– Kam një pyetje për instruktorin, në lidhje me shputat e këmbëve. Ushtrohem shumë në shtëpi se kam pistën dhe disa vegla, por edhe jashtë. Problemi im është se kam filluar të kem probleme me shputat e këmbëve dhe gishtërinjtë, por më shumë më dhembin thembrat dhe ndonjëherë, më djeg lëkura e tyre. Si të veproj, sepse s’dua t’i lë ushtrimet?
Mario, instruktor: – Përgjithësisht, dhimbja e shputave shfaqet tek ata persona që e teprojnë disi me stërvitjen dhe kur nuk kanë atletet e përshtatshme. Pra, së pari, kontrolloni atletet tuaja nëse kanë lartësinë e duhur dhe a janë të përshtatshme për stërvitjen. Më pas bëni disa ushtrime të lehta edhe për shputat, ushtrime që mund t’i bëni edhe në një ambient zyre, në shtëpi apo kudo. Siç jeni ulur në karrige, zgjatni këmbën e majtë dhe vendoseni mbi nyjen e gjurit të djathtë. Kapini gishtat e këmbës së majtë me dorën e majtë dhe lëvizini ato në të djathtë, duke i mbajtur disa minuta. Më pas, lëshojini në pozicionin fillestar. Bëjeni këtë ushtrim 10 herë për secilën këmbë. Për shputat, pasi të mbaroni ushtrimet, masazhojini në shtëpi me nje copë akulli lehtë, ose mjafton të jetë një shishe e vogël uji, por që është e ftohtë dhe të bëni këtë ushtrim, pra, masazhimin për disa sekonda. Më pas, herë pas here lyejini me krem trupi ose krem apostafat për thembrat e këmbëve. Besoj se këto ushtrime të thjeshta do t’ju ndihmojnë shumë, ama duhet t’i bëni pothuajse çdo ditë, sepse nuk ju hanë shumë kohë.
Advertisement