– Jam e shqetësuar për sytë e mi. Ka ca kohë që më shfaqet para syve një si tip pëlhure, që nuk më lë të shikoj mirë. Veç kësaj, vërej edhe shenja të zeza në formë të vijave të ndërprera. Më duket sikur do të verbohem nga momenti në moment. A është e trashëguar verbëria? Dua të theksoj që stërgjyshja ime, në moshën 60 vjeçe, nuk shikonte më. S’i kam pasur më përpara këto probleme, prandaj edhe jam e shqetësuar…
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – E dashur letërshkruese! Ankesa që ju përcillni në letrën tuaj është nga më të zakonshmet në praktikën okulistike. Në përgjithësi, kjo ankesë nuk ka kufizim moshe, por kryesisht fillon mbi 25 vjeç dhe lidhet shumë me fragmentet e yndyrnave në gjak dhe raportin midis tyre. Në pjesën më të madhe të rasteve, kryhet një lipidogramë e cila është analiza e një kampioni gjaku në laborator dhe analizimi i fragmenteve yndyrore në të, për të parë nivelin e yndyrnave. Personi i percepton këto fijëza të vogla në formë të ndryshme si: presje, bisht komete etj. dhe ato janë të lëvizshme njësoj si lëvizjet e syrit. Pra, në qoftë se personi sheh drejt, ato i ka në qendër të të parit, në qoftë se ai sheh djathtas, ato lëvizin në të djathtë, në lëvizjen e syve. Arsyeja pse lëvizin me lëvizjen e syve është sepse janë fragmente që pozicionohen në trupin qelqor të syrit (corpus vitrem), i cili është një strukturë xhelatinoze që merr formën e syrit dhe lëviz në të njëjtin kah me lëvizjet e syrit. Për këto pikëza apo vijëza të vogla, në pjesën më të madhe, nuk rekomandohet mjekimi.
– Në raste të veçanta, mund të përdoren stimulatorë të shikimit si: utravisina capsulë 1 herë në ditë në drekë para ushqimit etj. Shumë qetësuese janë syzet e diellit, të cilat bëjnë që pupilla (bebja e syrit) të qëndrojë e dilotuar (jo e kontraktuar) dhe fijëzat e vogla të mos jenë bezdisëse. Përsa i përket trashëgimisë, kjo nuk është sëmundje e trashëguar dhe nuk mendoj se ka lidhje gjenetike me problemin i cili ka shkaktuar verbimin e stërgjyshes. Stërgjyshja mund të jetë verbuar në moshën 60 vjeare nga sëmundje të tjera, si tensioni i syrit (glaucoma), diabeti në sy etj. Nuk keni sëmundje të tillë, për t’u shqetësuar. Mjafton të bëni një vizitë okulistike të hollësishme dhe do të qetësoheni menjëherë, pas udhëzimeve që do t’ju jepen në lidhje me strategjinë e shërimit të problemit tuaj.