Është moderatore, producente dhe drejtuese ekzekutive e njërit prej formateve më të ndjekur dhe i vetëm në llojin e tij në televizionet shqiptare, “Njerëz të humbur”, emision i cili ka misionin për të gjetur shqiptarë të humbur dhe për t’i risjellë në familjet e tyre. Në sytë e Aida Shtinos, të gjithë shqiptarët shohin një shpresë të jashtëzakonshme për të rigjetur familjarët e humbur. Në këtë intervistë, ajo vjen në një rrëfim të detajuar mbi dashurinë e saj për këtë format, punën e pakushtëzuar dhe gjithçka tjetër për një atë vetë, jashtë ekranit televiziv!

Fabjola Kuburi: – Aida, përshëndetje dhe, si fillim, faleminderit që pranove të jesh pjesë e faqeve të gazetës sonë…
Aida Shtino: – Është kënaqësi e veçantë!
– Ti drejton një projekt shumë të vështirë, por që ka bërë të lumtur shumë njerëz, duke gjetur të dashurit e tyre të humbur gjatë tranzicionit shqiptar. A ndihet Aida një heroinë?
– Ky projekt është vërtet shumë i vështirë dhe është dashur një punë sistematike, duke vënë gjithmonë shpirtin në çdo histori për t’ia dalë mbanë, megjithatë, a ndihem unë një heroinë? Jo, nuk ndihem aspak heroinë pasi mendoj thjesht se ky është misioni i jetës sime, është qëllimi im dhe ku ka më bukur kur jeta të cilën ne jetojmë e ka një qëllim?!
– Cilat janë pikat më të vështira të programit?
– Kur kam pasur kërcënime nga më të shumtat, kur më është mbyllur çdo rrugë për të vazhduar emisionin dhe përsëri ia kam dalë e do t’ia dal, sepse ajo që bëj është diçka madhore, përtej kërcënimeve e interesave të vogla meskine, për të më nënshtruar.
– Nuk dua të bëj ndarje gjinore, por si mund të menaxhojë një femër një projekt kaq të gjerë e të madh?
– Misioni i shenjtë më jep forca për të menaxhuar çdo situatë, megjithëse jam femër, megjithëse nganjëherë më duhet të përballem me brutalitetin e seksit tjetër, pasi unë besoj tek ajo që bëj dhe kështu, edhe në kohët e mia më të vështira, nuk e humb besimin.
– Gjithmonë kam qenë kureshtare dhe pak paragjykuese… Si munden t’i dëgjojnë “të humburit” të afërmit e tyre që i kërkojnë mes lotëve dhe nuk bëhen të gjallë?
– Kur një njeri largohet, e bën për shumë arsye dhe, në rastet e emisionit tim, këta persona nuk duan ta kthejnë më kokën mbrapa. Kjo ndodh në të gjithë botën, jo vetëm te ne. Arsyet se përse nuk kontaktojnë janë nga më të ndryshmet, ato janë shumë personale.
– Në dallim nga moderatoret e tjera, që përpiqen të bien në sy edhe me veshje, ti vishesh këndshëm me petkun familjar. Pse kjo zgjedhje?
– Jam munduar gjithmonë të jem sa më modeste, duke pasur parasysh tematikën e emisionit tim. Pastaj, me historitë që trajtoj, unë futem në çdo familje shqiptare dhe dua të jem sa më pranë tyre edhe me veshjen time.
– Si është Aida Shtino përtej kamerave, në një ditë të zakonshme?
– Çdo ditë është e ngjeshur me shumë punë, takime, përgatitje për emisionin, menaxhim i stafit tim, historive, kërkimeve e gjithçka tjetër…
– Si është Aida si nënë, moderne apo tradicionale?
– Pak nga të dyja; mundohem të ruaj ekuilibrat.
– Zakonisht, djemtë janë më të lidhur me mamanë. Kështu ndodh edhe me djalin tënd?
– Jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin.
– Si mund t’i përfaqësosh akoma më mirë interesat e publikut?
– Duke qenë zëri i tyre.
– Ndoshta, si politikane?
– Në fakt, e provova dhe, të them të drejtën, provova trishtim për vetë faktin se si janë ndërtuar marrëdhëniet në këtë fushë të vështirë, siç është politika.
– A ke menduar të hedhësh në një roman historitë e “Njerëz të humbur”?
– Po, në fakt, kam kohë që kam filluar të hedh në letër mbresat e mia, emocionet, historitë, gjithçka që kam përjetuar dhe përjetoj, por se kur do të marrë formën e një romani, këtë le t’ia lëmë kohës.
– Po për jetën tënde, do të ketë një roman autobiografik?
– Nuk e di, ndoshta një ditë!
– Beson se femrat mund të të marrin si model jo vetëm për imazhin që ke krijuar në emisionin tënd, por edhe si një femër?
– Këtë nuk mund ta them unë, por mund të them se në gjithë jetën time unë përpiqem që gjithçka ta bëj me shumë dashuri për njerëzit dhe, gjithmonë, duke ruajtur dinjitetin tim.
– Kur televizioni është zgjedhja e duhur?
– Televizioni është një “arenë” shumë e vështirë. Duhet të kesh qëllime të përcaktuara se çfarë do të bësh dhe deri ku dëshiron të shkosh, duke menduar edhe mjetet e duhura për të arritur qëllimin, pa cënuar integritetin dhe dinjitetin tënd, pasi nuk mund të arrish te një njeri i ndershëm, duke ndjekur një metodë të poshtër.
– Ke zbuluar ndonjë formulë për të arritur te suksesi?
– Punë dhe përkushtim.
– Ti vetë, a ndihesh e realizuar?
– Në fakt, njeriu gjithmonë kërkon nga vetja, por unë, në njëfare mënyre, them se jam me fat sepse marr shumë dashuri nga njerëzit e nga publiku që më ndjek vazhdimisht dhe me besnikëri.
– Ke lënë më shumë pas dore anën profesionale apo personale?
– Në fakt, janë gërshetuar të dyja e, shpeshherë, edhe i ngatërroj. Puna ime është jeta ime dhe, në të dyja këto, mundohem të ruaj aftësinë për të parë gjërat e bukura, ato me vlerë. Kjo gjë më mban gjallë, duke ruajtur kështu entuziazmin për të vazhduar.
– Si i përballon sfidat?
– Duke besuar te mundësia e dytë, tek e “nesërmja”.
– Mendon se dështimet shërbejnë për të forcuar karakterin?
– Dështimet shërbejnë për të na treguar se kemi gabuar dhe se sa jemi të fortë për t’u ngritur sërish.
– Arrijnë të të bëjnë të lumtur edhe gjërat më të thjeshta?
– Po, sigurisht, edhe një mirëmëngjes i thënë me zemër më bën të lumtur.
– Cili është tipari që të dallon më tepër?
– Nuk di ta përcaktoj vetë, por në shumicën e rasteve mundohem t’i shikoj gjërat pozitivisht, pa parë anën tjetër të medaljes…
– Sa beson te vetja?
– Për aq sa e njoh, besoj shumë. (Buzëqesh)
– Kur je e vendosur dhe kur, jo?
– Varet nga ajo që dua të bëj, si edhe nga rrethanat, nuk diskutohet.
– Je gjendur ndonjëherë në ndonjë situatë të sikletshme?
– Për mua, s’ka situatë më të sikletshme sesa kur më duhet t’u jap lajme jo të mira familjarëve që më besojnë fatin e të dashurve të tyre.
– Si e kalon kohën kur nuk je e impenjuar me punë?
– Me njerëzit e mi të dashur, djalin dhe familjen time.
– Çfarë të bën të ndihesh e veçantë?
– Misioni që kam; të kthej sa më shumë njerëz pranë familjes.
– Për çfarë do të doje t’i jepje kohë vetes?
– Do të doja më shumë kohë të lirë që ta ndaja me djalin tim.
– Cila do të ishte situata që do të të acaronte më tepër?
– Më acaron çdo situatë që nuk është e drejtë…
– Kur dhe ndaj kujt je më mosbesuese?
– Ndaj atyre që gënjejnë, sigurisht.
– Gjithmonë gjejmë diçka që na pëlqen ose jo te vetja. Për ty, cilat janë ato gjëra?
– Qenia njerëzore është shumë e ndërlikuar, ecën paralelisht me të mirat dhe të këqijat e saj, kështu që nuk mund të përcaktohen qartë të mirat apo të këqijat te vetja.
– Cili film të ka lënë më shumë mbresa pasi e ke parë?
– “Avatar”.
– Do ta braktisje televizionin për ndonjë profesion tjetër?
– Si mundem të braktis një punë që e dua, për të cilën përpiqem çdo ditë, çdo çast dhe që është bërë pjesë e jetës sime? Ky është profesioni im!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *