Mënyra e parë:
Përbërësit për një kilogram e gjysëm tranguj:
Ujë, 1 litër,
Kripë (mundësisht e zezë), 2 lugë gjelle
Hudhër, 1 kokërr (me 6-7 thelpinj),
Kopër, 2 tufa,
Jeshillëqe të tjera (Sipas dëshirës, mund të përdoren edhe gjethe vishnje, dushku, boronice, etj.)
Piper i zi, 10 kokrra,
Speca djegës, 1-2 copë
Lajmë trangujt dhe ua presim bishtin paksa thellë sepse mund jenë të hidhur. Në fundin e një ene qelqi apo tenxhereje të emaluar, shtrojmë një pjesë të gjetheve dhe të koprës (mundet, edhe selino), si dhe disa thelpinj hudhre dhe kokrra piperi. Shtrojmë trangujt dhe përsërisim të njëjtën gjë (pra, i mbulojmë me përbërësit e lartpërmendur). Shtresën e fundit e mbulojmë vetëm me kopër.
Ndërkaq, përgatitim shëllirën: Kur ujët vlon, hedhim në tenxhere kripën, disa kokrra piper dhe një tufë kopër. Këtë shëllirë ua hedhim trangujve të nxehtë dhe, pas ftohjes, i vendosim në frigorifer. Ata mund të serviren në tavolinë brenda 5-8 orëve.
Mënyra e dytë (në të ftohtë):
Përsëritet gjithçka, me përjashtim të faktit se shëllira, në rastin e dytë, u hidhet trangujve e ftohtë. Për këtë shkak, ata mund të serviren vetëm pas 3-4 ditëve.
Mënyra e tretë:
Këtë lloj turshie, amvisa mund ta përgatisë brenda një ore… Katër copë tranguj mesatarë, pasi i lan, i pret në rrotka me gjerësi deri në 1 centimetër, i kripos, u hedh, sipas dëshirës, hudhra, kopër, piper, erëza dhe i vendos në një qeskë polieteleni. Paketën e vë në ngrirje në frigorifer për 40-50 minuta… Kaq. Turshia është gati!