– Jam një emigrant në Ankona të Italisë, në moshen 65 vjeç. Kam rreth 17 vjet në Itali dhe kam punuar me sigurime shoqërore për rreth 7 vjet. Në Shqipëri nuk përfitoj pension sepse kam 10 vite sigurimi. A përfitoj ndonjë të ardhur sipas legjislacionit italian?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar letërshkrues, me vjetërsinë kontributive që keni në Itali, në rast se jeni regjistruar dhe keni paguar kontributet e sigurimeve shoqërore mbas datës 01.01.1996, mund të përfitoni pension me vjetërsinë që keni, mbas moshës 70 vjeç e 3 muaj, por në rast se keni një rezidencë të përhershme e pandërprerje dhe nuk keni të ardhura të mjaftueshme, është mundësia që të trajtoheni me pagesë sociale.
– Për të përfituar pagesën sociale duhet të plotësoni disa kërkesa. Shuma e pagesës sociale ndryshon çdo vit. Pagesa sociale për vitin 2015, u jepet të gjithë qytetarëve italianë, komunitarëve dhe ekstrakomunitarëve që kanë leje qëndrimi në BE për një periudhë të gjatë. Kërkesat për të bërë aplikimin për pagesë sociale 2015 janë:
– Kërkesa personale; – mosha 65 vite e 3 muaj, (rritja e moshës për 3 muaj për gratë dhe burrat, është përcaktuar nga Reforma Fornero mbi pensionet, bazuar në parimin e koeficientit të jetëgjatësisë.)
– Kërkesa e rezidencës; – Kanë të drejtë për pagesë sociale për vitin 2015, të gjithë banuesit efektivisht në mënyrë të përhershme në Itali. Nga 01.01.2009, për të patur të drejtën e pagesës sociale, si një kërkesë shtesë, është domosdoshmëria për të patur një qëndrim të ligjshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme në Itali, për jo më pak se 10 vjet.
– Kërkesa e të ardhurave; Pagesa sociale, si një formë e të ardhurave asistenciale, u jepet të gjithë qytetarëve pa të ardhura, ose që kanë të ardhura në një shumë më të vogël se kufiri i përcaktuar në ligj. Ky limit i të ardhurave për 2015, për pagesën sociale është 5830.76 euro në vit.
– Aplikimi për pensionin social duhet të dërgohet në rrugë telematike, duke përdorur shërbimet online të INPS, në rast se disponohet PIN, ose duke telefonuar në numrin e gjelbër 803 164 pa pagesë, ose nga një telefon fiks 06164164. Aplikimi mund të bëhet edhe nëpërmjet patronateve, si ndërmjetësues të INPS pa pagesë. Modulari i aplikimit për pagesën sociale 2015, shkarkohet pa pagesë nga siti i institutit në format me modulin; modulo assegno Sociale 2015 INPS. Masa e plotë e pagesës sociale, miratohet nëse personi është brenda kufijve të të ardhurave të fiksuara me ligj, të publikuar nga INPS në janar të çdo viti dhe për vitin 2015 është e barabartë në 5,830.76 euro në vit. Pagesa sociale, nuk mund të jepet në favor të trashëgimtarëve, në rast të vdekjes të mbajtësit dhe kjo e drejtë humbet në qoftë se personi largohet nga Italia, apo pezullohet kur qëndron jashtë Italisë më shumë se 30 ditë. Pagesa sociale 2015 jepet bazuar në shumën e të ardhurave personale dhe në rast se personi është i martuar, merren parasysh të ardhurat e përbashkëta me bashkëshortin.
– Kanë të drejtë të gjithë personat: Të pamartuar që nuk kanë asnjë të ardhur. Të martuar që kanë të ardhura familjare më të vogla se 5.830.76 euro në vit. Kanë të drejtën për pagesë në mënyrë të reduktuar personat: Të pamartuar që kanë të ardhura më të vogla vjetore të pagesës. Të martuar që kanë një të ardhur familjare më të vogël se dyfishi i shumës vjetore të pagesës, pra, të ardhura më të vogla se 11.661,52 euro. Në rast se plotësoni këto kushte, ju rekomandoj që për aplikimin të kërkoni ndihmën e punonjësve të zyrave të Patronato INAS në zonën ku banoni, të cilët do t’ju ndihmojnë për të kryer të gjitha procedurat. Ju falënderoj për besimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *