Kjo që do t’ju tregoj është një histori që bazohet te besimi në të madhin Zot.
Kur ndodhemi në vështirësi, kur e shikojmë veten sikur jemi në grackë dhe nuk gjejmë asnjë rrugëzgjidhje, nuk ka rëndësi se çfarë feje jemi:
Myslimanë, bektashinj, katolikë, ortodoksë apo të ndonjë besimi tjetër, ne i drejtohemi Perëndisë, krijuesit të gjithçkaje, atij që na fali jetën, që na do dhe na mëshiron, atij që i rrëfejmë mëkatet tona dhe na i fal ato, atij që nuk mund t’i fshehim asgjë.
Ai vendos për fatet tona. Besimi që kemi tek ai, na bën të lutemi, të kalojmë një lumë të rrëmbyeshëm dhe të mbetemi gjallë, të mbijetojmë nën rrënojat e një tërmeti…
Pikërisht për këtë besim do t’ju tregoj. Do t’ju tregoj për një grua të krishterë ashtu siç jam edhe unë vetë, që besimi në Zot e mban gjallë, që shpresa në Zot i jep forcën dhe besimin se një ditë do të shërohet. Aktualisht, ajo është 45 vjeçe dhe vuan prej një kanceri në mitër prej 15 a më shumë vjetësh. Vazhdon të marrë kura dhe ilaçe të shumta, por nuk ka vetëm një sëmundje. Unë e kam njohur para dhjetë vjetësh, kur për shkak të punës së burrit, nga fshati, shkuam në qytet. Kur takoheshim për lutje bashkë me të krishterë të tjerë, një nga lutjet ishte për të dhe kurioziteti ishte shumë i madh që të njihnim këtë motër që ndodhej në spital në gjendje të rëndë. Kështu, vendosëm me burrin që të shkonim ta takonim edhe ne. E takuam dhe u bëmë vërtet miq. Për të ndjeja dhimbshuri të madhe, dashamirësi dhe bëja sa mundja për këtë të krishterë që ishte mjaft e varfër nga ekonomia, por shumë e pasur në zemrën e saj. Ajo kishte një besim të paparë në Perëndi, edhe pse vuante tmerrësisht, kishte dhimbje për të cilat ndoshta një njeri tjetër do të mallkonte dhe nuk do ishte në gjendje të mbijetonte kaq gjatë. Ajo besonte, lutej dhe thoshte:
“Zoti ka një plan për mua dhe më ka dhënë forcë për të përballuar gjendjen në të cilën ndodhem. Nëse do të shërohem, do të dal derë më derë dhe do të tregoj këtë mrekulli që bëri Zoti me mua”.
Admirimi për këtë grua që besimin e kishte aq të madh sa sot e mban akoma gjallë, ishte i madh. Shpesh, ajo ishte në lutjet e mia. Ndonjëherë duke menduar për të dhe familjen e saj, për varfëninë që kishin, për pamundësinë, i thosha tim shoqi: “A nuk lëmë diçka mangut për veten dhe e ndihmojmë atë?”.
Ndihma që jepnim për të nuk ishte asgjë, duke qenë se as ne nuk ishim të pasur, por atë ndjenjë që kisha unë për të, e kishin edhe të tjerë. Atë e ndihmonin edhe besimtarë të tjerë, që vinin në kishën tonë. Me një luftë të madhe dhe me ndihmë, ajo pati mundësinë të shkonte në Greqi për t’u kuruar dhe, kur u kthye prej andej, ishte e shëruar dhe e lumtur. Me të madhe e shprehte besimin e saj në Zot dhe mrekullinë që ai kishte bërë për të. Meqenëse besonte se ishte shëruar plotësisht, i hodhi të gjitha recetat që kishte, por shqetësimet iu shfaqën përsëri dhe u detyrua të shkonte prapë në spital. Të shkonte përsëri në Greqi qe e pamundur, gjendja e saj rëndohej, disa herë e fusnin në sallën e operimit dhe po aq, doktorët e kthenin mbrapsht. Ata mendonin se ajo do të vdiste dhe shpreheshin: “Bëhuni gati, merreni në shtëpi, nuk e ka të gjatë”, por kalonin kohë dhe kur u thoshin që ishte ende gjallë, ata ngrinin duart lart. Doktorët na kurojnë, na shërojnë, por ata nuk vendosin nëse do vdesim apo do jetojmë; është vetëm Zoti ai që vendos për ne.
Ajo është gjallë, e mban trupin me sallatë jeshile, edhe pse në pamje të parë ngjan e shëndoshë dhe e fryrë. Ndërsa shpirtin e mban me lutje, lutje që edhe ne të kishës nuk i kursejmë për të. Miqësia jonë qe e madhe. Edhe sot që jemi larg, e tillë është. Disa herë në ditë, ajo na përshëndeste me zile telefoni. Kur unë dhe im shoq punonim në furrë natën, ajo na çonte zile, duke na kujtuar që t’i luteshim Zotit për të, ndërsa sot dera jonë është gjithmonë e hapur për këtë grua.
Ju do të pyesni: “Pse Zoti nuk i jep shpëtim?”. Ndonjëherë, edhe unë e pyes veten: “Pse kaq shumë vuajtje për atë grua, për atë nënë që ka tre vajza dhe e shikojnë se si vuajtjet e saj nuk kanë reshtur, prej shumë vitesh?”.
Nga njëra anë e admiroj besimin e saj dhe, nga ana tjetër, ndjej ligështi në shpirt për vuajtjet e saj dhe e pyes veten e Zotin: “Pse? Pse gjithë kjo vuajtje? Pse gjithë kjo varfëri që e rrethon atë familje? Kjo pamundësi për t’i bërë ballë jetës dhe kësaj bote të pamëshirshme…”. Megjithatë, unë mendoj se Zoti ka zgjedhur një rrugë për secilin nga ne, duke na bërë dëshmintarë të fuqisë, dashurisë e mirësisë që ai ka për ne, megjithëse jemi ziliqarë, cmirëzinj, mëkatojmë çdo ditë dhe jemi besimpakë.
Ju që do ta lexoni këtë histori, shpresoj të prekeni nga besimi i kësaj gruaje, që të besoni apo të ktheheni në besimin e Zotit, duke dëgjuar fjalën dhe ndjekur ligjet e tij. Unë lutjet e mia nuk i kam kursyer për atë grua, madje as ndihmën. Po të kisha patur mundësi, e them me bindje të plotë, do të kisha bërë edhe më shumë. Ndoshta, edhe ju, po ta kishit njohur, do të kishit bërë kështu, por unë ju kërkoj shumë pak; vetëm një lutje për atë, nga ju lexues, sepse lutja, sa më e madhe të jetë, aq më çudibërëse është…