Pasionin kthejeni në profesion! Ky është slogani i Institutit të Gastronomisë Royal. Emrin e administratorit të këtij Instituti, Krenar Beshiri, ju e keni dëgjuar edhe më parë. Krenari është një personazh i cili nuk u ka munguar as faqeve të gazetës “Intervista”. Ai është i njohur si artisti në kuzhinën e emisioneve të mëngjesit në Vizion Plus dhe ka 6 vjet që artin e tij në kuzhinë e përcjell nëpërmjet ekranit të televizionit.

Tani, Krenarin, mund edhe ta takoni në Institutin e Gastronomisë Royal, të gatuani me të dhe të përfitoni prej njohurive të tij në gastronomi. Ai na rrëfeu se kanë filluar regjistrimet për sezonin 2014-2015, kështu që nëse keni ndërmend që “pasionin ta ktheni në profesion”, mund t’i drejtoheni këtij instituti… për informacionet më të detajuara, Krenari na rrëfen në këtë intervistë.

 

–  Krenar, ju jeni një figurë e njohur për teleshikuesin shqiptar, prej vitesh tashmë, por do të donim që sot t’ju pyesnim në lidhje me qendrën tuaj të formimit profesional…

Krenar Beshiri: – Ky institut është hapur përpara 4 vjetësh dhe është liçencuar nga Ministria e Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, sot Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Shqipërisë…

– Si lindi ideja për të hapur një qendër të tillë?

– Pasi bëmë një vëzhgim në tregun kulinar shqiptar, konstatuam që ky treg ishte shumë i varfër me shefat e kuzhinës dhe aty nisi gjithçka. Duke menduar që gatimet tona tradicionale kanë nevojë të ecin përpara dhe të promovohen vlerat e kuzhinës tonë, ndërmorëm këtë nismë.

– Çfarë bën konkretisht një kursant në institutin tuaj?

– Përgatitja konsiston në orë teorie dhe praktike. Ideja jonë është që nxënësit të mësojnë në teori, por edhe të bëjnë sa më shumë praktikë, në mënyrë që të jenë të aftë për tregun e punës. Në momentin që dalin nga kurset tona, ata janë plotësisht të përgatitur…

– Atëhere, me pak fjalë, ne po flasim për një shkollë të mirëfilltë…

– Po, dhe ajo çka ne ofrojmë është super ofertë, pasi kurset do të jenë nga e hëna në të premte, çdo ditë, nga 2 orë e gjysmë. Kurset janë 3, 6 dhe 9 mujore, në varësi të preferencave të atyre që do drejtohen te ne. Ofrohen leksione të specializuara për shef kuzhine e shef pastiçerie dhe çdokush mund të zgjedhë njërën ose tjetrën, ose të dyja. Kohëzgjatja e kursit është 9 muaj, por nëse do të specializohen në të dyja kurset, zgjat dy vjet dhe, pas këtij 2 vjeçari garantohet që ai person është më se i specializuar. Shuma që paguhet për këtë kurs, krahasuar me atë që mësohet, është e pallogaritshme, është shumë e vogël. Kur mbaron këtë kurs, nxënësi është plotësisht i aftë për tregun e punës.

– A pajisen me certifikatë kursantët pas mbarimit të kursit?

– Po, ai person i cili mbaron kursin 9 mujor te qendra jonë pajiset me certifikatë. Duhet qartësuar se kurset 9 mujore janë për shef kuzhine dhe shef pastiçerie, ndërsa ata që mbarojnë kursin 2 vjeçar, ku përfshihen të dyja bashkë, pajisen me diplomë, të njohur nga shteti shqiptar.

– Ku mund të punojë një shef kuzhine i diplomuar te ju?

– Një shef kuzhine që del nga Instituti i Gastronomisë Royal është i përgatitur të përshtatet në çdo lloj zone ku ai mund të shkojë të ushtrojë profesionin. Kjo, sepse programi mësimor në qendrën tonë gërsheton të gjitha llojet e gatimeve; kuzhinën gurmet, kuzhinën e peshkut e kuzhinën e mishit, ndërsa pastiçeria përfshin atë europiane dhe shqiptare.

Kjo shkollë u jep mundësinë kursantëve të drejtohen në çdo hotel apo restorant, në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm falë aftësive që marrin në kurs, por edhe nga kontaktet që ne kemi në fushën e hoteleri-turizmit në të gjithë Shqipërinë. Pra, çdokujt i jepet mundësia që të mësojë të praktikohet, si edhe të zërë një vend pune, pas mbarimit të shkollës, gjë që nuk e ofron asnjë nga konkurrentët tanë në treg. Një nga cilësitë që kemi dhe që e veçojmë nga të tjerët është se ne kemi programe mesdhetare, të bashkangjitura me programe shqiptare.

– Përsa u përket profesorëve që do të japin mësim…

– Profesorët janë nga më të njohurit e kulinarisë, janë ndër më të ndjekurit në mediat shqiptare. Janë shefa kuzhine, me eksperiencë të gjatë pune europiane. Ka profesorë të huaj dhe shqiptarë, të cilët keni pasur shansin t`i shihni në media të ndryshme. Sigurisht, nuk do të mungoj as unë!

– Kanë kaluar tashmë katër vjet që nga hapja e institutit. Jeni i kënaqur nga rezultatet?

– Shumë! Shkolla ka qenë mjaft e suksesshme; Instituti ka nxjerrë mjaft talente në artin e kulinarisë. Gati në çdo restorant dhe pastiçeri të kryeqytetit ka një përfaqësues të shkollës sonë. Fabiola, për shembull, e cila ka qenë një nga konkurrentet e “Master Chef Albania”, ka qenë nxënëse e shkollës sonë. Po ashtu, nxënës të shkollës sonë kanë marrë pjesë edhe në programe të caktuara televizive, që kanë të bëjnë me kuzhinën dhe kanë shprehur idenë e tyre mbi artin e kulinarisë.

– Ne ju urojmë suksese Krenar!

– Dhe unë ju falënderoj juve dhe u them të gjithë atyre që e kanë pasion kuzhinën, që këtë pasion, ta kthejnë në profesion. Është një profesion jo vetëm i bukur, por edhe shumë i vlefshëm në ditët që jetojmë…

 

Adresa: Kthesa e Kamzes

Facebook: Instituti i Gastronomise Royal

Facebook funpage: Instituti i Artit Kulinar Royal

Mobile: 069 66 801 92 dhe 068 20 300 34

Tel: + 355 45 800 850

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *