– Përshëndetje redaksia! Po ju shkruaj sepse jam shumë e shqetësuar me një fenomen që po më ndodh këto kohët e fundit. Unë kam dëgjuar që të bien flokët, por nuk kisha dëgjuar kurrë se mund të binin edhe vetullat. Kjo gjë ka filluar të më ndodhë këto ditë dhe jam stresuar jashtë mase. Mos do të ngelem pa vetulla? Çfarë e shkakton rënien e vetullave dhe si të veproj tani?
– Përshëndetje, e nderuar lexuese! Ndonëse nuk e paskeni dëgjuar më parë, rënia e vetullave nuk është një fenomen i ri. Më së shumti, shkaktare e rënies së vetullave është një sëmundje autoimune, e quajtur alopecia. Alopecia lokalizohet te flokët, por mund të prekë edhe qimet e trupit dhe të fytyrës. Në rastin e kësaj sëmundjeje, organizmi prodhon antitrupa ndaj folikulit të qimes, duke shkaktuar kështu rënien e saj. Nëse rënia e vetullave ka shkak këtë sëmundje, ekziston mundësia që ato të rriten sërish, falë mënyrave të shumta të mjekimit të saj, edhe pse për këtë do të duhet një kohë e gjatë.
Shkaqet e tjera janë ato gjendje te organizmit që shkaktojnë shtim të rënies së qimeve dhe ngadalësim të mbirjes së tyre. Ndër këto gjendje, përmendim stresin, gripin, ethet, infeksionet e rënda, çrregullimet hormonale dhe ato të tiroides, mungesën e vitaminave, proteinave dhe hekurit, ndonjëherë kontraceptivët oralë etj. Në këto raste, zgjidhja e shkakut, zgjidh edhe pasojën, pra, zhduk menjëherë këtë fenomen. Me pak fjalë, ky nuk është një problem pa zgjidhje, ndaj gjëja më e mirë që mund të bëni në këtë moment, është të shmangni stresin dhe të përpiqeni të gjeni shkakun e rënies së vetullave.