Masazhi i Tajit
Si e ruajnë aziatikët rininë?
Masazhi i Tajit është një nga metodat më të vjetra mjekësore. Ky masazh është një kombinim i ndërlikuar i shtypjes, tërheqjes dhe spërdredhjes së muskulaturës, jo vetëm për të ndikuar tek ajo drejtpërdrejt, por edhe për të ndikuar nëpërmjet saj, mbi organet e brendshme të trupit të njeriut. Shtypja stimulon “kanalet energjetike”, ndërsa tërheqja dhe spërdredhja, ndikojnë mbi muskujt, stimulojnë elasticitetin dhe zhdërvjelltësinë e tyre…
Trashëgimi i masazhit të Tajit
Specialistët e masazhit të Tajit kanë si instrumente vetëm pëllëmbët e dorës, shputat e këmbëve, gishtërinjtë e mëdhenj të dorës, bërrylat dhe gjunjët. Për këtë lloj masazhi, janë karakteristike ritmi i qetë dhe lëvizjet e lehta, duke përjashtuar kategorikisht shtypjet, spërdredhjet dhe tërheqjet e forta. Në traditën popullore, themelues i këtij masazhi mbahet xhivaku Kumara Bhaçhu, i cili njihet edhe me emrin Shigaro Kamparaxh. Ai ka jetuar 2500 vjet përpara, ka qenë mjek popullor i shquar dhe shok e mik i Budës. Fillimisht, mënyrat e masazhit mbaheshin të fshehta dhe transmetoheshin brez pas brezi gojarisht, ndërsa vonë, filluan të shkruheshin në gjuhën pali, duke përdorur për këtë qëllim, kryesisht, gjethet e palmave. Këtyre teksteve, u jepej një ngjyrë fetare mistike. Vetëm në vitin 1832, Mbreti Rama i Tretë, dha urdhër që të gdhendeshin në gur në territorin e manastirit Vat Po. Sipas teorisë së mjekësisë së Tajit, në trupin e njeriut qarkullon e ashtuquajtura energji e brendshme jetësore, e cila lëviz nëpër disa kanale të posaçme që lidhen me të gjitha organet dhe qelizat e trupit. Kinezët e quajnë këtë energji “Ci”, ndërsa indianët, “prano”. Njeriu, sipas kësaj teorie, është i shëndetshëm vetëm atëhere kur kjo energji qarkullon lirshëm dhe përhapet në të gjithë trupin. Në këto raste, njeriu e ndjen veten mirë, ka besim në vetvete, është optimist. Çdo pengesë që gjen kjo energji në rrugën e saj, sjell sëmundje. Rëndësi kanë sidomos kanalet kryesore. Pikërisht mbi ta edhe ushtrohet presion dhe, sipas rastit, shtypen, tërhiqen ose spërdridhen… Karakteristika kryesore e këtij masazhi është se ai ruan tek ushtruesit rininë e “përjetshme” të të gjithë organizmit…
Si bëhet masazhi?
Masazhi bëhet në ambiente të ngrohta dhe të pastra. Gjatë masazhit, duhet të jetë qetësi e plotë, s’duhet të dëgjohet asnjë zë apo zhurmë. Disa e shoqërojnë masazhin me tinguj muzikorë të qetë dhe tërheqës. Zakonisht, kryhet mbi dyshekë ose qilima të butë. Nën krye, vihet gjithmonë jastëk… Për të vepruar lirshëm, masazhisti ka nevojë për ambiente të gjera. Para procedurave, masazhistët i falen Babait të Mjekësisë dhe i luten atij t’i ndihmojë për ta shpëtuar pacientin e tyre nga të gjitha fatkeqësitë fizike dhe shpirtërore. Pacienti, gjatë seancave, nuk zhvishet, zbath vetëm këpucët e çorapet, por veshja e tij duhet të jetë e lirë dhe nga materiale të buta natyrale. Po kështu, lehtë e me rrobe të gjera vishet edhe vetë masazhisti. Gjatë masazhit, nuk përdoret asnjë lloj vaji; vetëm në disa raste përdoren disa bimë mjekësore aromatike, të cilat e shtojnë efektin e tij. Pacienti fillimisht shtrihet në shpinë e pastaj rrotullohet në të gjitha pozicionet. Masazhi përfundon kur ai ulet ndenjur. Këmbët lëvizin në drejtime të ndryshme. Zakonisht, pikërisht me lëvizjet e tyre fillojnë edhe të gjitha procedurat e tjera. Çdo lëvizje shoqërohet në fillim me marrje fryme dhe përfundon me nxjerrjen e frymës. Gjatë masazhit, pacienti merr frymë lirisht. Një seancë vazhdon dy deri dy orë e gjysëm. Gjatë ushtrimeve, çdo masazhist merr parasysh veçantitë e organizmit të secilit pacient.
Masazhi i shputave, këmbëve dhe gjunjëve
Në sistemin mjekësor të Tajit ky lloj masazhi është shumë i përhapur. Ai ka më shumë funksione profilaktike. Ai heq si me magji lodhjen. Për këto seanca, përdoren disa poltrona të posaçëm. Fillon me larjen e këmbëve. Ka disa mënyra, por më efikasi është ai kur lahen këmbët me petale lulesh aromatike. Atributi më ekzotik dhe i veçantë i këtij masazhi janë dy shkopinj të vegjël nga një dru shumë i fortë. Ato përdoren për të ushtruar presion mbi disa pika të shputave dhe midis gishtërinjve të këmbëve. Masazhi i Tajit përdoret në rastet kur njeriu e ndjen veten keq në përgjithësi, kur ka dhimbje koke, sidomos në pjesën e pasme, kur ka dhimbje në shpinë, kontraktim muskujsh, shton në peshë, ka pagjumësi, shqetësime të brendshme, apati, ka mungesë oreksi dhe shqetësime në traktin e tretjes. Ai nuk rekomandohet në rastet e sëmundjeve të rënda psikike dhe neuropsikike, në rastet e sëmundjeve të rënda reumatizmale të kyçeve, sëmundjeve të rënda të zemrës dhe enëve të gjakut, pas operacioneve, infeksioneve të rënda me temperaturë të lartë, në rastet e disa sëmundjeve të lëkurës, gjatë barrës, sëmundjeve të rënda të stomakut dhe të zorrëve, si dhe gjatë sëmundjeve kanceroze.