Zakonisht, njerëzit i shikojnë ëndrrat “bardhë e zi”, por në ato raste kur i shikojnë me ngjyra, simbolika e tyre del më e qartë dhe shpjegohen më lehtë. Sipas një studimi të bërë kohët e fundit nga disa psikologë amerikanë, secila ngjyrë në ëndërr ka kuptimin e vet të veçante dhe tregon një gjendje të caktuar emocionale të atyre që e shikojnë. Duke u nisur nga ngjyrat e sfondit ku zhvillohen ngjarjet në ëndërr, nga ato të interierit dhe të veshjes së “personazheve”, duke ditur kuptimin simbolik të secilës ngjyrë, mund të përcaktosh qëllimet dhe karakteret e atyre që të dalin në ëndërr. Psikologët amerikanë e kanë klasifikuar simbolikën e këtyre ngjyrave në këtë mënyrë:
1. E bardha – Tregon pafajësi dhe pastërti shpirtërore, fisnikëri, aftësi për ta ndarë gënjeshtrën nga e vërteta (vetëm në disa vende të Orientit, kjo ngjyrë është simbol i zisë dhe vdekjes. Po kështu, ajo simbolizon asketizëm dhe izolim).
2. Bojëqielli – Tregon se mbartësi i teshave ose ambientit rreth tij ka një perceptim mistik ndaj jetës. Kjo ngjyrë është njëkohësisht simbol besnikërie, shprese, qetësie shpirtërore, etj.
3. E verdha – Kjo ngjyrë është shprehje e optimizmit, shpresave, e arsyes dhe realizmit, por në ëndrrra simbolizon shpesh xhelozi, zili, ndarje. Është një ngjyrë që shpesh paralajmëron tradhti.
4. Ngjyra e blertë, jeshile – Simbolizon shërimin nga një e keqe, lulëzimin, qetësinë dhe ekuilibrin shpirtëror, por shpesh, ajo tregon se bartësi është ende i papjekur… Në rastet kur ka nuanca që anojnë për nga jeshilja e errët, kjo ngjyrë simbollizon regres, etje për t’u pasuruar në çdo rrugë.
5. Ngjyrë ari, okre, me shkëlqim dielli – Simbolizon inteligjencën, entuziazmin, lavdinë. Ajo është njëkohësisht simbol pjekurie dhe përvoje, aftësie për t’u orientuar në jetë, si dhe besim për stabilitet, madje edhe rritje të prestigjit.
6. Ngjyra kafe – Simbolizon aspektet materiale të jetës, racionalitet, deri diku, konservatorizëm, por ajo simbolizon njëkohësisht një njeri nostalgjik dhe melankolik. Jo rrallë, ajo tregon depresion, zhgënjim, vartësi…
7. E kuqja – Është ngjyra që tregon një qëndrim aktiv në jetë, simbolizon gjakun dhe zemrën, mirëpo shpesh paraqitet si simbol agresiviteti, urrejtjeje, pasionesh e rreziqesh dhe sidomos për disa gra, është simbol i “rënies dhe degjenerimit”.
8. Portokallia – Është simbol i lumturisë, i forcimit të shoqërisë dhe miqësisë, por nuk janë të rralla rastet kur parashikon etje për ndryshime, entuziazëm dhe ngrohtësi. Kjo ngjyrë tregon se mbartësi është i dhënë pas seksualitetit. Kur ajo është e ndezur, tregon se ai dëshiron të nxjerrë në pah vetveten.
9. Ngjyra e purpurt – Është ngjyrë karakteristike aristokratike, simbol i dinjitetit dhe pushtetit…
10. Ngjyrë trëndafili – Është simbol i ndjenjave të holla romantike, i modestisë dhe përpjekjeve për të ndihmuar të tjerët, simbol i iluzioneve, por nganjëherë, edhe simbol i veprimeve të nxituara dhe mendjelehta…
11. Ngjyra e argjendtë, e Hënës – Simbolizon qetësinë, përfytyrimet paranormale dhe intuitën e zhvilluar, por nganjëherë, mund të sjellë zhgënjim dhe iluzione pa baza.
12. Ngjyra gri – Kjo ngjyrë është simbol i melankolisë, indiferentizmit, i meditimeve që sjellin mërzi, i një alarmi të brendshëm shpeshherë të pajustifikuar, por edhe simbol i qëndrimit mosbesues, simbol i vetmisë dhe i dobësisë shpirtërore, sidomos kur kemi të bëjmë me flokë të thinjura, etj.
13. Ngjyra e kaltër e blu – Është simboli urtësisë dhe intuitës së zhvilluar, simbol i një statusi social të përcaktuar, simbol besimi, sinqeriteti dhe luajalizmi, simbol i një pozite të lartë në shoqëri, i pasurisë. Sidomos kur e shikojmë te makinat dhe veshmbathja me këtë ngjyrë, është simbol i shpresave dhe i besimit në të ardhmen.
14. Ngjyra manushaqe – Është simbol i vetmisë, vetëpërmbajtjes, por jo rrallë edhe simbol i vdekjes, i andrallave dhe shqetësimeve të mëdha, simbol i një fanatizmi që të largon nga të tjerët.
15 Ngjyra e zezë – Simbolizon agnosticizëm dhe fshehtësi mendimesh e veprimesh, simbol i një pushteti të fshehur, simbol i zyrtarizmit ceremonial, simbol i një shpirti sfidant dhe i një force të papërmbajtur seksuale, sidomos kur është i kombinuar me të kuqen. Simbol i hakmarrjes, sidomos tek ata që besojnë në fenë islame.
Nga studimet e fundit të psikologëve amerikanë del se intelektualëve dhe njerëzve të punës mendore, u shfaqen më shpesh ëndrra akromatike, domethënë, ëndrra në të cilat takohen ngjyra si e zeza, e bardha dhe grija. Krijuesve dhe njerëzve të ndjeshëm, me fantazi të ndezur, si rregull, u shfaqen më shumë ëndrra me ngjyra sa më të ndezura dhe, kur ato përzihen me njëra-tjetrën, ndryshon edhe qëndrimi emocional i objektit të ëndrrës. Ëndrrat me kontrastin bardhë e zi simbolizojnë ekstremet e qëndrimeve ndaj situatave në marrëdhënie me “personazhet” e ëndrrës. Ato shfaqen sidomos në rastet kur njeriu pëson zhgënjime në jetë.