– Kam një pyetje për litarin e palestrës, ose edhe për një litar që përdoret thjesht për të kërcyer. Unë e përdor shumë dhe më pëlqen të luaj me litar. A është i mirë për fitnes, sepse kam vënë re që e përdorin shumë veta? Nuk kam vullnet për palestër, por litarin ama e përdor shumë mirë, prandaj më thoni çfarë ushtrimesh mund të bëhen me të?
Mario Instruktori: – Kërcimet me litar janë shumë të mira, ashtu si çdo lloj sporti. Me një ushtrim të tillë digjen gjer në 200 kalori. Ka disa ushtrime, përveç kërcimit bazë që besoj e dini shumë mirë, përderisa e pëlqeni kaq shumë. Numrin dhe ritmin e kërcimeve e përcaktoni vetë duke u bazuar te fuqia juaj fizike. Atëhere, për nxemje përpara ushtrimeve, përdorni kërcimin e thjeshtë popullor që dihet nga të gjithë. Bëni sa ta shikoni që keni marrë njëfarë energjie për të vazhduar më tutje, të paktën 5 minuta.
– Ushtrimi i dytë ka lidhje me muskujt dhe shpinën. Siç e keni litarin në të dyja duart, lëshojeni poshtë, ndërkaq skajet mbahen me duar, që të jetë i tendosur. Litari poshtë të jetë i shkelur nga këmba e djathtë dhe siç jeni, bëjeni një rrotullim në anën e majtë dhe më pas në anën e djathtë. Në këtë mënyrë shtrëngohen muskujt e shpinës.
– Në ushtrimin tjetër, siç ishit më sipër, me njërën këmbë shkelni litarin, ndërsa skajet e tij mbajini në duar para vetes, pastaj bëjeni një hap përpara, duke hapur duart anash pas shpine. Kështu, do të forconi pjesën e parë të kofshëve.
– Një ushtrim me litar që është shumë i mirë edhe për të ndenjurat është kështu: Qëndroni vertikalisht dhe me duar të shtrira, mbajeni litarin para vetes. Pastaj merrni pozicion të ulur, kështu që duart të jenë akoma të shtrira përpara. Me pjesën e poshtme, shtrijeni mbrapa, ndërsa duart përpara të jenë të kapura te litari dhe uluni përpara. Bëjini këto ulje-ngritje disa herë. Në këtë mënyrë, do t’ju forcohen kofshët dhe vithet.
– Po me litar mund të bëni edhe ushtrime për barkun siç jeni në pozicionin fillestar, por në këtë rast, zvogëlojeni litarin aq sa gjatësia e shpatullave tuaja dhe me duart lart, që kanë kapuar çdonjërin nga skajet e litarit, bëni mënjanim majtas e djathtas, në mënyrë alternative. Ky është një ushtrim shumë i mirë për muskujt e barkut.
Advertisement