Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam Arbëri. Doja t’u bëja një pyetje burrave: A ju ka ndodhur që të martoheni me një vajzë, e cila rri me ju vetëm për të mira materiale? Të paktën këtë gjë kam zbuluar unë deri tani. Edhe pse ajo më thoshte se më donte, çdo ditë e më tepër më krijohet përshtypja se unë isha ai që e doja më shumë atë. Emën unë e njoha kur ishte studente, vazhdonte shkollën për gjuhë të huaj, Anglisht. Ajo ishte shoqe dhome me një kushërirën time. Ajo ma prezantoi dhe ne dilnim shpeshherë në kafe. Në fillim dilnim të tre së bashku dhe më pas, unë e kisha ftuar Emën të pinim kafe vetëm për vetëm. Në fillim, ajo refuzonte, por më pas po shoqërohej me mua. Ema, në fillimet e njohjes tonë, të krijonte përshtypjen e një vajze nga fshati, vishej thjeshtë, nuk ishte e komplikuar, kishim të dy të njëjtën shije etj. Unë isha gati 30 vjeç dhe e kisha moshën tamam për t’u martuar. Meqë njoha një vajzë të tillë, u gëzova pa masë. Thoja me vete: “Zoti ma solli këtë vajzë për të patur një jetë të lumtur me të”. Ajo më dukej vajzë serioze dhe për shtëpi, jo siç kisha dëgjuar për vajzat e konviktit, që i jepeshin një djali, qoftë edhe për ta nxjerrë për një kafe.

Kushërirës sime nuk i kisha thënë fare për ndjenjat që kisha për Emën. Atë thjesht e pyesja: “Si i ke shoqet dhe cila të duket më e mira?”. Ajo asnjëherë nuk më thoshte për Emën se është më e mira, madje kishte antipati për të. Më thoshte se ishte mendjemadhe dhe interesaxhie, por unë nuk i mora asnjëherë për bazë fjalët e kushërirës, mendoja se ajo e shante nga inati. Sot, më rezulton ndryshe. Ema nuk ishte gjë tjetër veçse një “thëngjill i mbuluar”, i cili të djeg pak e nga pak. Në fillim ajo bënte sikur nuk donte të lidhej me mua. Këtë ajo e përdori si një strategji, që unë të jepesha më shumë pas saj. Kur e kuptoi se unë vërtet rashë në dashuri me të, ajo më kërkoi që të fejoheshim, ndryshe nuk do të dilte më për kafe me mua. Për këtë, nxirrte si pretekst se prindërit e kishin marrë vesh lidhjen tonë dhe nuk e lejonin më që ajo të dilte sipas qejfit. Kur gjërat shkuan deri këtu, bisedova me kushërirën time. Ajo nuk arrinte ta besonte që unë isha lidhur me të dhe në mënyrë kategorike, nuk pranonte që unë të fejohesha me Emën. Kushërira më thoshte: “Ajo do të të hajë shpirtin me tekat e saj! Ne që e kemi në dhomë, e dimë se kush është ajo në të vërtetë.”, por atëherë ishte tepër vonë, unë kisha rënë në dashuri me Emën dhe nuk mund të kthehesha mbrapa. Kushërira më tha: “Një ditë do të të kujtohen fjalët e mia, por atëhere do të jetë shumë vonë” dhe në të vërtetë, kështu ndodhi…

Ne bëmë fejesën dhe ajo, çfarë nuk bleu për veten e vet! Unazë shumë të shtrenjtë, varëse, byzylyk dhe shumë veshje nga më të ndryshmet, në butikët më të shtrenjtë. Ajo arriti deri aty sa prindërit më thanë: “Ore djalë, kjo sikur qenka rritur në Paris e jo në Fier!”. Vërtet po më vinte shumë zor nga ata se, ne, nuk është se kishim ndonjë lek të madh; unë isha i punësuar në një ndërmarrje të përpunimit të drurit dhe aq ishin të ardhurat tona, por Ema u bë akoma më keq. Kur mbaroi shkollën, ajo donte që unë t’i gjeja punë dhe të punonte në profesionin e saj, por për këtë, në qytetin e Tiranës as që bëhej fjalë fare sepse që të zije një pozicion pune, duhet të paguaje një shumë të madhe lekësh, që nuk i dihej a do t’i nxirje dot apo jo. Kishim gati tre vjet të fejuar dhe prindërit e Emës kërkonin që ne të martoheshim, por që të bëje dasmë, duhet të kishe një dorë të mirë lekësh dhe ne, këtë gjë, nuk e kishim. Kështu, filluan përsëri zënkat mes nesh. Emën e mora pa dasmë në shtëpinë tonë, por ajo, nga fakti se nuk i kisha gjetur punë dhe ngaqë nuk e kisha marrë me fustan të bardhë, u bë akoma më keq. Çdo ditë kërkonte që të dilte për kafe, edhe pse e dinte se si e kishim ne ekonominë. Përveç kësaj, kërkonte t’i blija rroba. Ishte e fiksuar sidomos pas këpucëve; mund të kishte mbi 30 palë këpucë dhe prapë nuk kënaqej. Qëkur isha martuar me Emën, prindërve të mi u lija vetëm gjysmën e rrogës, gjysmën tjetër e përdorja për t’i bërë qejfet nuses sime. Kur ziheshim dhe debatonim për një gjë, ajo nuk më fliste derisa unë t’i blija një dhuratë. Kushërira ime kishte të drejtë, ajo ishte një femër që, edhe pse ishte rritur në një varfëri, kërkonte shumë nga jeta. Ajo është një femër egoiste që mendon vetëm për veten e saj. Prindërit m’u mërzitën nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, qëndronte Ema, që nuk ngopej me kërkesat e saj, që e kalonin kufirin e të ardhurave tona. Ajo më detyroi të merrja kredi dhe të blija makinë, pasi të gjitha shoqet e saj kishin makinë dhe ne jo. Prapë debatova me prindërit që mora kredi. Jeta po më merrte të tatëpjetën, po hyja në borxhe ashtu si pa kuptuar, pasi ajo më thoshte: “Dua lek xhepi. Ose më gjej punë, ose më jep lek se unë pa lek nuk kam ndenjur asnjëherë!”. Përveç kësaj, ajo filloi të zihej edhe me nënën time sepse nuk ishte e kënaqur me ushqimin që ajo gatuante. Ajo nuk i hante gjellët, pëlqente gjërat e skuqura dhe sallatat, por siç ju thashë, ne nuk kishim lek që të plotësonim luksin që kërkonte gruaja ime. Me thënë të drejtën, unë Emën e doja shumë dhe prandaj u futa në borxhe për t’ia plotësuar të gjitha kushtet, që ajo të mos mërzitej asnjëherë me mua, por kurrë nuk arrita ta gëzoja atë femër. Të gjitha këto ajo m’i bënte për inatin tim, sepse unë nuk e lija të punonte nëpër punë të tjera. Ajo e dinte që ishte më superiore se unë, sepse unë nuk kisha shkollë të lartë. Nga të gjitha këto tekat e Emës, unë fillova të pija cigaren dhe alkoolin. Nuk duroja dot kur vija në shtëpi dhe e gjeja atë që më kthente kurrizin. Ajo femër, nuk më dha kurrë nga dashuria e saj, vetëm kërkonte të pamundurën prej meje. Të gjithë atë stres që kaloja në familjen time, fillova ta kapërceja duke pirë alkool, madje arrita deri aty sa fillova ta rrihja Emën sepse nuk kisha më nerva të dëgjoja tekat e saj. Prindërit e mi u shkatërruan nga prania e saj në shtëpinë tonë; ajo nuk kishte asnjë vlerë njerëzore. Konflikti ynë në familje arriti deri aty sa prindërit e mi më thanë: “Duhet të zgjedhësh: O neve, o gruan tënde!”. Im atë një herë fliste dhe nuk kishte shaka me të. Ai e kishte duruar për gati tre vjet Emën në shtëpinë tonë dhe durimi i tij kishte arritur kulmin, aq sa më vuri mua të zgjidhja.

Ishte fare e thjeshtë; nëse do zgjidhja Emën, atë nuk do të mundja ta kënaqja kurrë, sepse ajo kërkonte të pamundurën prej meje. Edhe unë sikur të mos të doja, do të ishte ajo që do vinte një ditë që do të më linte, kështu që nuk kishte më kuptim ta shpëtoja martesën time. Kur ia thashë këtë fakt Emës, as që e prishi terezinë fare, thjesht më tha: “Më bëre një nder, asgjë tjetër!”. Ajo mezi priste të shpëtonte prej meje, por ai që e vuajti më shumë këtë histori, isha unë, si nga ana financiare, ashtu edhe nga ajo shpirtërore. Kështu është kur njeriu vepron sipas mendjes së vet dhe nuk i pyet njerëzit e tij më të afërt. Tani do vuaj pasojat që la kjo martesë në jetën time dhe të familjarëve të mi…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *