Kaso Kosa: – Shoku Enver, si është kjo punë? Mezi gjeta fletëhyrje për t’ju takuar! Doja t’ju njoftoja se kanë arrestuar nipin tuaj, Ermalin…
Enver Hoxha: – U kërkova që hirja këtu të bëhet vetëm me lejen time, se është bërë si hani pa porta. Duan të vijnë të gjithë; miqtë dhe armiqtë e mi, të gjallë e të vdekur, që nga Pjetër Arbnori e deri te Sali Berisha… Sa për tim nip, Ermalin, e di që e arrestuan. Më njoftuan që atë natë që e arrestuan. Ka muaj që edhe këtu në botën tjetër ka ardhur interneti dhe komunikojmë që nga Facebooku. Kam filluar të lidhem me të gjallët dhe të vdekurit…
– Si është e vërteta e Ermalit lidhur me fabrikën e heroinës në Xibrakë të Elbasanit?
– Ermali nuk ka gisht aty. E bëjnë këta antikomunistët, që kanë patur kunj me mua qëkur isha aty dhe i kesha vënë në rresht, të gjallë e të vdekur. Edi Rama, nipi i Spiro Kolekës, ka urdhëruar arrestimin e tij, duke gjetur rastin të hakmerret ndaj meje për gjyshin që kurrë nuk ia përfilla sa jesha në krie të Birosë Politike…
– Kjo që po thoni duket e çuditshme sepse zoti Berisha e akuzon Ramën si bllokmen, si pasardhësin tuaj, domethënë, të byroistëve…
– Lëre more, Saliun ti! Saliu, që nga 23 qershori, ka lajthitur e nuk di në cilën botë jeton. Ka mbërdhirë fare. E ke parë me se merret këto kohët e fundit? Me biografitë e të gjithë atyre që nuk i ka dashur kurrë në jetë. Aty i ka ngelur ora. Gërmon, shpif, gënjen gjithë ditën e ditës…
– Thuhet se nipi juaj është i varfër dhe jeton në Kashar, në një shtëpi me qira…
– Është e vërtetë që nuk ka shtëpi. Ma ka thënë Nexhmija, në Facebook. Bile, shtëpia ishte pa aksesorët e tualetit, pa laçkë e plaçkë dhe iu desh të merrte kredi për ta rikonstruktuar e mobiluar. Me sa di unë, ai ha bukë thatë, me dhallë ose me djathë. Ferrarin që përdor si shofer taksie me të huajt, e ka marrë me qira. Po heq picirën të ushqehet, sepse edhe miku që kesha unë, Sali Berisha, nuk më doli mik, por harbut e shkuar harbutit. Nuk vuri dorë ta ndihmonte. Ngeli thjesht një taksixhi, në vend që ta kishte emëruar krietarin e grupit të prodhimit të kokainës. Ne si familje e kemi patur në gjak tregtinë me të huajt dhe kemi qenë të suksesshëm. Unë, qëkur jesha student në Francë dhe më pas, sekretar ambasade në Belgjikë, jam marrë me shitje duhani nëpër Evropë dhe isha aq i suksesshëm, sa më kishin zili tregtarët e vjetër shqiptarë, serbë apo grekë. Edhe gjatë të gjitha viteve që komandova Shqipërinë, unë e ngrita nivelin e tregtisë së duhanit dhe të bimëve të tjera të familjes së drogave në nivele shumë të larta, duke përballuar me sukses bllokadën imperialisto-revizioniste. E di ti, mo Kaso djali, se u e kesha nisur kanabisin në Lazarat që pas çlirimit, kur përmes miqve të mi perëndimorë solla farën e kanabisit këtu dhe e shisnim për farë liri?! Saliu, vijën e partisë sonë nisi dhe e bitisi, por ama, me aq shumë fitime sa zinte nga kanabisi, në vend që të blinte votat më 23 qershor, i la ato në mëshirën e fatit dhe humbi pushtetin. Paratë i nisi me djalin e tij, Zenin, në Qipro. Humbi edhe pushtetin, edhe tregun e kanabisit. Tashti, rri si i matufepsur dhe shkruan gjithë ditën në Facebook, si ndonjë adoleshent. Nuk merret pushteti me internet e as me telefonata, Kaso! Pushteti kërkon aksion, tritol, vrasje me porosi, atentate, sabotime e deri në luftë guerile e pastaj frontale, ndryshe, merr pleshtat e pushtetit. Ndaj e kritikuam rendë në biro dhe morëm vendimin ta përjashtojmë nga partia, siç përjashtuam dikur Liri Belishovën apo Kadri Azbiun, si armiq të partisë.
– Berisha ka botuar disa foto dhe thotë se nipi juaj, Ermali, ka dhjetëra makina që kushtojnë nga 80 mijë euro e lart…
– I pashë ato foto, i pashë në internet. Janë vërtet makina të shtrenjta, po nuk janë të nipit tim. Janë të djalit të Berishës, Shkelzenit dhe të Argitës, të mbesës Desara apo të dhëndrrit. Disa janë të miqve të Zenit dhe të Fazlliçit. Saliu i hodhi këto foto në internet për të larguar vëmendjen nga i biri që nuk ka punuar kurrë në jetën e tij, por bën jetë sheiku me pushime në Dubai apo në ishujt Havai.
– Ju thoni se Ermali është i varfër, por janë hedhur foto në internet ku nusja e tij, Rezarta, ndodhet përpara një vaske mbushur me qumësht dhe dy shërbëtore i hedhin petale trandafili në vaskë…
– Edhe këto foto i kam parë dhe nuk më bënë asnjë përshtypje, sepse ne, si familje, kemi patur e kemi dobësi për femrat. Unë kam qenë kavalier i madh në rininë time dhe jesha gati që për çdo femër, të bëja sakrificë deri edhe dorëzimin e pushtetit. Edhe im nip, që më ngjan aq shumë, i tillë është. Për një femër si Rezarta, edhe unë do ngrihesha nga varri e do kontribuoja që të bënte jetën që ajo dëshiron. Ndaj punonte taksist dhe menaxher e strapacohej, që gruaja e tij të bënte e të bëjë jetën që meriton. Edhe Zeni i Saliut, copë bëhet për femrat. Madje ai ka dy gra, një në Suedi e një këtu. Të mos ju duket çudi juve, mo djalë, po të gjithë udhëheqësit dhe fëmijët e tire, e kanë në gen sakrificën për femrat.
– Pardje u mbushën 4 vjet nga vrasja e 4 të pafajshmëve…
– Të them të drejtën, për atë ditë e kam qortuar rëndë Sali Berishën, që toleroi deri në atë masë sa armiku i kllasës të tentonte t’i merrte pushtetin. Jo katër, po katërqind, apo katërmijë të vriste dhe diktaturën e proletariatit ta mbronte. Pushtetin ne e morëm me gjak dhe me gjak duhet ta mbrojmë. Doktori e la me aq ndëshkimin më 21 janar dhe mori vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit, siç i dhamë Mehmet Shehut, për zbutje të luftës së kllasave. Të mos harrojmë se armikut, po i dhe dorën, të merr krahun dhe po i dhe krahun, të merr kokën! Kështu na mëson partia dhe marksisëm-leninizmi fitimtar.
– Një pyetje të fundit, ju lutem: Bashkim Shehu thotë se ju keni patur një sozi. Është e vërtetë?
– Këto janë sekrete politikanësh, mo djalë, por ty po t’i them. E kesha një. Nga Veriu e kesha. Ai delte dhe shëtiste nëpër kopshtin e vilës sime, në vend që të veja unë. Atë nipin e Hisniut, Andin e Mediut, nuk e merrja u për dore, siç thotë Saliu, por sozia ime. Edhe popullin, ai e takonte dhe mbante fjalime. Edhe Stalini e Hitleri kishin sozi. Ishte në modë në atë kohë kur u jesha në krie të shtetit. Por u, kisha të drejtë, se Mehmeti ma kishte bërë benë, se ishte spiun i amerikanëve dhe amerikanët mua nuk më kanë dashur kurrë, siç nuk kanë dashur komunistin revolucionar, Sali Berishën. Edhe Saliu, ka sozi, që sot e gjithë ditën vete në zirat e SHQUP-it. Më 21 janar, në zirat e kryeministrisë nuk rrinte Saliu, po sozia. Saliu kishte ikur, siç iku Fatosi më 1998, kur ai i dogji kryeministrinë dhe kuvendin. Saliu, sozinë e ka nga shqiptarët jashtë kufirit. Ramizi më tregonte se si ai i ziu, bridhte nëpër mitingje me dy antiplumb në trup në mes të vapës, që të bëhej më i besueshëm dhe, kur mbaronte mitingjet, i binte të fikët nga stërmundimi, ndërkohë që Saliu bënte plazh diku në vendet ekzotike…

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *