– Doktor Evi, kam një problem me potencën seksuale më duket, sepse kur bëra dashuri me të dashurën time (e kisha për herë të parë me këtë femër), nuk arrita dot të bëja seks. Ndoshta e kisha nga emocionet, nuk e di se çfarë më gjeti, por u kontraktova i tëri. Tani më vjen turp ta takoj përsëri atë vajzë. Ju, si e shpjegoni këtë gjë?
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – Së pari, mos u shqetësoni shumë, sepse nuk jeni i vetmi që ju ka ndodhur një gjë e tillë; është një situatë që e kalojnë edhe meshkuj të tjerë. Kjo që ju ka ndodhur ka një arsye të cilën do t’jua shpjegoj tani. Akti seksual lidhet me një sërë mekanizmash hormonalë, psikologjikë, nervorë dhe vazalë. Ky mekanizëm tashmë i njohur fillon me trurin, prandaj themi që organi seksual nuk është thjesht penisi, por truri i mashkullit. Te mashkulli, në momentin e eksitimit seksual, vihen në lëvizje hormonet dopaminë dhe oksitocinë (që ndodhen në tru) dhe në vazhdim, dy sistemet nervore simpatik e parasimpatik, të cilat nëpërmjet mekanizmave të unitetit të të kundërtave, veprojnë duke zgjeruar enët e gjakut të penisit dhe, për pasojë, shkaktojnë ereksionin.
– Sistemi nervor simpatik quhet sistemi i alarmit dhe ngushton enët e gjakut, ndërsa parasimpatiku, i zgjeron ato. Kur njëri sistem nervor është nxitur më shumë në krahasim me tjetrin, shkaktohet ose ereksioni, ose mungesa e tij. Në rastin e një gjendjeje frike, ashtu si edhe te ju, vepron sistemi nervor simpatik dhe, në këtë rast, mashkulli do të dështojë para aktit seksual, pasi ereksioni nuk do të kryhet. Në fillimet e aktivitetit seksual, shumë meshkuj mund të dështojnë. Kjo gjendje u krijon atyre frikë dhe pasiguri për një akt të dytë seksual, siç ka ndodhur edhe me ju dhe gjendja thellohet akoma më tepër në qoftë se ky dështim ndodh sërish. Në raste të tilla, është i këshillueshëm takimi me mjekun specialist, i cili nëpërmjet konsultës apo mjekimit, do të mundësojë kryerjen e një akti seksual cilësor.