Nuk kaloi shumë kohë nga dalja e klipit më të ri, “Prap”, kur Ertila na surprizoi me lajmin e fejesës së saj. I këndon gjithmonë dashurisë, mirëpo në bisedat tona është shumë e ndrojtur për këtë temë, sepse gjithmonë ka synuar që jetën personale ta mbajë larg medias…
Jemi mësuar që sapo ndryshon stinë, Ertila të vijë edhe më aktive në ekranet tona. Këtë herë, ajo sjell një këngë të re, shumë të pëlqyer në Youtube, ku i kërkon një djali t’i rikthehet si dikur. Në klip është lozonjare, si gjithmonë bashkë me trupën e baletit, por e mbuluar me tatuazhe që bien shumë në sy, edhe pse realisht, s’ka bërë ende asnjë të tillë. E pyetur rreth fenomenit “zog” në muzikë, ajo e cilëson si diçka të momentit, që do të venitet shpejt. Për më tepër rreth muzikës, planeve dhe jetës së Ertilës, ju ftoj të lexoni intervistën…
Rita Rrjolli: – “Prap… afër ty po du me t’pas…” Kujt i drejtohesh?
Ertila Koka: – U drejtohem të gjithë atyre që kanë një lidhje dashurie. Nëse në çdo rast është mashkulli që gabon, këtu, në këtë këngë, gabon femra.
– Çfarë të veçante tjetër ka kjo këngë?
– Kjo këngë është e gjitha e veçantë; pastaj, i takon publikut ta cilësojë.
– Si është kjo periudhë për ty?
– Një periudhë projektesh, por pasi nxjerr një projekt, mundohesh ta shijosh atë dhe unë atë po bëj aktualisht…
– Ku po e shijon lançimin e këngës?
– Po e shijoj më shumë me punë, që do të thotë, duke e promovuar këngën nëpër radio, në televizion, në revista apo gazeta. Sigurisht, edhe nëpër koncerte. Kjo është mënyra më e mirë për ta lançuar një këngë.
– Ke fitime nga Youtube? Nga i merr fitimet më të mëdha?
– Përfitimet më të mëdha vijnë nga koncertet, kurse nga Youtube, një pjesë më e vogël. Ama, kjo e fundit është një mënyrë shumë e mirë për t’u promovuar.
– Këngët i shoqëron më koreografi… Kaq aktive je edhe kur shkon në diskotekë?
– Këngët i shoqëroj me koreografi, pasi më pëlqen shumë të kërcej, e kam adhuruar gjithmonë baletin. E tillë jam dhe në jetë! Sa më e bukur të jetë muzika, aq më e apasionuar jam unë pas saj.
– Nëse s’do të ishe këngëtare, mos ndoshta do të ishe një balerinë e mirë?
– Po, besoj se do ta kisha provuar. (Buzëqesh)
– Gjatë klipit, bien në sy tatuazhet e shumta që ke në krahë. Çfarë simbolizojnë ato?
– Tatuazhet janë trendi i momentit dhe, vendosjen e këtij detaji në klip, e bëmë për të ardhur ndryshe edhe në stil.
– Janë të vërteta?
– Jo, nuk janë të vërteta se nuk do të rrezikoja aq shumë. Tatuazhet ishin veç për atë ditë.
– Nëse do të bëje një, për kë do ta bëje?
– Dëshira ime është të bëj një për mamin dhe do të jetë super i bukur, por deri tani nuk kam asnjë tatuazh në trup.
– Erdhe sërish në këngë me dialektin kosovar… Pse?
– Duke qenë se bashkëpunëtorët e këngës janë nga Kosova, disa fjalë janë edhe në dialektin e tyre, pasi një nga tekstshkrueset, përveç Danjës, është Filloreta. Ajo i ka dhënë këtë theks.
– Ditët e fundit mësuam lajmin surprizë të fejesës tënde. Prej kaq kohësh karrierë, nuk je përfolur ndonjëherë për lidhjen me ndonjë mashkull…
– (Buzëqesh)…
– Urime! Si ndihesh?
– Jam e lumtur.
– Kur ka qenë hera e fundit që i ke thënë “të dua”?
– Para 5 minutash.
– Cili ka qenë propozimi më i bukur?
– Propozimi më i bukur ka qenë në mes të Romës.
– Ende nuk ke bërë bashkëpunim me një këngëtar tallavaje… Ama, e ke menduar, apo jo?
– Nuk kam bërë, është e vërtetë. E vërtetë është edhe që nuk e preferoj shumë tallavanë.
– Po një këngëtar të kësaj rryme, që e simpatizon?
– Nuk kam. (Buzëqesh)
– Po qarkullon shprehja: “zogu i këngëtareve, po shet shumë”. Si e shikon ti këtë fenomen?
– Bota e artit dhe shovvbizit, së fundmi, po pranon gjithçka, edhe fenomenin e ashtuquajtur “zog”, që është diçka e momentit, por që do venitet shpejt.
– Të duket gjetje e mirë për të shitur albume?
– Doje të thoje ndoshta këngë singëll, se albumet tani nuk po shiten. Secili këngëtar zgjedh vetë se si të shesë në treg. Ato që e kanë bërë, sigurisht, e kanë bërë për të fituar famë dhe për të shitur.
– Ti, do ta bëje?
– Nuk besoj.
– Meqë zogun e nxori Tuna, ti, çfarë do të nxirrje pikën tënde më të fortë në fizik?
– No koment.
– Ke udhëtuar këto kohë?
– Po, kam udhëtuar goxha, si me punë, ashtu edhe me pushime.
– Një pjesë të pushimeve e ke bërë në Siçili. Po të tjera, ke planifikuar?
– Po, kam planifikuar të pushoj edhe disa ditë në rivierën tonë të mrekullueshme, në Jug.
– Si është axhenda jote, më shumë punë, apo pushime?
– Po i ndërthur bashkë, edhe punë, edhe pushime.
– Kënaqësia më e madhe që ke përjetuar kohët e fundit?
– Kënaqësia ime më e madhe ka qenë nxjerrja e tre klipeve brenda një viti dhe shpërblimi i tyre me dashurinë e fansave dhe njerëzve të afërt.
– Fjala e urtë që të personalizon?
– “Jeto sikur do të vdesësh nesër dhe mëso sikur do të jetosh gjithmonë”.
– Ëndrra në sirtar…
– Dihet që artistët kanë një dollap, jo vetëm sirtar! Normale që ëndrra ime është të arrij majat dhe për këtë, po punoj shumë. Do të punoj akoma më shumë, që të mos zhgënjej asnjëherë ata që me duan dhe që kanë besuar gjithmonë tek unë.
– Nga 1 te 10, sa e sinqertë ke qenë në këtë intervistë?
– 9 ose 10 absolute. (Buzëqesh)