Prej 2 vjetësh, koreografja Fjoralba Kyçyku, drejtuese e Shake Dance Studio, organizon në muajin Qershor aktivitetin “Talent Show” ku të gjithë fëmijët shpalosin talentin e tyre në kërcim, këngë, pikturë, interpretim, instrumente, etj., sikurse në Dhjetor, në prag të festave të fundvitit, “New Year Dance Show”, në të cilin kërcimi, kënga dhe pasarela janë bazë e aktivitetit. Fëmijët që fitojnë çmimet e para, fitojnë të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Little Miss and Mister of the World, që organizohet në Burgas, Bullgari. Çmimet e rëndësishme të këtij evenimenti jane: Miss& mister New Year, Miss Miqësia për të cilin votojnë vetë fëmijët dhe çmimi më i rëndësishëm për studion, Imazhi i Shake Dance Studio, që zgjidhet nga juria, propozuar nga drejtuesja e studios. Fëmijët e zgjedhur në këtë eveniment do të jenë ambasadorët e vegjël të bukurisë shqiptare në Burgas, Bullgari, nga data 30.06.2014 deri më 07.07.2014. U urojmë suksese këtyre bukuroshëve të vegjël…

 

Eno Hana, Mister New Year

– Eno, ti u zgjodhe Mister, sepse…

– …më pëlqen fusha e modës.  Jam jashtëzakonisht i kënaqur me çmimin që mora.

– Ti do të përfaqësosh Shqipërinë në Little Miss e Mister World 2014, në Bullgari…

– Jam shumë i lumtur, por kam edhe një përgjegjësi shumë të madhe.

– Në kompeticion, ju duhet të shpalosni talentin tuaj. Cili është yti?

– Kërcimi. Mendoj se jam më i mirë në këtë fushë sesa në fushat e tjera. Unë u përzgjodha në aktivitetin e “Shake Dance Studio” në City Park, me rastin e Vitit të Ri. Dua të falënderoj jashtëzakonisht familjen time për përkrahjen dhe kurajon që më dha.

– Eno, pse mendon se duhet të të zgjedhin ty për një nga çmimet e para në Burgas?

– Mendoj se i plotësoj kushtet për të qenë një Mister… Do të gëzohesha jashtë mase po të fitoja dhe do të ishte nder i madh për mua që të fitoja si ambasador i Shqipërisë.

– Çfarë do t’i thuash jurisë që të votojë për ty?

– Asgjë, do ta lë atë të bëjë atë që do.

– Si do të reagosh nëse nuk do të fitosh asnjë çmim?

– Do të uroja fituesin.

– Ke ndonjë gjë për t’u thënë konkurrentëve të huaj?

– “Good luck” (Paçi fat).

– Kush do të të shoqërojë në Bullgari?

– Besoj se babi…

 

Gresa Shehu Miss New Year

– Gresa, ti u zgjodhe Miss, sepse…

– Sepse isha e dobët… Më pëlqeu çmimi që mora dhe e meritoja atë çmim sepse isha më e mira. Mua më pëlqen moda sepse jam elegante, prandaj fillova të merrem me Misset.

– Ti do të përfaqësosh Shqipërinë në Little Miss e Mister World 2014, në Bullgari…

– Po, jam shumë e emocionuar që do të përfaqësoj vendlindjen time.

– Në kompeticion, ju duhet të shpalosni talentin tuaj. Cili është yti?

– Kënga, kërcimi, interpretimi mendoj se mund të më ndihmojnë të fitoj, pasi këto janë talentet e mia. Unë u përzgjodha te Miss Viti i Ri në City Park. Falënderoj mësuesen e baletit, Fjorin, që e kam shumë xhan dhe Mariusin, djalin e tezes, që i tha mamit dhe babit të më çojnë te Shake Dance Studio.

– Gresa, pse mendon se duhet të të zgjedhin ty për një nga çmimet e para?

– Sepse unë jam e bukur, elegante, kam zë të bukur, kërcej bukur e jam e sjellshme; tamam për Miss. Në rast se fitoj çmimin e parë, do të bëj një festë të madhe dhe do t’ju ftoj të gjithëve!

– Po nëse nuk do të fitoje asnjë çmim, si do të reagoje?

– Do t’i falënderoj që nuk më dhanë asnjë çmim.

– Çfarë do t’i thuash jurisë që të votojë për ty?

– Jeni shumë të mirë!

– Ke ndonjë gjë për t’u thënë konkurrentëve të huaj?

– Ku di unë… Suksese!

– Kush do të të shoqërojë në Bullgari?

– Prindërit dhe zysh Fjori.

 

Eloisa Sulaj, Miss Shoqëria

– Eloisa, ti u zgjodhe Miss, sepse…

– Isha e duhura për këtë punë… E meritoja këtë çmim, prandaj ma dhanë.

– Ti do të përfaqësosh Shqipërinë në Little Miss e Mister World 2014, në Bullgari…

– Ndjehem shumë mirë për këtë, jam e lumtur dhe dua të rri përgjithmonë në atë kurs baleti që ndjek tani.

– Në kompeticion, ju duhet të shpalosni talentin tuaj. Cili është yti?

– Po, edhe unë kam një talent! Talenti im është kërcimi dhe mendoj se me atë do të fitoj shumë pikë. Unë u përzgjodha te Miss New Year në City Park, organizuar nga kursi im i baletit. Miss Miqësia më bënë shokët e shoqet e mia të baletit dhe jam e lumtur për këtë. Dua të falënderoj mësuesen time të kërcimit Fjoralba Kyçyku për kërcimet e bukura që më mëson, por falënderoj edhe mami Zamirën dhe babi Flamurin që më çuan te baleti dhe vëllain tim Flori, që më do shumë.

– Eloisa, pse mendon se duhet të të zgjedhin ty për një nga çmimet e para?

– Sepse kam talent, jam e bukur, kam mësuese të mirë baleti që më mëson edhe për Miss, por dua të fitoj edhe për familjen time. Po të fitoj, unë do të rri e qetë, s’do t’i shaj më të tjetrët, s’do t’i rraf, do rri mirë në çdo vend që do të shkoj, do t’i bindem mamit dhe babit e s’do të zihem me vëllain. Do bëhem e urtë dhe e mirë.

– Çfarë do t’i thuash jurisë që të votojë për ty?

– Ju dua shumë, do ju puth fort të gjithve, do ju përqafoj fort sa herë që ju të doni!

– Po nëse nuk do të fitoje asnjë çmim, si do të reagoje?

– Do të jem prapë e kënaqur edhe nëse nuk fitoj çmim. Shpresoj të kënaqen të gjithë me mua. Unë do të jem bërë e famshme sepse kam dalë në gazetë dhe e gjithë bota e di që unë jam bërë Miss.

– Ke ndonjë gjë për t’u thënë konkurrentëve të huaj?

– Ju përqafoj fort dhe ju kam sjellë disa dhurata nga Shqipëria. Suksese të gjithëve!

– Kush do të të shoqërojë në Bullgari?

– Mami, babi, vëllai, gjithë familja ime. Shokët dhe shoqet nga grupi i baletit që do konkurrojnë me mua, por që unë i kam shumë xhan të gjithë. Edhe mësuesja ime e baletit, do vijë me ne.

 

David Agolli, Mister Imazhi Shake Dance Studio

– David, ti u zgjodhe Mister, sepse…

– …e meritoja, sepse jam i bukur.

– Ti do të përfaqësosh Shqipërinë në Little Miss e Mister World 2014, në Bullgari…

– Më vjen mirë dhe kam një përgjegjësi të madhe. Unë u përzgjodha në New Year Dance Show në City Park, organizuar nga Shake Dance Studio. Dua të falënderoj mësuese Fjorin që bën çdo gjë për të gjithë ne fëmijët dhe familjen time.

– Në kompeticion, ju duhet të shpalosni talentin tuaj. Cili është yti?

– Kënga është talenti im, por jo shqip. Do të këndoj live, në gjuhen frënge.

– Pse mendon se duhet të të zgjedhin ty për një nga çmimet e para?

– Sepse unë e meritoj, kam sy të bukur, flokë të bukur dhe jam i zgjuar. Po të fitoja, do festoja, nga gëzimi.

– Çfarë do t’i thuash jurisë që të votojë për ty?

– Do t’i thoja të vërtetat për jetën tonë sepse kështu do të shpalos personalitetin tim, që unë jam i mirë.

– Po nëse nuk do të fitoje asnjë çmim, si do të reagoje?

– Do të mërzitem…

– Ke ndonjë gjë për t’u thënë konkurrentëve të huaj?

– Paçi fat të gjithë!

– Kush do të të shoqërojë në Bullgari?

– Prindërit dhe mësuesja e kërcimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *