– Doktoreshë Mira, desha t’ju tregoj problemin tim. Unë kam disa ditë që, në pjesën e shpatullave, te krahët, kurrizi, faqet dhe vetullat, kam puçrra shumë të vogla, gati të padallueshme, që më kruhen dhe më acarohen kur djersij. Desha të di, si mund t’i kuroj ato? Shtoj këtu se kam alergji nga pluhurat dhe lulet. E kam nga kjo apo është diçka tjetër? Pres përgjigje, sepse akoma nuk kam shkuar të vizitohem te ndonjë mjek. Faleminderit.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – I nderuar letërshkrues! Për problemin që keni shkruar, nuk mund t’ju sugjeroj asnjë medikament, pa u vizituar nga afër. Unë ju sugjeroj një vizitë te mjeku alergolog, pasi keni nevojë për disa analiza, që të dalë diagnoza e vërtetë. Vetëm në bazë të vizitës dhe analizave që do të bëni, do të merrni mjekimin e duhur dhe do të shëroheni. Kështu, në korrespondecë, nuk mund të nxjerrim asnjë konkluzion, prandaj edhe u themi të gjithë atyre që ndihen si ju, të shkojnë të vizitohen. Këtu mund të japim një informacion, ose këshillim ku mund të drejtoheni, por përsa i përket mjekimit, pa u diagnostikuar, nuk mund t’ju sugjerojmë asgjë. Besoj se u kuptuam. Shkoni të vizitoheni te një alergolog; jeni të mirëpritur edhe pranë poliklinikës tonë. Gjithë të mirat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *