Përshëndetje! Jam Ornela, nga qyteti i Tiranës. Dua që edhe unë t’ju tregoj historinë e familjes sime. Para shumë vjetësh, familja ime shkoi në Greqi dhe prindërit e mi vendosën ta bënim jetën atje. Vëllanë e kisha pesë vjet më të madh, ai ishte 20 vjeç, ndërsa unë 15; ishim në moshën më delikate. Me ikjen tonë në Greqi, familja jonë nuk ishte më e bashkuar si më parë. Filluan hallet e para, babi shkonte gjithë ditën në punë, kishte raste që punonte edhe natën, vëllai herë gjente punë, herë jo, ndërsa unë vazhdoja shkollën atje. Në fillim, e pata shumë të vështirë të ambientohesha në atë vend të huaj, por gjërat filluan të merrnin rrjedhën e tyre në mënyrë normale. Në atë kohë, mami im filloi punë në një lokal, si ndihmës kuzhiniere. Vëllai, edhe pse mësonte shumë, nuk mundi të ndiqte shkollën e lartë, pasi nuk kishim të ardhura. Në Greqi kishte shumë çifte që u përballën me një jetë të re dhe nuk mund t’i rezistonin këtij ndryshimi. Shumë çifte ishin ndarë dhe unë gjithnjë i lutesha Zotit që një gjë e tillë të mos ndodhte me prindërit tanë. Ne ishim mësuar me varfëri, por me sherre në shtëpi, kurrsesi. Shkaku i sherrit tonë në fillim ishte vëllai, sepse ai kishte gati një vit që ishte lidhur me një grua greke. Ajo ishte gati 15 vjet më e madhe se im vëlla, ishte edhe e martuar, por nuk kishte fëmijë. Ajo ishte shumë e pasur, të paktën nga ajo që më tregoi vëllai dhe ata ishin njohur në kohën kur im vëlla kërkonte punë nëpër familjet e pasura. Ajo i kishte ofruar punë si kopshtar, në shtëpinë e saj. Më pas, ajo kishte filluar ta pëlqente shumë vëllanë tim dhe të kujdesej më shumë seç duhej për atë. Ne të gjithë e kishim kuptuar se diçka po ndodhte me vëllanë. Ai, herë pas here nuk flinte në shtëpi, disa herë vinte me vonesë apo herët në mëngjes. Ai nuk u tregonte prindërve të mi se çfarë po ndodhte me të dhe ata kishin frikë se mos ai kishte zënë shoqëri të keqe e drogohej me ta.

Babi me mamin ziheshin për arsye se nuk e kontrollonin dot djalin e tyre dhe ia hidhnin fajin njëri–tjetrit për këtë gjë. Nga ana tjetër, ai thoshte: “Unë nuk bëj asnjë gjë, thjesht punoj dhe e kam punën me orar të zgjatur”. Ai sillte shumë para në shtëpi, mirëpo kjo bëri që babai im të dyshonte për të. Kështu, ai e pa këtë gjë shumë serioze dhe u detyrua ta linte punën e tij për të ndjekur vëllanë e për të mësuar se çfarë po ndodhte. Ai e ndoqi gati një javë dhe nuk pa asgjë për t’u shqetësuar. Ai shkonte në punë te një familje dhe punonte në kopshtin e madh që zotëronte ajo. Babi im e fjeti mendjen për vëllanë e filloi e po kërkonte punë. Mbasi kishte kaluar një vit, vëllai kërkoi të flinte në familjen ku punonte. Prindërit e mi nuk pranonin, por mbas një jave debati më vëllanë tim, ai nguli këmbë dhe u tha prindërve: “Unë nuk vij më në këtë shtëpi”. Mami e kuptoi se diçka e mundonte vëllanë, por nuk e dinte se çfarë ishte.

Vëllai im kishte gati një muaj që nuk po kthehej në shtëpi dhe babi u bë shumë merak e trokiti në derën ku punonte im vëlla. Kur shkoi atje, derën ia kishte hapur vëllai. Ai ishte habitur dhe e kishte kapur për krahu për të dalë dhe për të pirë kafe jashtë shtëpisë. Në momentin që po dilnin, një grua kishte dalë te porta dhe i kishte thënë vëllait në gjuhën greke: “Ku po shkon, zemër?”. Gjithashtu, ajo e kishte pyetur për babin tim dhe vëllai ia kishte kthyer se ishte një person që po kërkonte punë. Babi na tregoi se gruaja ishte shtatzënë dhe ishte rreth 35 vjeç. Pastaj, vëllai i kishte thënë se do të vinte në shtëpi dhe do të na e tregonte situatën me detaje. Ai erdhi dhe na tregoi fill e për pe se çfarë kishte ndodhur me të. Ai ishte lidhur me pronaren. Ajo burrin e kishte biznesmen dhe gjatë gjithë kohës ishte në lëvizje, nga njëri shtet në një tjetër. Gruaja e tij kishte përfituar nga kjo situatë dhe e kishte bërë për vete vëllanë tim, duke e joshur edhe me pasurinë e saj. Ai na tregoi se ajo kishte patur 10 vjet martesë dhe nuk kishin patur fëmijë. Për këtë, ajo i kishte kërkuar ndarjen bashkëshortit të saj. Sipas asaj që na tregonte vëllai, ata ishin në fazën e ndarjes dhe nuk ishte vëllai im shkaktari i ndarjes së tyre. Babi me mamin vunë duart në kokë nga e gjithë kjo histori. Sikur të mos mjaftonte, vëllai u tha: “Ju, bëni si të doni, por unë prej Vasilikës nuk kam për t’u ndarë më, aq më tepër që ne presim edhe një fëmijë”. Mami filloi të qante dhe ta shante atë grua. Gjithashtu, shante edhe vëllanë, duke i thënë: “Ti je martuar me një grua që mund të ketë moshën e mamasë tënde! Ku të çoi mushka?”, por im vëlla nuk donte t’ia dinte fare, ai ishte joshur nga pasuria e saj dhe u thoshte prindërve: “Unë, duke u martuar me të, nuk kam për të vuajtur kurrë në jetën time. Si do t’ju pëlqente më mirë, të merresha me drogë, vjedhje e prostitucion, apo të zgjidhja një fat të mirë për jetën time? Me këtë fat që zgjodha, nuk do t’ju lë as juve të vuani”.

E dashura e tij i kishte thënë se mbasi ajo të bënte divorcin përfundimtar me burrin e saj, ne si familje, po të dëshironim, mund të jetonim në shtëpinë e saj, aq më tepër që tani do të bëheshim me nip. Babai po mendohej dhe nuk foli fare, kurse nëna tha duke bërtitur: “Unë, në shtëpinë e asaj k…  nuk kam për të shkelur kurrë! Ti nuk e kupton se ajo të gjeti në moshën më delikate të saj dhe të manipuloi?”. Atë mbrëmje u bë një diskutim i gjatë në mënyrë që im vëlla të hiqte dorë prej saj, por kjo gjë nuk ishte e mundur. Tashmë, ata i bashkonte një fëmijë dhe donim apo s’donim ne, ata ishin lidhur me njëri-tjetrin. Ajo ishte hera e fundit që vëllai im erdhi në familjen tonë. Kaloi ca kohë dhe vëllai u bë me djalë. Im atë i kishte ruajtur kontaktet me të, ndërsa mami as që donte t’ia dinte. “Nëse ai nuk heq dorë prej asaj femre, ai nuk do jetë më djali im”, thoshte ajo. Mami i kishte bërë çdo lloj kërcënimi vëllait, por ai nuk hoqi dorë prej gruas greke. Babi na jepte informacione me mënyrën se si ai kalonte jetën me atë femër. Kulmin sherri në familjen tonë e arriti kur një ditë babi erdhi dhe na kërkoi që ne të shpërnguleshim në familjen e vëllait. Një gjë të tillë e kishte kërkuar gruaja e tij. Babi erdhi me mendimin se do t’ia mbushte mendjen mamit, por kjo ishte e pamundur. Sherri i tyre arriti deri atje sa mami me babin u ndanë. 25 vjet martesë që ata patën me njëri-tjetrin, e shkatërruan për një femër që u bë sebepi i ndarjes së familjes sonë.

Që prej dy vjetësh, babai jeton në Greqi në familjen e vëllait, ndërsa unë me nënën jemi kthyer në Shqipëri. Mami, edhe sot e kësaj dite, nuk pranon të flasë me djalin e saj, ndërsa unë flas me të normalisht. Ai më dërgon edhe lek, që unë të vazhdoj shkollën këtu, ndërsa nëna edhe pse nuk i vjen mirë që unë flas me vëllanë, nuk më thotë asnjë gjë, nga frika se mos ndoshta edhe unë ashtu si babi, zgjedh për të jetuar me ta dhe ajo mbetet vetëm. Edhe pse më vjen shumë keq për situatën që u krijua në familjen tonë, unë përsëri i lutem Zotit që të ndryshojë mendimin në kokën e mamasë time, në mënyrë që familja jonë të bashkohet përsëri ashtu siç ishim dikur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *