Çfarë quajmë ne “kurthe” për turistët? Për disa janë dyqanet me suvenire dhe bluza ku shkruhet “I love X qytet”, apo çmimet shumë të larta të hyrjes në muze; për të tjerë, turmat e mëdha të njerëzve dhe restorantet “për turistë”. Mbase edhe ju keni listën tuaj të këtyre “kurtheve”, por ne po ju paraqesim më poshtë listën tonë…
1. Kulla e Pizës
Kulla e shtrembër e Katedrales në Piazza del Duomo, në Pizë, mund të jetë interesante nga ana arkitekturale, por a e justifikon ajo gjysëm dite udhëtimi nga Firencja për ta parë? Po, kulla është e shtrembër (në fillim nuk ka qenë kështu), por a është nevoja të dalësh në foto sikur je duke “e mbajtur me dorë”? Më mirë kalojeni kohën duke ngrënë një drekë të shijshme, ose duke takuar vendasit në një bar aty afër.
2. Times Square, Nju Jork
Sheshi i famshëm i Nju Jorkut, sigurisht që është simbol i qytetit, por kanë kaluar tashmë ditët e tij të shkëlqimit, glamurit dhe magjepsjes. Sheshi tashmë është kthyer në një vend të dyqaneve të stërmëdha dhe reklamave dixhitale.
3. Kufiri jugor i SHBA-së
Ky imitim i lirë i Meksikës mund të gjendet pak jashtë autostradës Interstate 95, afër Dillonit, Karolina e Jugut. Atje është një luna park, i quajtur Pedroland, që e ka marrë emrin nga maskota e tij që flet me një theks të rëndë anglez. Është edhe një sombrero gjigande në një kullë dhe një dyqan me bluza t-shirt fantazmagorike. Mund të ndaloni aty vetëm nëse doni të blini fishekzjarre, përndryshe, vazhdoni udhëtimin tuaj…
4. Muzeu i Madamë Tusosë (Madame Tussaud)
Muzeu i fam(ëkeq)shëm i dyllit në Londër, ka hapur degët e tij edhe në Nju Jork, Las Vegas, Hong Kong dhe Amsterdam, gjë që mund të ndihmojë në evitimin e radhëve të gjata për hyrjen në të, por kjo nuk pakëson çmimin që duhet paguar për ta parë: 25$ në Las Vegas!
5. Qendra tregtare Wall Drug
Në fillim ishte një farmaci e vogël në qytetin Wall të Dakotës së Jugut (nga ka marrë edhe emrin), por tani është kthyer në një qendër gjigande tregtare, me stilin uestern, po aq e madhe sa edhe vetë qyteti. Wall Drug, pra, është një qendër tregtare tipike amerikane, me suvenire kaubojsash, objekte të indianëve të Amerikës, kukulla që u tundet koka, bluza t-shirt me shumicë dhe xhakalopë (kafshë mitike e folklorit amerikan, me trup lepuri dhe brirë dreri). Me siguri, nuk do ta humbisni, pasi ka tabela reklame të saj për qindra kilometra me radhë në autostradën Interstate 90.
6. Shpella Blu (Grotta azzurra), Kapri, Itali
Kjo shpellë në ishullin e Kaprit, afër Napolit, është e dëgjuar për ngjyrën e saj të theksuar të ujit, një ngjyrë blu, e shkaktuar nga drita e diellit që pasqyrohet në shpellë nga poshtë ujit. Megjithatë, për të vajtur në shpellë ju duhet të udhëtoni me një motoskaf dhe pastaj një varkë të vogël me rrema, në detin e trazuar. E gjitha kjo për të kaluar pak minuta në shpellë, gjë që do t’ju kushtojë më shumë se 20 euro (pa llogaritur bakshishin). Me të drejtë, dikush do t’i bëjë vetes pyetjen: A është ngjyra e ujit shumë më blu se pjesa tjetër e Mesdheut?
7. Muzeu “Experience Music Project”, Siatëll, SHBA
Muzeu Experience Music Project/Fantashkencë dhe Hall of Fame në Siatëll është i vendosur në një kullë të lartë metalike, të dizenjuar nga arkitekti Frank Gehri dhe nuk është gjë tjetër veçse një koleksion i një fansi plak të fiksuar pas kitarave dhe objekteve të fantashkencës. Nëse jeni një fans i këngës “Louie, Louie”, të grupit The Kingsmen, aty është gati një kat që i është dedikuar asaj.
8. Fisherman’s Wharf (Moli i peshkatarit), San Fransisko, Kaliforni
Kjo lagje e San Fransiskos e mbushur plot me vizitorë, fillon nga bregu i detit, sheshi Girardeli deri në Pier 39 dhe zotërohet nga dyqane suveniri me shije të keqe, restorante në seri dhe shitës ambulantë. Përveç kësaj, me dhjetëra e dhjetëra luanë deti që hapin gojën, bërtasin dhe lëshojnë erë të keqe i bëjnë disa turistë të dëshirojnë një biletë vetëm vajtjeje në burgun famëkeq të Alkatrazit, që ndodhet përkundruall gjirit.
9. Gateway Arch, St Luis, SHBA
Monumenti më i lartë i vendit dhe ikonë e St Luisit, të lë mbresa kur e sheh nga poshtë. Nëse vendosni të hipni në majë të harkut, atëhere prisni një çmim hyrjeje të kripur, një pritje të gjatë për tramvajin dhe një krizë të rëndë klaustrofobike kur të jeni në zonën e vrojtimit.
10. Ndërtesa tregtare Faneuil Hall, Boston
Ndërtesa tregtare Faneuil Hall, përveçse është një ndalesë në rrugën historike të Bostonit, Freedom Trail (rruga e lirisë), është një konglomeratë dyqanesh në seri dhe dyqanesh suveniri. Quincy Market, ndërtesa kryesore, dominohet nga një oborr restorantesh me çmime të kripura dhe dy ndërtesat anash saj të bëjnë të ndjehesh si në një qendër komerciale të hapur. Të paktën tani që projekti i rindërtimit Big Dig Boston ka përfunduar, rrugës për atje nuk ju duhet të anashkaloni makinat me materiale ndërtimi.
11. Rruga Burbon, Nju Orelans, SHBA
Kjo rrugë e pisët e pjesës më popullore të qytetit të Nju Orleansit është e mbushur me klube të lira striptize dhe dyqane që shesin rrangullina. Natën, rruga mbushet me hajdutë dhe të dehur (pasi në Lagjen Franceze nuk ndalohet pirja e alkoolit në rrugë). Më mirë shkoni gjëkundi tjetër në Lagjen Franceze ose në lagjet fqinje, si Garden District, ose Foburg Marinji, për të përjetuar një eksperiencë autentike nga Nju Orleansi.