihmojë të merrni veten nga ndërhyrja. Ai mund t’ju tregojë disa ushtrime për të përshpejtuar shërimin dhe për t’ju ndihmuar të parandaloni dëmtimet. Ecja është e mirë, por në fillim, ecni ngadalë. Gradualisht, mund të përshpejtoni ritmin dhe të shtoni gjatësinë e ecjeve. Pyesni doktorin tuaj për gjërat që nuk duhet t’i bëni.
Rikthimi në aktivitetet e zakonshme
Ju duhet të jeni të aftë të riktheheni në punë dhe në aktivitetet e tjera të zakonshme shumë shpejt pas ndërhyrjes, por mos e teproni. Evitoni qëndrimin ulur apo në këmbë për një kohë të gjatë dhe kufizoni ngjitjen e shkallëve derisa t’jua lejojë mjeku. Gjithashtu, prisni njëfarë kohe për të rifilluar aktivitetet intensive, si fshirja me fshesën me korent, apo korrja e barit. Së fundmi, evitoni ngritjen e objekteve të rënda. Kufizoni ngritjen e çdo lloj peshe, qofshin këto çantat me ushqime, një kuti me libra, apo girat që janë 2 kilogramë e lart.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *