Zonjën Grida Duma e takuam kur sapo kishte dhënë një komunikatë për shtyp në emër të PD-së…

Kaso Kosa: – Zonja Duma, kohët e fundit jeni evidentuar si një nga figurat kryesore të partisë dhe shumë pranë zotit Basha.
Grida Duma: – Unë dhe zoti Basha jemi seks-simbolet e partisë. Me reformimin e bërë nga zoti Basha, partia ka nevojë për një fytyrë të re në performancën e saj kontemporane, e gërshetuar kjo edhe me aftësitë elokuente të shumë prej anëtarëve të kryesisë, ku unë me modestinë që më karakterizon, do të përpiqem të bëhem një interlokutore dinjitoze për implementimin e politikave të reja për një fitore të sigurtë në të ardhmen e afërt.
– Protesta që po organizoni sot ju si parti, ka karakter politik apo ekonomik, se dëgjuam Gëzim Kalanë që tha se do të nxjerrë sindikalistët në protestë?
– Ne kemi studime nga të gjitha komisionet parlamentare të partisë sonë dhe kemi arritur në përfundimin se kjo protestë duhet të jetë ekonomike. Pra, do ta udhëheqin Gezim Kalaja, Altin Goxhaj dhe Fatmir Hoxhaj, tre nga organizatorët më të mirë që ka partia jonë. Madje, ata do të jenë edhe në krye të protestave. Ne si parti do të jemi në mbështje të popullit të revoltuar. Madje unë do të mbaj edhe një fjalim ku përmes një analize kontemporane, do të evidentoj elementët destruktivë dhe jo implementues të kësaj qeverie.
– Kohët e fundi po merrni përsipër edhe rolin e zëdhënëses së partisë, ndërkohë që e keni një të tillë…
– Këtë rol unë e meritoj sepse kam cilësi për të cilat asnjë femër në të gjithë anëtarësinë e partisë nuk më afrohet as te thoi i këmbës. Së pari, jam e bukur. Së dyti, jam elokuente, inteligjente, ekzigjente dhe mbi të gjitha, vigjilente. Së treti, jam oratore e lindur, askujt nuk ia mban të më dalë në debat, pasi me performancën time integrale, me kompleksitetin e aftësive për të bërë deduksione, induksione dhe konkluzione, i vë me shpatulla në mur.
– Ka filluar të flitet për zgjedhjet për pushtetin vendor…
– Aaaaaa, në zgjedhjet për pushtetin vendor ne nuk do të hyjmë fare sepse, së pari, nuk jemi pjesë e të famshmes Reformë Territoriale të cilën e bëri Edvin Rama për të marrë të gjitha bashkitë për vete. Së dyti, nuk jemi në parlament dhe nuk e dimë se si do të zhvillohen këto zgjedhje, do të ketë më komuna, apo kryepleq fshatrash? Qeveria jonë nuk është në dijeni të punëve të qeverisë së Ramës e Metës. Ne kemi qeverinë tonë të merituar, por të mohuar nga vota e grabitur prej Rilindjes.
– Është fjala për atë që Rama e quan “qeveri në mërgim”?
– Rama gabon kur na quan qeveri në mërgim, sepse qeveria jonë nuk është në mërgim, por këtu, buzë Lanës, në SHQUP, mes jush natë e ditë. Jeton me hallet e popullit dhe është pikërisht kryeministri i kësaj qeverie Lulzim Basha dhe ministrat e saj, që mendojnë për të ardhmen e vendit e të popullit. Ka ardhur koha që në krye të vendit të vijmë ne, njerëzit me afeksione prezantuese kontemporane dhe më qëndrime sinjifikative adekuate me kohën dhe imediate në politikën moderne shqiptare.
– Thuhet se ju veni çdo ditë te Doktori në zyrë dhe rrini atje nga dy-tre orë. Ju thërret ai apo ia kërkoni ju?
– Doktori, mua dhe Lulin, na ka bërë bij në shpirt. Unë hyj në zyrën e tij pa trokitur fare. Kemi vite që jemi lidhur në një miqësi të mrekullueshme që i ka bërë xhelozë shumë njerëz brenda e jashtë partisë. Kur isha zëvendësministre, zonja Bregu aq shumë u xhelozua nga bukuria dhe inteligjenca ime, por edhe pse më thërriste shpesh Doktori në zyrë, sa kërkoi të më hiqte si zëvendëse. Po unë jam mësuar me këto intriga dhe, të them të drejtën, nuk mund ta ul personalitetin tim moral e intelektual, duke rënë në mediokritete të tilla…
– A do kthehet opozita në Parlament? Sepse Topalli duket e theu bojkotin…
– Së pari, dua të them se Topalli tashmë nuk është pjesë e partisë sonë, pasi ajo ka qenë kundër Bashës që në krye të herës dhe pa të, partia jonë është më solide. Por bashkë me Topallin, nga partia do të flaken edhe të gjithë ata që nuk kanë qëndruar pranë Bashës që pas 23 qershorit. Futja në Parlament varet nga demonstrata e sotme. Nëse do të ketë pjesëmarrje të madhe, ne do të kthehemi sepse do të bindemi që kemi përkrah popullin.
– Është e vërtetë se ju do të jeni kandidatura e PD-së për kryetare bashkie në Tiranë?
– Kjo nuk është vetëm dëshira ime, por edhe e Doktorit, pasi ai sheh tek unë një kryetare që do t’i ndryshojë faqen kryeqytetit e që do të zhbëjë ato krime që bëri Edvin Rama me betonizimin e saj. Me aftësitë elokuente që zotëroj, me prezencën dhe lukun, me grintën time, i plotësoj kushtet që të kandidoj dhe jam e sigurtë që përballë Mimi Kodhelit, apo kujtdo tjetër, do të korr një fitore plebishitare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *