Indi, Kinë, Japoni, Tibet, Makao… Azia është pa dyshim kontinenti i masazheve. Atje, bile, masazhet janë një art që bën pjesë në mënyrat terapeutike të përdorura për të kuruar trupin dhe mendjen. Ja, cilat janë llojet e ndryshme të masazhit që ju mund t’i përdorni kundër stresit dhe sëmundjeve të ndryshme…

Shiatsu
Ky masazh ka për qëllim rivendosjen e qarkullimit të energjisë jetësore në trup me anë të gishtave. Sipas kësaj mjekësie, trupi i njeriut përshkohet nga vija të quajtura meridianë, nëpër të cilët qarkullon energji dhe kjo energji shpërthen në pika specifike, vend i takimit të enëve limfatike me gjendrrat e sistemit endokrin. Ky lloj mesazhi praktikohet i veshur, ose me të brendshme. Masazhuesi punon në të gjitha pjesët e tyrpit, duke bërë presion në disa pika me gishtërinj. Presioni është i ndryshueshëm dhe më i thellë në vendet e quajtura problematike (ku mendohet se ka ngecur energjia). Ky lloj masazhi është njëkohësisht parandalues dhe kurues. Nëse praktikohet rregullisht, ai i siguron pacientit një energji të përhershme dhe një forcim imuniteti. Ai, gjithashtu, përmirëson çrregullimet e organizmit (dhimbje shpine, migrenë, depresion…)

Ajurvedik
Sipas mjekësisë tradicionale indiane, trupi përshkohet nga një fluks energjie. Kur ky fluks është i turbulluar nga stresi ose nga një mënyrë e keqe e jetesës, organizmi vuan. Masazhi ajurvedik, duke vepruar në trup, ka për qëllim rivendosjen e ekuilbrit. Masazhi praktikohet te një njeri i zhveshur me vaj të ngrohtë susami. Konsiston në stimulimin, me anë të presionit, fshikjeve dhe palpimeve, të pikave energjike nëpërmjet të cilat zhvendoset fluksi energjetik. Lëvizjet tonike alternohen me lëvizjet relaksuese. Ky masazh të relakson, largon tensionet nervore, stresin, lehtëson gjumin dhe, duke gjallëruar qarkullimin e gjakut, largon helmet. Ky masazh, gjithashtu, të jep energji, të karikon bateritë dhe parandalon sëmundjet.

Tai
Masazhi tai është një përzierje mes masazhit ajurvedik, mjekësisë kineze dhe filozofisë budiste. Ai konsiston në ndërgjegjësimin e njeriut për trupin, si në planin e anatomisë (tendinat, kyçet, muskujt…), ashtu edhe në planin energjetik (të ngjashëm me meridianët e mjekësisë kineze) dhe mendor (mirëqenia shpirtërore, ekuilibri emocional). Ai praktikohet i veshur dhe kombinon pozicionet e jogës, shtriqjet, shtypjen dhe presionin. Masazhuesi përdor gjithë trupin e tij për të masazhuar (duart, gishtërinjtë, por edhe bërrylat, gjunjët, këmbët…). Ai të bën të ndjehesh mirë, duke rivendosur ekuilibrin e trupit. Shtypja e muskujve përmirëson qarkullimin e gjakut, zbut indet, largon helmet dhe relakson muskujt. Ushtrimi i presionit, pozicionet e jogës dhe shtriqjet zbusin trupin, zbusin nyjet muskulare dhe rivendosin qarkullimin e energjisë.

Gjithashtu…
Tuina. Ky masazh përdoret për të rigjallëruar qarkullimin e energjisë jetësore dhe përfshin jo më pak se 300 manipulime të ndryshme (pickime të vogla, fërkime, shtytje, etj), ku ai që masazhohet, është i zhveshur, ose jo. Në Kinë, ai është pjesë përbërëse e mjekësisë.
Balinez. Ky masazh është shumë i butë dhe qetësues, praktikohet me vaj të nxehtë dhe ai që masazhohet, është i zhveshur. Qëllimi i tij, para së gjithash, është relaksimi dhe bëhet duke ushtruar presion mbi gjymtyrët, me lëvizje të gjata rrëshqitëse mbi trup me anë të parakrahëve ose fërkimeve energjike të lëkurës me grushtat e dorës të mbyllura. Këto veprime bëjnë të mundur çmpirjen e muskujve dhe gjallërimin e qarkullimit limfatik.
Taegengki. Ky masazh bëhet duke lëvizur kyçet, duke tërhequr muskujt, me shkundje, etj. Me këto lëvizje, masazhuesi e nxit atë që bëhet masazh (që është i veshur) të relaksohet dhe ta lërë veten në duart e masazhatorit. Kështu, zhbllokohet frymëmarrja dhe personi qetësohet.
Tibetani. Ky masazh origjinal praktikohet me qeska të vogla kripe nga Deti i Vdekur, në të cilat janë shtuar edhe vajra esenciale. Këto qeska të ngrohura vendosen në pika të caktuara të trupit të zhveshur dhe më pas, ato lëvizen duke ndjekur vijat e qarkut energjetik që përshkon trupin. Kripërat, së bashku me vajrat esenciale, bëjnë veprimin e tyre, falë edhe lëvizjeve të duarve. Kështu, veprohet menjëherë në muskujt e bllokuar dhe shtohet energjia e trupit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *