– Çfarë është shiatiku?

– Shiatiku i referohet dhimbjes në fund të shpinës, të shkaktuar nga një problem me nervin shiatik. Ky është një nerv i gjatë që shkon nga fundshpina në gjithë gjatësinë e pjesës së prapme të këmbës. Kur diçka e dëmton ose ushtron presion në nervin shiatik, ai mund të shkaktojë një dhimbje që fillon nga fundshpina dhe përhapet një ije, të pasme dhe në këmbë. 90% e njerëzve e marrin veten nga shiatiku pa përdorur ndërhyrje kirurgjikale.

– Cilat janë simptomat e shiatikut?

– Simptomat më të zakonshme janë dhimbja në fund të shpinës dhe që shtrihet në ije, të pasme dhe poshtë te këmba. Dhimbja zakonisht kap njërën këmbë dhe mund të përkeqësohet kur rri ulur, kur kollitesh, apo teshtin. Gjithashtu, këmba mund të mpihet, të ndjesh dobësi në të, mizërime apo shpime.

– Si ta dallosh që është shiatik dhe jo dhimbje shpine?

– 85% e njerëzve provojnë një lloj dhimbjeje shpine gjatë jetës së tyre, por kjo nuk ka gjithmonë lidhje me nervin shiatik. Në shumë raste, dhimbja e shpinës është rezultat i zgjatjes së tepruar ose lodhjes së muskujve të shpinës. Ajo që e dallon shiatikun është se dhimbja shpërndahet poshtë te këmba. Mund të ndjesh si një lloj ngërçi të këmbës që zgjat me ditë të tëra.

– Kush sëmuret nga shiatiku?

– Shumica e njerëzve që sëmuren nga shiatiku janë të moshës 30-50 vjeç. Gratë kanë gjasa të preken prej tij gjatë shtatzanisë, për shkak të shtypjes së nervit shiatik nga zmadhimi i mitrës. Shkaqe të tjera përfshijnë hernien e diskut dhe artritin degjenerativ të shtyllës kurrizore.

– Cilat janë sëmundjet që shkaktojnë shiatikun?

– Ato janë:

  1. Hernia e diskut. Shkaku më i shpeshtë i shiatikut është hernia diskale. Disqet janë si jastëkë midis rruazave të shtyllës kurrizore. Ato hollohen me kalimin e moshës dhe bëhen më të prekshme ndaj dëmtimeve. Nganjëhere, xheli që ato përmbajnë në qendër, del jashtë dhe shtyp fillimin e nervit shiatik. Afro 1 në 50 njerëz kanë hernie të diskut në një moment të caktuar të jetës së tyre. Deri në 25% të tyre, kanë simptoma që zgjasin më shumë se 6 javë.
  2. Stenoza e shtyllës. Gërryerja dhe çarja e rruazave mund të shkaktojë një ngushtim të kanalit të shtyllës kurrizore. Ky ngushtim, që në gjuhën mjekësore quhet stenozë, mund të shtypë fillimin e nervit shiatik. Stenoza e shtyllës ndodh më shpesh te të rriturit mbi 60 vjeç.
  3. Tumoret e shtyllës. Në raste të rralla, shiatiku shkaktohet nga tumoret që zhvillohen brenda apo përgjatë shtyllës kurrizore. Kur tumori rritet, ai mund të shtypë nervat që dalin nga shtylla kurrizore.
  4. Sindroma e Piriformis. Piriformis është një muskul që gjendet thellë në të pasme. Ai lidh pjesën e poshtme të shtyllës me pjesën e sipërme të kofshës dhe ndodhet mu mbi nervin shuatik. Nëse muskuli pëson ngërç, ai mund të ushtrojë presion në nervin shiatik, duke shkaktuar simptomat e shiatikut. Kjo sindromë është më e zakonshme te gratë. Mund t’ju duket çudi, por edhe portofoli i trashë në xhepin e pasmë të pantallonave (te burrat) mund të shkaktojë sindromën e Piriformisit. Ai ushtron presion kronik në muskulin e piriformisit dhe me kalimin e kohës, mund të rëndojë problemet me nervin shiatik. Ju mund ta evitoni këtë problem duke e mbajtur portofolin në xhepin e përparmë ose në atë të xhaketës.
  5. Sacroiliitis. Kjo është një enjtje e njërës apo të dyjave kyçeve sakroiliake, vendi ku pjesa e poshtme e shtyllës lidhet me kockat e legenit. Sacroiliitis mund të shkaktojë dhimbje në të pasme, në fundshpinë, bile mund të shtrihet edhe poshtë, në njërën apo të dyja këmbët. Dhimbja përkeqësohet kur qëndron shumë në këmbë, apo kur ngjit shkallët. Sacroiliitis mund të shkaktohet nga artriti, dëmtimet, shtatzania apo infeksionet.
  6. Dëmtimi apo infeksioni. Shkaqe të tjera të shiatikut përfshijnë enjtjen e muskulit, infeksionit, apo dëmtimet, si për shembull, thyerjet. Në përgjithësi, çdo gjë që irriton apo shtyp nervin shiatik mund të shkaktojë simptomat e tij. Në disa raste, nuk gjenden shkaqe te shiatikut.

– Si diagnostikohet shiatiku?

– Për të përcaktuar nëse vuan apo jo nga shiatiku, ekzistojnë disa mënyra. E para është ekzaminimi i mjekut. Për të vërtetuar që vuan nga shiatiku, doktori do të të kërkojë t’i thuash si ka filluar dhimbja dhe ku është lokalizuar me saktësi ajo. Ai mund t’ju kërkojë të uleni galiç, të ecni me thembra, ose majat e gishtave, ose të ngrini lart këmbën, pa përthyer gjurin. Këto ekzaminime muskujsh e ndihmojnë doktorin të përcaktojë nëse nervi shiatik është i irrituar. Një mënyrë tjetër është me anë të imazherisë. Doktori mund t’ju japë të bëni skaner për të marrë më shumë informacion për vendndodhjen dhe shkaqe te nervit të irrituar. Skaneri do të tregojë vendosjen e rruazave, ligamenteve dhe muskujve. Radiografia mund të identifikojë çrregullime të kockave, por jo probleme të nervave.

– Cilat janë ndërlikimet e nervit shiatik?

– Nëse ju keni probleme me mosmbajtjen e urinës, apo të jashtëqitjes, duhet të kontaktoni menjëherë doktorin tuaj. Kjo mund të jetë shenjë e një urgjence mjekësore që kërkon ndërhyrje kirurgjikale për të evituar dëmtimin e përhershëm. Në shumicën e rasteve, shiatiku ikën brenda disa ditëve apo javëve, pa shkaktuar ndonjë dëmtim që zgjat.

– Si mund të lehtësohet dhimbja e shiatikut?

– Ekzistojnë disa metoda:

  1. Akulli dhe nxehtësia. Ka disa masa që mund t’i merrni vetë në shtëpi, për të lehtësuar dhimbjet e shiatikut. Një jastëk i ngrohtë, ose e kundërta, një me akull, mund t’ju ndihmojnë në disa raste. Aplikojeni ngrohtësinë apo akullin për afro 20 minuta çdo dy orë. Eksperimentoni për të parë se cila nga të dyja jua lehtëson më shumë dhimbjen, ose alternojini me njëra-tjetrën.
  2. Mjekimi. Ka ilaçe kundër dhimbjeve që mund të sjellin një lehtësim për njëfarë kohe nga shiatiku. Ndër to mund të përmendim ilaçet antiinflamatore, si aspirinën, ibuprofenin, etj. Doktori mund t’ju japë edhe një injeksion me steroide për të reduktuar enjtjen.
  3. Shtriqja e muskujve. Ndërkohë që shiatiku është duke u shëruar, përpiquni të qëndroni aktivë. Një fizioterapist mund t’ju tregojnë si të shtriqni me butësi muskujt e fundshpinës dhe ato të pjesës së pasme të kofshëve. Në varësi nga gjendja juaj mjekësore, disa ushtrime mund të mos këshillohen. Doktori juaj gjithashtu mund t’ju rekomandojë të bëni ecje të shkurtra.
  4. Injeksionet. Në disa raste, kur dhimbja është e madhe, doktori mund t’ju rekomandojë të bëni injeksione me steroide në zonën e shtyllës kurrizore për të reduktuar enjtjen. Kështu, ilaçi lëshohet drejtpërdrejt në zonën rrotull nervit shiatik.
  5. Ndërhyrja kirurgjikale. Nëse shiatiku juaj shkaktohet nga hernia diskale dhe shkakton përsëri dhimbje të fortë pas 4-6 javësh, një mundësi është edhe ndërhyrja kirurgjikale. Kirurgu do të heqë një pjesë të diskut me hernie për të lehtësuar presionin në nervin shiatik. Afro 90% e pacientëve gjejnë lehtësim nga kjo lloj ndërhyrjeje. Ndërhyrje të tjera mund të lehtësojnë shiatikun e shkaktuar nga stenoza e shtyllës.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, ju, zakonisht, duhet të evitoni drejtimin e makinës, ngritjen e peshave, apo përkuljen para për afro një muaj. Doktori juaj mund t’ju rekomandojë të bëni fizioterapi për të ndihmuar forcimin e muskujve të kurrizit. Pasi merr fund periudha e rikuperimit, ka shanse të mira që t’u riktheheni aktiviteteve tuaja të zakonshme.

Ka të dhëna se edhe akupunktura, masazhi dhe joga, mund të lehtësojnë dhimbjen e shiatikut, por nevojiten më shumë studime për të përcaktuar nëse këto terapi të ndihmojnë në rastin e shiatikut.

– Si mund të parandalohet shiatiku?

– Nëse ke vuajtur një herë nga shiatiku, ka gjasa që ai të përsëritet, por mund të merrni masa për të reduktuar këtë mundësi. Ato janë: Të bëni fizkulturë rregullisht, të mbani një qëndrim të mirë të trupit, të përkulni këmbët kur ngrini pesha të rënda. Këto hapa mund t’ju ndihmojnë të evitoni dëmtimet e shpinës që mund të çojnë te shiatiku.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *