Në fenë myslimane, besimi dhe mësimi (arsimimi) shikohen të pandarë nga njëri-tjetri. Lidhur ngushtë me këtë shikohet edhe mësimi i gjuhës arabe sepse Kurani është shkruar pikërisht në këtë gjuhë dhe përkthimin e tij e kanë marrë përsipër historikisht xhamitë. Sipas mundësive të tyre ekonomike-shoqërore ato kanë ngritur pranë tyre vazhdimisht kurse dhe shkolla të niveleve të ndryshme. Një nga kryeqendrat e arsimimit fetar mysliman ka qenë dhe është Universiteti i Al-Azharit, pranë xhamisë me të njëjtin emër në Kajro. Kjo xhami është ndërtuar në vitin 972, në kohën e dinastisë së Fatimidëve, sipas legjendës, me iniciativën dhe përkrahjen e vajzës së vetë profetit Muhamed. Fama e kësaj shkolle të lartë myslimane mori dhenë, mbase edhe nga vetë pozicioni gjeografik i Kajros, nyjë e rëndësishme në rrugën e Mekës… Universiteti përparoi shumë, sidomos kur në këtë institucion u grumbulluan dijetarë të shumtë që zboheshin dhe përndiqeshin në vendet e tyre. Duke filluar nga shekulli XIII, në këtë universitet kishte liri për të gjitha fraksionet fetare të kohës, ndërsa pas kësaj, sidomos në shekullin XVIII, universiteti ra nën ndikimin e sunitëve dhe u shndërrua në një qendër të atij sekti, karakter që e ruan edhe sot e kësaj dite…

Pranë këtij universiteti është ngritur tani një Medrese, si dhe disa kurse përgatitore. Gjysëm shekulli përpara janë hapur edhe fakultete të mjekësisë, si dhe të disa shkencave të tjera humane. Një nga karakteristikat e kësaj shkolle të lartë është se duke filluar nga viti 1962 i shekullit të kaluar studiojnë atje edhe femrat. Ato mësojnë në Kolegjin Femëror, ku zbatohet i njëjti program mësimor si edhe në fakultetet e tjera. Disiplina në universitet është shumë e fortë dhe gjithë territori i universitetit quhet vend i shenjtë. Karakteristikë tjetër është se në kurset dhe shkollat e Al-Azharit, nxënësit dhe studentët mësojnë gratis. Po kështu, kjo xhami e pasur, u jep bursa edhe të rinjve dhe të rejave nga vendet e tjera. Xhamia Al-Azhar dhe gjithë institucionet qe varen prej saj (kurset përgatitore, Medreseja dhe vetë universiteti), megjithëse janë “institucione të mbyllura” lejohen të vizitohen nga turistët, madje edhe të fotografohen prej tyre. Ka një liberalizëm të çuditshëm në këtë drejtim që dallon shumë nga rregullat strikte të jetës së përditshme, megjithëse si rregull, ata janë të detyruar moralisht të japin nga një bakshish… Bakshishin e marrin zakonisht portierët dhe punëtoret e tjerë të shërbimi, kur u gjejnë vizitorëve shapka (atje nuk lejohet hyrja me këpucët dhe sandalet e veta) ose kryejnë ndonjë shërbim tjetër.

Tre fakultetet kryesore të universitetit janë: Fakulteti Fetar, Fakulteti i Gjuhës Arabe dhe Fakulteti i Sheriatit, të cilët ndodhen fare pranë xhamisë. Po këtu, ndodhet edhe Medreseja për fëmijët e moshës 11-17 vjeçare, që është në fakt një shkollë speciale, ku mësojnë vetëm djemtë. Këtu disiplina është më e fortë dhe rregullat zbatohen më me rigoriozitet. Te porta e çdo ndërtese ka roje. Uniformë kanë vetëm fëmijët që mësojnë në Medrese; ata mbajnë bluza të kaltra dhe pantallona të zeza.

Është e ditur se, për çdo mysliman, mësimi fillon me Librin e shenjtë. Ndër të tjera, nxënësit kanë orë të posaçme për të mësuar edhe drejtshkrimin nën shembullin e tij. Ata mësojnë tri mënyra: Të ashtuquajturën rruka, nash dhe suls. Sipas rregullave të shkollës, myslimani i mirë duhet të shkruajë bukur, ashtu sikurse Muhamedi Kuranin. Në përgjithësi, nxënësit dhe studentët ndjekin në çdo veprim shembullin e Profetit. Regjimi ditor në të gjitha institucionet është i barabartë dhe shumë i rreptë. Nxënësit ngrihen në orën katër e gjysëm për të kryer namazin e parë. Në orën 8.30, pothuajse të gjithë kanë filluar mësimin, i cili mbaron në orën 15.00, me përjashtim të muajit të Ramazanit, kur mësimet shtyhen një orë përpara. Në muajin e shenjtë të Ramazanit, mencat mbyllen, por këtu vinë tregtarët shëtitës, megjithëse shumica e nxënësve dhe studentëve ushqehen sipas rregullave fetare në qytet.

Në përfundim, shkurtazi mund të themi se Al-Azhar është një qendër e rëndësishme jo vetëm për pajisjen me dije, por edhe me virtytet më të larta të fesë myslimane… Këtu, çdo student, çdo ditë, merret me veten e përsosjen e figurës së tij, duke dënuar veten e tij në gabime dhe duke e lavdëruar kur e meriton. Këtu, njeriu mëson që gjithë përgjegjësinë, për çdo fjalë të thënë dhe për çdo vepër të kryer, ta marrë përsipër vetë. Këtu, njerëzit, sipas një mendimi të përgjithshëm, rilindin, përsosen…

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *