– Jam një zonjë që e lexoj shumë këtë rubrikë. A ka ndonjë metodë për të zbardhur rrobat e bardha, që shpeshherë marrin ngjyrë të verdhë dhe nuk zbardhen me asnjë lloj ilaçi?

– E nderuar zonjë, ju dhe ato zonja që hasin vështirësi në zbardhjen e rrobave të bardha edhe pasi kanë përdorur solucionet përkatës, tashmë mund të përdorni dhe metoda të tjera në kushte shtëpie dhe me përbërës që janë pjesë e pandashme e kuzhinës. Një nga këta është limoni, i cili përveçse u jep shumë shije gatimeve tona në kuzhinë, është edhe një përbërës me efekt shumë të mirë në kozmetikë, por edhe në zbardhjen e njollave në rroba të ndryshme. Lëngun e limonit mund ta përdorni për zbardhimin natyral të rrobave të cilat janë bërë me njolla dhe pas njëfarë kohe mund të kenë marrë nuancë të verdhë ose gri. Përdorimi i tij është shumë i thjeshtë; mjafton të hidhni një të katërtën apo gjysëm gote të lëngut të limonit në lavatriçe, te vendi ku hidhet detergjenti. Nëse do t’i lani rrobat me dorë, hidheni lëngun e limonit në një legen me ujë të nxehtë dhe zhysni rrobat që i keni me njolla. Veç kësaj, mund të hidhni edhe disa feta limoni të prera. I lini aty për rreth dy orë dhe shpëlajini më pas si zakonisht; do të shikoni rezultate shumë të mira. Nëse shikoni që njollat nuk janë hequr akoma, mund t’i lini edhe gjatë gjithë natës, në mënyrë që limoni të veprojë më mirë te njollat e rrobave e t’i shpëlani më pas normalisht, si rrobat e tjera.

Pregaditi faqen: V.V.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *