Teksa bisedon me Çartanin, ai është krejtësisht “i zhveshur” nga Çartani i skenës dhe me atë thjeshtësinë që e karakterizon, tregon për shumë gjëra jo vetëm në lidhje me muzikën…

– Çarti, më thuaj, ç’gjë e veçantë të ndodhi sot?
– Asgjë ndryshe! (Buzëqesh)
– Nëse intervistën do ta nisnim me këngë, cila do të ishte ajo?
– Kënga “Ti ike”, që kam në bashkëpunim me Double T. (Buzëqesh)
– Këngët e tua përgjithësisht i dedikohen një dashurie të përfunduar dhe këtu do të përmendnim “1 sms”, “Veç 1 moment”, “Ti ike” dhe “Vetëm kujtohu”. Pse kështu?
– Po, sepse shpeshherë dashuritë përfundojnë! (Qesh) Unë bazohem te historitë e të tjerëve sepse në këtë mënyrë edhe gjërat shikohen më qartë dhe që, çdokush ta gjeje veten te këngët e mia.
– Krijimi i çdo kënge mbart një histori… Në cilën prej tyre ke qenë 100% ti?
– Te kënga “1 Sms”.
– I mendon shpesh apo i arkivon në harresë dashuritë e shkuara?
– I arkivoj në harresë sepse ashtu është më mirë. (Buzëqesh) Nëse sheh prapa, mund të rrëzohesh para.
– Këngët më të bukura realizohen nga ndjesitë negative apo nga ato pozitive?
– Nga ndjesitë negative. Ashtu frymëzohem më shumë.
– Po baladë mund të krijosh, i frymëzuar nga ndjesitë pozitive?
– Po, mund ta bëj.
– Dhe duke vazhduar me lajmet e bukura, para pak kohësh u martua një nga vëllezërit e tu. Jam kurioze të di, çfarë ka karakteristike një dasmë tropojane?
– (Qesh) Kemi kërcimin karakteristik që ne e quajmë tupan. Është mjaft i veçantë.
– Po ty, te një femër, çfarë do të të bindte menjëherë për t’u martuar?
– Në radhë të parë, thjeshtësia, sinqeriteti dhe respekti.
– Çfarë ndryshimi ndjen te vetja pas çdo dite arritjeje? Përshtatesh shpejt me to?
– Kam arritur të kuptoj se çfarë kërkon publiku, si dhe jam bërë më profesional në këngët e mia.
– Suksesi është i vështirë për t’u arritur, por i lehtë për t’u shijuar. Ti, çfarë po i shijon më shumë suksesit tënd të deritanishëm?
– Thjesht, tani frymëzohem më shumë nga fansat dhe më rritet vullneti që të jap më shumë për veten dhe për ta. Gjithashtu, ndihem mirë kur njerëzit më njohin, më respektojnë. (Buzëqesh)
– Sot, të gjithë mund të bëjnë muzikë, të gjithë mund të këndojnë, por është publiku ai që përzgjedh…. Cilët zgjedh publiku?
– Ata që janë më të mirët, janë zgjedhur! Publiku zgjedh cilësinë.
– Përveçse si këngëtar, si do të ishe kurioz ta shikoje veten?
– Si taksist! (Qesh) Nuk e kam menduar akoma, por tani që ma kujtove, do ta mendoj.
– Mendon se po të merreshe me diçka tjetër dhe jo me muzikë, do ta kishe më të lehtë apo më të vështirë?
– Më të lehtë e kam me muzikën sepse me muzikë jam rritur. Përderisa e kam zgjedhur… Por, me çfarëdo që të merresha, përsëri do ta bëja, sepse përshtatem.
– Cilët janë llojet e personave që përpiqesh t’u qëndrosh larg?
– Gënjeshtarët, mashtruesit, të pabesët. Këta lloj njerëzish, askush nuk do të donte t’i kishte afër.
– Po një person të cilin nuk do të doje kurrsesi ta humbisje?
– Një person që e kam afër dhe ndaj çdo gjë me të, i tregoj dhe më tregon sekretet. Një person të tillë, nuk do të doja ta humbisja kurrsesi.
– Çfarë të jep siguri dhe çfarë, pasiguri në jetë?
– Siguri më japin forca dhe dëshira për të ecur përpara, ndërsa ndjenjën e pasigurisë nuk e kam provuar ende. (Buzëqesh)
– Çfarë ndjesish të zgjon një femër që të kërkon falje?
– Nëse ka bërë diçka të pafalshme, nuk më zgjon asnjë lloj ndjesie sepse ka gjëra që nuk falen.
– Po një femër që qan?
– Varet për çfarë po qan… (Qesh) Nëse e kam bërë unë për të qarë, do ta merrja me të mira. (Buzëqesh)
– Më shumë ke lënduar apo të kanë lënduar?
– Më shumë kam lënduar. Mund të kem lënduar ndonjë femër pasi… jo çdo femër që kalon mund ta duash dhe nga kjo, mund të jenë lënduar!
– A kërkon Çartani falje?
– Nëse kam bërë diçka për të cilën duhet të kërkoj falje, po.
– Je dembel?
– Për ca gjëra, jam!
– Për shembull, e rregullon dhomën tënde?
– Dembel jam për dhomën, që thua ti (qesh), madje përtoj të eci edhe me makinë. (Qesh)
– Për çfarë nuk përton atëherë?
– Të këndoj.
– Si është arreduar dhoma jote?
– Si fillim, dhoma ime është gjithnjë rrëmujë (qesh) dhe kështu do rrinte nëse s’do të ma rregullonte mami. Në dhomën time mbizotëron ngjyra lejla e hapur dhe, më parë, para se të hapja studion, të gjitha gjërat i kam patur te dhoma ime.
– Terapia jote kundër stresit?
– Muzika.
– …edhe qeni yt është një antistres i mirë…
– Po, edhe ai është një antistres i mirë. (Buzëqesh)
– Tendenca e fundit e arabëve të pasur është edhe mbajtja nëpër shtëpi e luanëve dhe tigrave, të cilët i rrisin vetë që të vegjël. Do të të pëlqente ta përqafoje këtë tendencë?
– Po, do të më pëlqente shumë të mbaja një leopard dhe, po ta gjej, do ta blej.
– Më thuaj, çfarë të ka mbetur peng që nuk e ke thënë në intervistën e fundit që kemi bërë bashkë?
– Të gjitha i kam thënë, s’më ngeli gjë pa thënë. (Qesh)
– Aktualisht, je në përpjekje për…
– …për të arritur suksesin në atë çka dëshiroj.
– Fjala që ndjen të thuash tani?
– Arritje.

E vërtetë apo e gabuar?
– E organizoj çdo ditë timen…
– E vërtetë. Duhet ta kesh gjithmonë një plan për ditën.
– Urrej zgjimin herët në mëngjes…
– Shumë e vërtetë sepse fle vonë, por më pëlqen të zgjohem herët.
– Rruga ime deri këtu ka qenë çuditërisht e lehtë…
– Jo, aspak! Pasi provova e provova, erdha deri këtu ku jam sot.
– Jam një djalë punëtor…
– E vërtetë. (Qesh)
– Kam qenë një nga nxënësit më të mirë…
– Po, e vërtetë, madje edhe tani jam mirë me mësime.
– Më pëlqen kur të gjithë i kthejnë sytë nga unë…
– Disa herë, po, disa herë jo, sepse shikimet e gjata më vënë në siklet.
– Jam gati të bëj gjithçka për famën të cilën meritoj ta kem…
– E vërtetë për pjesën që unë mund ta bëj, por jo gjithçka.
– Kudo ku ndodhem, shkaktoj të qeshura, bëj humor…
– Zakonisht, po. (Qesh)
– Kur isha i vogël, doja të bëhesha agjent sekret…
– (Qesh) Meqenëse edhe babin e kam patur polic, po, plus që si çdo fëmijë, ndikohesha edhe nga filmat që shikonim.
– Do të më pëlqente të praktikoja jogën…
– E kam të vështirë të përqendrohem vetëm në diçka.
– Pas tatuazhit të fundit, po planifikoj të bëj edhe një tjetër…
– E vërtetë!
– Më pëlqen të bëj gara me makinat e mia, prandaj edhe organizoj shpesh të tillla në Durrës…
– Po, garat i kam qejf. Nuk i organizoj unë vetë, por marr pjesë në to. Shpesh, kam fituar. (Qesh)
– Më pëlqejnë filmat horror…
– E vërtetë! Filmi horror që më pëlqen më shumë është “The last exorcism”; është shumë i frikshëm.
– Kam frikë lartësitë, prandaj edhe udhëtimet me avion nuk më pëlqejnë…
– …Lartësitë i kam frikë, por të udhëtoj me avion, jo. Për shembull, nëse jam sipër një pallati, kam shumë frikë të shikoj poshtë sepse më duket sikur diçka më tërheq… (Qesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *