– I nderuar instruktor, sado që marr informacion mbi shëndetin apo ruajtjen e linjave trupore, përsëri kam ca dyshime te sasia e ushqimeve që duhet të konsumoj. Unë, për shembull, ha shumë fruta. Mos është ky shkaku që shtoj në peshë shumë shpejt? Sa fruta duhet të konsumojmë? Unë, as ujë nuk pi shumë… Po ushtrime, sa duhet të bëj, që të bie në peshë më lehtë?

Mario, instruktor: –  E kuptoj shqetësimin tuaj dhe pyetjet që shtroni. Vërtet në të gjitha faqet shëndetësore dhe të fitnesit thuhet: “Hani sa më shumë fruta apo perime”, apo “pini sa më shumë ujë”, por dhe për to ka një limit. Kam shkruar edhe më parë, me sa mbaj mend, që edhe frutat kanë sheqer, nuk kanë ndonjë përqindje të madhe, ama kanë dhe nëse e tejkaloni masën, edhe ato shkaktojnë shtim në peshë. Sipas një studimi të fundit, për të llogaritur se sa fruta duhet të hani në ditë, merrni si masë filxhanin, që do të thotë: 2 filxhanë fruta në ditë. Si ta kuptoni këtë? Gjysma e filxhanit është llogaritur si një frut (mollë, banane, portokall, pjeshkë etj.). Atëhere, kur themi se duhet të konsumoni dy filxhana me fruta në ditë, do të thotë për shembull, dy mollë dhe dy banane, ose dy dardha, plus dy pjeshkë. Ju mund edhe t’i përzieni, për shembull, dy mollë plus një banane dhe një portokall. E rëndësishme është të jenë 4 fruta në ditë, jo më tepër, pra, dy filxhanë në ditë. Ndoshta ju vërtet e teproni me konsumimin e frutave, ndaj edhe keni marrë shëndet. Duke filluar që sot, mundohuni të ndiqni shembullin që ju dhamë më sipër. E rëndësishme është të konsumoni pak nga të gjitha, ndërsa perime mund të konsumoni më shumë se 2 filxhanë në ditë, mund të përdorni sallaturina të ndryshme me jeshillëqe, por që të kenë pak kripë, jo shumë. Supërat me perime janë ideale për të ruajtur linjat dhe për të rënë në peshë. Kur ju konsumoni një pjatë me supë përpara se të konsumoni një racion mish, po themi, do të ndiheni më të ngopur dhe s’do të konsumoni shumë. Hajeni ngadalë ushqimin, në mënyrë që të ngopeni më shpejt. Pastaj, është më mirë të lini pak mangut nga vakti, pra, të mos arrini në tejngopje. Kjo është e mirë si për shëndetin, ashtu edhe për linjat trupore.

– Ndërsa përsa i përket ujit që duhet të pini, normalisht, duhet pirë ujë të paktën 8 gota në ditë. Por, ka persona që kanë më shumë ose edhe më pak nevojë për ujë. Për shembull, nëse shkoni në palestër apo bëni punë fizike, atëhere keni nevojë për më shumë se 8 gota ujë në ditë. Por për të gjetur sasinë e mjaftueshme të ujit që duhet të konsumojë çdokush, duhet të përdorni këtë formulë: Pjesëtoni peshën tuaj me 30.5 dhe ju del sasia e ujit që duhet të pini në ditë.

Sa i përket palestrës, më shumë rëndësi se sa duhet të ushtroheni, ka mënyra se si ushtroheni. Sipas ekspertëve, duhet të bëni të paktën dy orë e 30 minuta ushtrime aerobike në javë që mund të jetë ecje e shpejtë, not, aerobi, zumba, vrap, çiklizëm. Këto ushtrime duhet të shpërndahen gjatë javës kur ju keni mundësi. Veç kësaj, të paktën dy herë në javë duhet të ushtroheni me pesha, gjë që ndihmon jo vetëm në tonifikim, por edhe në ndërtim muskujsh, që veprojnë në djegien e kalorive dhe shmangien e shumë sëmundjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *