– I drejtohem doktor Petritit, otorinolaringologut tuaj. Dua të di se si shfaqet faringiti dhe a është kronik? Dyshoj te djali im 12 vjeç, i cili herë pas here ankohet nga kjo gjë. I djeg fyti dhe ka dhimbje të tij herë pas here. Si parandalohet apo mjekohet faringiti, ju lutem? Faleminderit. Zonja nga Tirana.
Dr. Petrit Stafa, otorinolaringolog: – E nderuar zonjë, faringiti prek më shumë fëmijët dhe moshat e moshuara dhe kjo për arsye sepse të dyja moshat e kanë rezistencën imunitare më të ulët dhe janë më të ndjeshëm ndaj lëkundjeve të temperaturave të mjedisit. Në këtë periudhë kemi një klimë jo të qëndrueshme gjë që sigurisht ka ndikuar dhe te shqetësimet që ka shfaqur djali juaj. Faringiti është i dy formave: Akute, domethënë të menjëhershme dhe kronike, të përhershme. Bëhet kronik kur faringiti akut nuk trajtohet në kohë, lihet pas dore dhe, për pasojë, bëhet i përhershëm pastaj, që do të thotë se shfaqet herë pas here, aq më tepër kur kemi klimë të paqëndrueshme. Shenjat e faringitit janë pak a shumë ato që ka shfaqur edhe djali juaj: Bezdisje në fyt, djegie dhe dhimbje, skuqje lokale e mukozës, temperaturë, ngjirje e zërit, kollë dhe ndonjëherë, edhe zmadhim të bajameve. Kjo gjë ama mund të shfaqet edhe me dhimbje veshi.
– Prandaj, në këto raste, është mirë të bëhen analizat e duhura dhe të merret trajtimi i duhur në kohë, pa u përkeqësuar më shumë problemi sepse një trajtim jo i duhur i faringiteve, çon deri edhe në komplikacione më të rënda, siç është shfaqja e bronkopneumonive dhe trakeiteve. Parandalimi i tij është pak i vështirë, sepse së pari duhet të siguroheni të jetoni në një ambient pa lagështirë dhe të ruheni nga lëvizjet e temperaturave. Edhe ushqimi duhet të jetë shumë i pasur me vitamina e kripëra, të cilat u bëjnë ballë sëmundjeve virale tipike të stinës dhe forcojnë sistemin imunitar. Megjithatë, në rastin konkret, djali juaj ka nevojë për mjekim. Unë do t’ju rekomandoja t’i bënit një vizitë tek otorinolaringologu dhe në bazë të rezultateve të analizave, ai do të marrë mjekimin e duhur. Mjekimi bazohet në varësi të shkallës së infeksionit dhe këshillohen të ngrohtat, avuj të ndryshëm, gargarat me kripë, karamelet e mentolit dhe, nëse infeksioni është më i rëndë, kalohet në përdorimin e antibiotikëve, për t’u trajtuar si duhet infeksioni i marrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *