“Qysh ki qef”, një titull mjaft interesant që pason një këngë dhe një klip po aq interesant, të sjellë nga këngëtarja Beatrix Ramosaj. Ndërkohë që të gjithë prisnin prej saj një këngë ritmike verore, ashtu siç ka bërë pjesa më e madhe e kolegeve, pas një pauze të qëllimshme në muzikë, Beatrixi vjen me një këngë shumë stil të rrymës Pop/RnB. Ajo është krenare për emrin që mban, emrin e mbretëreshës së Hollandës dhe për suksesin që ka arritur, por ambiciet e saj nuk mbyllen me kaq… Ashtu si çdo intervistë tjetër e bërë me të më parë, edhe këtë herë me Beatrixin, biseda është mjaft interesante dhe në të përfshihet jo vetëm muzika, por edhe detaje të marrëdhënies së saj me vëllain, Albanin…
Mia B. – Beatrix, sapo ke sjellë këngën dhe klipin tënd më të fundit “Qysh ki qef”. A ka dalë ky produksion ashtu siç ti e kishe qejf?
Beatrix: – Ka dalë fiks ashtu siç kam pasur qejf unë! (Qesh) Kënga është e rrymës pop/rnb, që unë e kam sjellë në stilin tim, beat-in e ka bërë Lirian Lurro Kaqi, melodinë Seven Saraçi, Mix/Master, Red Box Entertainment dhe tekstin, Asdren Gjikolli. Kemi qëndruar shumë netë pa gjumë duke punuar derisa e mbaruam dhe qysh kishim qejf ne, doli kënga. (Buzëqesh) Pastaj videoklipin e realizuan Pro… Video, të mrekullueshëm!
– Ndërkohë që pothuajse të gjitha koleget kanë sjellë këngë ritmike verore me klipe hot, ti sjell një këngë krejt të veçantë. Me ç’qëllim?
– Nuk e kam bërë me qëllim. I’m just doing my thaaaang! (Thjesht, po bëj punën time)
– Nisur nga titulli i këngës, të cilin e ke bërë të ditur para se të publikohej klipi, pritej një këngë dhe klip më i egër…
– Në këtë stil e kam gjetur veten këtë verë, më pëlqeu të sjell diçka ndryshe nga ajo që pritet.
– Nëse e ke vënë re edhe ti, këtë verë, në këngë, kemi dëgjuar vetëm dialekt kosovar. Pse?
– Mendoj se i jep më shumë mundësi këngëtarit të luajë me vijën melodike.
– Numri i këngëtareve, sidomos i atyre pa talent, sa vjen e shtohet. Të frikëson kjo?
– Nuk më frikëson sepse jam e bindur në aftësitë e mia si këngëtare, por më vjen keq që shpeshherë i kushtohet më shumë vëmendje një performance pa talent, sesa një zëri që ia vlen të dëgjohet.
– Mendon edhe ti se muzika po shihet gjithnjë e më shumë si biznes dhe jo si pasion? Si e shikon ti?
– Muzika është profesioni im, por ka vite që është pasioni im më i madh!
– Pse me floke të kuqe këtë herë? Kur do të të shohim bjonde ose me flokë blu, për shembull?
– Mendoj se është një ngjyrë që më shkon dhe mua personalisht më pëlqen shumë. Mendoj se, njëherë për njëherë, kjo është ngjyra ime!
– E ke gjithmonë sigurinë në vetvete apo ndjen nevojën e mbështetjes së dikujt?
– Të gjithë kanë nevojë për mbështetje ndonjëherë dhe unë jam me fat që kam mamin dhe Albanin që më mbështesin gjithmonë.
– Çfarë ka gjithmonë efekt pozitiv te ti?
– Një përqafim.
– Ka ndonjë gjë që të vë në siklet? Cila është ajo?
– Vihem në siklet shpesh sepse e kam shumë të vështirë të mbaj mend emrat. Ka raste që ndodhem disa herë në tavolinë me një person dhe kur vjen momenti t’i regjistroj numrin, ia jap telefonin ta regjistrojë vetë. (Qesh)
– Kur mund t’i thuash vetes se i ke arritur ato që ke dashur?
– Është ende shpejt të arrij synimet që i kam vënë vetes, por mendoj se jam në rrugën e duhur.
– Qëllimi që do të doje të arrije këtë vit…
– Të sjell sa më shumë këngë që të pëlqehen dhe të vlerësohen nga publiku.
– Çfarë mendon se e kanë tipike femrat sot?
– Të zhvishen, gjë që jo gjithmonë është e këndshme.
– Çfarë të motivon për të ecur para?
– Të bëj krenare veten dhe time më.
– Fama sjell edhe miqësi të shtirura. Ti, arrin ta bësh dallimin?
– Edhe në momentet kur jam verbuar dhe nuk kam arritur të bëj dallimin, falënderoj Zotin që kam rreth meje njerëz që më ndihmojnë të shoh më qartë.
– Bëhet kjo edhe më e vështirë edhe në marrëdhënie të tjera? Edhe në ato të dashurisë?
– Marrëdhëniet e dashurisë janë një çështje e ndërlikuar me apo pa famën.
– Çfarë është e rëndësishme për harmoninë e një çifti?
– Mendoj se është shumë e rëndësishme të ketë besim nga të dyja palët.
– Për ç’arsye do t’i jepje fund një lidhjeje, qoftë ajo edhe e gjatë?
– Tradhtinë dhe gënjeshtrat, nuk i fal.
– Nëse ndodhesh vetëm në shtëpi, kohën e shfrytëzon për të parë një film, për të gatuar, për të biseduar me mikeshën tënde të ngushtë apo për të dalë?
– Nëse ndodhem vetëm në shtëpi, kohën e kaloj duke bërë të gjitha ato që sapo përmende më lart. (Qesh)
– Si dhe ku i kalove pushimet e kësaj vere?
– Këtë verë kam kaluar disa pushime në Kosovë, te gjyshja ime në Deçan, disa ditë i kam kaluar në mal, në Bogë të Rugovës me shoqërinë, pastaj me familjen kam kaluar disa ditë të tjera në Jug të Shqipërisë, në Himarë dhe në Jalë.
– Situata më e veçantë që të ndodhi këtë verë…
– Kjo verë ka qenë e mbushur plot e përplot me momente të veçanta, por një moment qesharak i kësaj vere ishte kur u vetëmbylla padashje në ballkon dhe m’u desh të kaloja natën aty. (Qesh)
– Bën plane?
– Sa herë bëj plane, më prishen, kështu që preferoj të jem më spontane.
– Kemi përpara Këngën Magjike dhe Top Fest. Do marrësh pjesë?
– Akoma nuk kam vendosur gjë…
Qysh e ki qef?
– Ta kalosh verën?
– Duke vizituar sa më shumë vende të jetë e mundur.
– Stilin e veshjes?
– Varet si ndihem për momentin.
– Ta kesh shtëpinë tënde personale?
– Të madhe, me pishinë, me një studio muzikore brenda. Oh, një ëndërr!
– Të kalosh një mbrëmje me miqtë?
– Duke bërë qejf, s’ka rëndësi vendi, rëndësi ka që të jem me ata.
– Kafen e mëngjesit?
– Turke, e pi gjithmonë me mamin.
– Të jesh e rrethuar me njerëz apo të “arratisesh” diku vetëm?
– Ndonjëherë njeriu ka nevojë të jetë edhe vetëm, por përgjithësisht, e vlerësoj shumë shoqërinë.
Beatrix-i dhe Albani…
– Kush nga ju të dy është më i shkathëti?
– Asnjëri s’e le mbrapa tjetrin.
– …po më i turpshmi?
– Emmmmmm, më zuri turpi tani. (Qesh)
– Kush e mban më shumë pultin e televizorit?
– Mami.
– Kush ngrihet më herët në mëngjes?
– E para zgjohet mami. Pastaj, më zgjon edhe mua për të pirë kafen e mëngjesit bashkë. Albani fle më shumë nga të gjithë.
– Kush bërtet më shumë?
– Të dy, gjatë gjithë kohës. (Qesh) Meqë ra fjala, po i shijoj shumë këto pyetje. (Buzëqesh)
– Kush ka gjithmonë të drejtë?
– Të dy jemi kokëfortë dhe i themi njëri-tjetrit: “Unë kam të drejtë”, “Jo, unë!”, “Jooo unëëë!” (Qesh)
– Kush është më i dhënë pas gatimit?
– Albani është kuzhinier më i mirë. (Buzëqesh)
– Kush është më llupësi?
– Të dyve na pëlqen shumë ushqimi, por unë kam një neps të pashtershëm. (Qesh)
– Kush e harron shpesh dritën ndezur, derën hapur apo celularin mbi tavolinë?
– Unë, gjithmonë. (Qesh)
– Kush nga ju e bën pazarin?
– Për këtë punë, Albani thotë që është gjithmonë shumë i lodhur dhe më mbetet mua. (Qesh)
– Kush i bën më tepër dhurata dhe surpriza mamit?
– Të dy mundohemi t’ia bëjmë qejfin sa herë kemi mundësi.
– Çfarë vendesh frekuentoni kur dilni bashkë?
– Unë me Albanin jemi gjithmonë bashkë.
– Koha më e gjatë që keni qëndruar larg njëri-tjetrit…
– Gjatë kohës që unë isha në Gjermani, kemi ndenjur katër muaj larg njëri-tjetrit. Ishte shumë e vështirë për mua sepse nuk jemi mësuar të mos e shohim njëri-tjetrin për një kohë aq të gjatë.